E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do rendim pas cilësisë së Universiteteve për ta vendosur Shqipërinë në shinat e dijes

06-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e godinës së parë të kampusit të universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës

Kryeministri Berisha përuroi mbrëmë godinën e parë të kampusit të universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, një investim me vlerë prej rreth 570 milionë lekë. Gjatë fjalës së tij, kreu I qeverisë Berisha deklaroi, “qeveria do të bëjë gjithçka për të rritur cilësinë në arsim, ndërsa shprehu bindjen se janë politikat e drejta që po ndërmerren si liria akademike dhe bashkëpunimi me sektorin privat, ato që do të ndikojnë nivelin cilësor në arsim”. Më pas kryeministri Berisha vlerësoi se në këtë universitet funksionon në mënyrë të shkëlqyer partneriteti publik-privat dhe bashkërendimi me shkollën e mesme profesionale, disa risi këto për botën tonë akademike."Ne përurojmë sot ndërtesën e parë të një kampusi ndër më modernët të universitetit të Durrësit, që në 7 vite jetë ka njohur zhvillimet më të fuqishme. Ky universitet u hap me 990 studentë, ndërsa numri i tyre sot ka arritur në 14 mijë studentë. Ai filloi me një ndërtesë të improvizuar, ndërsa sot përuron një nga ndërtesat më të bukura dhe moderne", theksoi Berisha. Ndër të tjera, 8 vjet më parë, vijoi Kryeministri, kur u zotuam se do të hapim një universitet në Durrës jo të paktë ishin skeptikët se pse Durrësi, kaq pranë Tiranës, duhet të kishte një universitet. "Por unë isha i bindur se Durrësi, një qytet mijëravjeçar e meritonte prej shekujsh universitetin e tij. Dhe faktova se kjo ishte një bindje e drejtë, pasi në 7 vite numri i studentëve është 14-fishuar", tha Berisha. Më tej, kryeministri Berisha  theksoi se në universitetin e Durrësit nuk kemi vetëm një zhvillim sasior, por këtu kemi disa nga shembujt më të shkëlqyer të botës universitare shqiptare. "Përpjekja jonë për të vendosur Shqipërinë në shinat e dijes ka si kusht themelor njohjen dhe respektimin e të drejtës për të bërë realitet ëndrrën universitare. Deri para vitit 2005, Shqipëria u shkatërronte ëndrrat universitare të  rinjve të vetë, pasi gërshëra e shtetit përcaktonte me arbitraritet të papranueshëm një numër jashtë të cilit askush nuk mund të dilte. Procesi që kemi nisur ka shumëfishuar numrin e studentëve, por kemi ende për të bërë përpara", tha Berisha. Sipas Kryeministrit, "të quash sot piramida, universitetet e vendit është absurditet shumë i madh". "Në universitete pa dyshim që ka dobësi, por kjo nuk do të thotë se mund të hedhësh poshtë punën e shkëlqyer të stafit akademik", tha Berisha. Në përfundim, Kryeministri garantoi se në Durrës do të vijojë ndërtimi i korpusit universitar më të bukur të Shqipërisë dhe rajonit. Godina e re e kampusit universitar në Durrës ka 26 auditorë, me kapacitet prej rreth 3000-3500 studentë; 3 laboratorë, me kapacitet 160 studentë, bibliotekë, sallë leximi dhe sallë interneto, 2 salla të mëdha eventesh, 3 salla mbledhjesh dhe 27 zyra, 5000 m2 ambiente të gjelbëruara dhe pushimi. Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, tashmë në vitin e shtatë përbëhet nga 7 fakultete dhe ofron 51 programe studimi Bachelor, Master dhe 1 program doktoraturë. Universiteti ka filluar ndërtimin e kampusit universitar në një sipërfaqe prej 55 ha dhe parashikohet t’u shërbejë më shumë se 25.000 studentëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›