Në cilën sofër meritojnë të ulen pushtetarët tanë?
Dikur në çdo familje shqiptare, në ahengje, dasma dhe konaqe ka ekzistuar tradita, së kush do të ulët në sofrën e parë, dytë e kështu deri të sofra për fëmijë. Si fëmijë e mbaj në mend se në odën e burrave shumë rrallë kemi guxuar të futemi. Edhe atëherë kur kemi hyrë brenda, e kemi ditur se ku e kemi vendin, në fund të odës. Kjo me ka mbetur thellë në kujtesë dhe shumëçka tjetër për shumë arsye, dhe me kthen në kohën sotme ku mundohem ta shpjegoj relacionin e këtyre njerëzve tanë të politikës së pari me popullin e vet, e pastaj në relacion me njerëzit e politikës ndërkombëtare. Dhe, këtë nuk ke si ta shpjegosh ndryshe pos si një sindrom i keq për ata që po e përfaqësojnë popullin në strukturat më të larta të shtetit. Në relacion me popullin e vet po sillen sikur të ishin mbretër, ndërsa kur bëhet fjalë se si po sillen ata kur takohen me përfaqësuesit e shteteve me të fuqishme të botës, ata po mi kujtojnë fëmijët e së kaluarës dhe vendin se ku uleshim. Duket se me moshë janë të pjekur, porse në politikë sigurisht që jo. Se shumica prej tyre politikën e kanë zgjedhur si profesion të gabuar, ose më mirë të themi si profesion i cili atyre po iu sjell përfitime marramendëse në kurriz të popullit. Këtyre nëse dikush nga ndërkombëtaret ua rrah krahët, mendojnë se na qenkan bërë njerëz të zhdërvjelltë, së qenkan bërë tashmë të rritur dhe të pjekur në politikë. Politikanet e Kosovës fatkeqësisht kur po gjinden në një tavolinë me përfaqësuesit e fuqive të mëdha, po harrojnë së atë vend ndoshta as që e kanë merituar. Po harrojnë së shumë prej tyre kanë ardhur deri aty me vota të manipuluara. Po mendojnë së ata nga ndërkombëtaret do të shpërblehen për mundin dhe kooperativitetin që po e japin karshi bashkësisë ndërkombëtare. Ose më mirë të themi se ata vetëm po sillen në atë mënyrë të fortë mirë e dinë se vetëm populli është ai që i faktorizon e askush tjetër. Duhet ditur së bashkësisë ndërkombëtare nuk i intereson kurrfarë lidhje emocionale me askënd, vetëm se atyre ju interesojnë interesat. Duke u thirrur vetëm në atë së bashkësia ndërkombëtare ka thënë kështu ose ashtu, ose po kërkon që rrjedhat e brendshme politike të shkojnë sipas qejfit të tyre, duke harruar interesat shtetërore dhe nacionale të shtetit të vet. Mendimi se në sofrën e madhe të BE-së, do të hysh me servilitet, e jo qëndrim parimor duke i mbrojtur me dinjitet interesat shtetërore dhe nacionale, kësaj nuk i thonë shkathtësi politike, apo diplomaci. Së pari, për t’u inkuadruar në strukturat më të larta evropiane do të duhej paraprakisht kryer ashtu si duhet të gjitha punët shtëpiake. Në vend të kësaj është zgjedhur rruga e gabuar e keqpërdorimit të pozitës shtetërore. Kur diçka nuk niset mirë, edhe përfundimin nuk e ka të lakmueshëm. Si në planin politik dhe të rrjedhave ekonomike në këtë fazë të tranzicionit punët janë nisur keq dhe po bitisen keq siç thotë një fjalë e popullit. Drojë se tranzicioni ynë po merr kah shumë të keq, në vend që rruga të na shpjerë drejt kapitalizmit si sistemi më i avancuar i shekullit, ne ngadalë po rrëshqasim në gropën e sistemit feudalist. Për t’u gjendur në majat e pushtetit njeriu duhet pasur së pari talent, profesionalisht mirë i përgatitur dhe moralisht shumë i pastër. Këto komponente shumë po iu mungojnë njerëzve të politikes në Kosovë. Kjo kastë politike e pasluftës sikur kanë prekur qiellin me dorë, në vend që të zbresin në tokë. Sikur po harrojnë së gjeneratat duhet të ndërrohen si dukuri normale, dhe së në strukturat më të larta shtetërore nuk mund të qëndrojnë deri në fund të jetës si në komunizëm. Zaten disa prej tyre që 14 vjet pas luftës janë duke e ‘ kullotur’ pushtetin sikur Kosovën ta kishin bashqe të babës. Këta ngapak i kap paniku kur mendojnë se pushteti është i përkohshëm. Kjo strukturë udhëheqëse po bën çmos që edhe sistemin ta përshtatin ashtu si atyre iu nevojitet. Interesat e popullit për këtë garniturë udhëheqëse janë çështje periferike. Dhe, shumë pak e meritojnë të ulen në sofrën e parë. Vendin e kanë në sofrën e vogël, aty ku uleshin fëmijët dikur …