Rruga Elbasan-Tiranë, arritje e madhe për punësimin dhe biznesin

Deputetët Imami dhe Turku, takim me intelektualë elbasanas
Kreu i deputetëve të PD, në Qarkun e Elbasanit, z. Arben Imami, i shoqëruar nga kandidati për deputet, Ardjan Turku, zhvilloi dje një takim me intelektualët elbasanas, për të prezantuar arritjet e qeverisë “Berisha” në këto 8 vite. Në fjalën e tij, z.Turku e ka vënë theksin tek investimet e realizuara në arsim, bujqësi, infrastrukturë, shëndetësi, etj. “Pra, na duhet një alternativë zgjerimi dhe një rritje cilësie, apo siç thotë z. Rama, tkurrje, kufizim, numër i caktuar? Ne kemi vendosur të ndjekim rrugën e parë”, tha Turku. Ai solli në vëmendje ndërtimin e veprës më të madhe publike në vend, tunelin e Krrabës dhe autostradën Elbasan-Tiranë, që siç shtoi ai, nuk pati miratimin e opozitës dhe në veçanti të deputetëve opozitarë të qarkut të Elbasanit. Ndërsa është ndalur tek e ardhmja e investimeve në rrugë Turku ka folur për prioritetet në katërvjeçarin e ardhshëm, që sipas tij do të jenë “ndërtimi i rrugëve të brendshme të komunave, i boshtit të jugut, si edhe ndërtimi i Unazës së Madhe të Elbasanit”.
Kandidati demokrat shprehu sigurinë se me këtë qeveri dhe reformat ë gjitha këto do të realizohen. Në vijim, Turku ka prezantuar këtë program nëpërmjet një videoprojektori ku edhe një herë e ka vënë theksin tek rrugët, punësimi, ndërtimi i Hidrocentraleve në Banjës në tërë kaskadën e Devollit në qytetin e Gramshit, ku do të angazhohen 5000 punëtorë, subvencionet e qeverisë për fermerët për zhvillimin e ullishtarisë, pemëtarisë, zhvillimi i turizmit malor, kulturor, llogaritet që ky zhvillim përgjatë katër vjeçarin e ardhshëm të punësojë rreth 1000 persona, etj. Bëhen rreth 21500 persona pa ju future sektorëve të tjerë, si fasonerisë, etj, që mund të shkojë në 25000. Ndërkaq, kreu i deputetëve të PD në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami u shpreh se ndërtimi i rrugës Elbasan-Tiranë, është një arritje e madhe dhe një sfidë të madhe, sepse është e lidhur me zhvillimin, që sipas Imamit do të zgjerojë bizneset, punësimin, industrinë. “Elbasani tashmë është një burim energjie, është prodhim energjie, dhe industritë shkojnë atje ku ka energji ku ka rrugë, pra Elbasani ka një të ardhme të sigurt. Kjo është sfida për të cilën thashë që duhet të na bëjë të gjithëve bashkë që në katër vjeçarin e ardhshëm ta kthejmë Elbasanin në një qytet të zhvilluar, ashtu siç duam që edhe Shqipëria të jetë një Shqipëri e zhvilluar. Ky është premtimi ynë për këtë katër vjeçar, një Shqipëri të zhvilluar”, tha Imami. Më tej, ai është ndalur tek arritjet që ka realizuar qeveria shqiptare gjatë këtyre viteve, në bazë të një modeli të qëndrueshëm për zhvillimin ekonomik, në fusha të ndryshme si në arsim, shëndetësi, etj. “Kemi hapur autostrada të dijes, sepse pa dije nuk ka zhvillim, rruga me tunel për dy javë do të keni mundësi ta shihni nga afër, ky model është një model zhvillimi dhe ne i dhamë stabilitet këtij vendi nëpërmjet një formule të thjeshtë”, tha Imami duke e nisur tek taksa e ulët që sipas tij “për katër vjet me këtë rrugë buxheti i shtetit u dyfishua, që bëri të mundur investime të shumtë si spitali i Elbasanit, i Librazhdit, vetëm në këtë qark”. Ky model u provua i suksesshëm sepse ne u rritëm ekonomikisht edhe në vitet e krizës. Vitin e kaluar ne kemi vijuar të kemi rritje ekonomike, dhe kemi vijuar me punë publike, vepra publike, ne kemi nevojë të zhvillohemi, dhe duam ta zhvillojmë këtë vend. Dhe ne kemi dhënë tashmë qartazi shembullin e sigurtë se si nuk ke pse bie në krizë me taksa progresive, por ec me taksën e sheshtë, ec me taksa të ulëta, mblidhi këto taksa investoi për shkollë, shëndetësi, rrugë dhe shkojmë në një vend të zhvilluar. Nëse do të na kishte lejuar z. Rama që të merrnin statusin kandidat në BE, ne do të kishim arritur të investonim 100% në rrugë. Nuk po themi që opozita e z. Rama është pa sukses, ai arriti që ta bllokojë integrimin e Shqipërisë, që të mos lejojë integrimin e Shqipërisë, ai arriti që duke penguar edhe këtë program që ne po flasim ndikon drejtpërdrejt në xhepat dhe në buxhetin e çdo familje. Ne kemi shans që ti themi jo kësaj rruge, jo bllokimit, jo mureve. Siç e çamë këtë mal të rrugës me tunel, siç kemi çarë edhe muret e komunizmit, jam i sigurtë që së bashku do të jemi të zotë të çajmë edhe murin e bllokimit.
Imami dhe Boçi në Gjergjan: Zgjidhja për punësimin, me projekte reale dhe konkrete/Komuna Gjergjan ishte ndalesa e radhës dje për kreun e deputetëve demokratë në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami i shoqëruar nga kandidati Luçiano Boçi. Në takimin me zgjedhësit e kësaj komune, kandidati i PD, Luçiano Boçi paraqiti arritjet që siç i cilësoi ai, janë të dukshme dhe të prekshme. Boçi e vuri theksin tek arritjet madhore të qeverisë shqiptare që sipas Boçit “janë argumentet ku mbështetet pjesa e bindjes sonë që ne e meritojmë edhe një mandate tjetër, sikurse është baza nga ku ne nisim premtimet e tjera”. “Problemin e punësimit për shumë të rinj të fshatit ne do të përpiqemi ta afrojmë jo me fjalë, por me projekte reale dhe konkrete. Unë premtoj se një pjesë e të punësuarve në këtë hidrocentral do të vijë nga fshati juaj, për të realizuar këtë dëshirë madhore të të rinjve”, tha Boçi. Ai vijoi duke thënë se “kujdesi për bujqësinë në zonën tuaj ka qenë specifik, dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim bujqësinë në shumë kultura, dhe atyre medicinal”. Arben Imami i cili është pritur me mjaft entuziazëm nga këta banorë e ka nisur bisedën tek investimet që ka realizuar qeveria për tokën, ku sipas tij “kemi bërë një sistem të tërë rrugësh rurale në mënyrë që prodhuesi të afrohet me tregun, bëmë program për subvencionet në aktivitetin bujqësor, duke rritur prodhimin bujqësor në 33 % vetëm gjatë katër viteve të fundit. Ne në katër vitet e ardhme do të 3-fishojmë subvencionet për qeverinë. Kemi hequr TVSH në katër vitet e ardhshme për farërat, kimikate, konstruksione serash, dhe çfarëdolloj impute në bujqësi karburantin. Kjo ka qenë rruga më e mirë për të mbështetur fermerin shqiptar që të rrisë prodhimin e tij” - u shpreh z.Imami, duke garantuar fermerët për vëmendje të plotë të qeverisë, në katërvjeçarin e ardhshëm.