Ambasadori i KE-së, Helmuth Lohan, i dorëzoi sot Presidentit Topi, raportin vjetor të progresit për Shqipërinë
Topi: Jemi të vetëdishëm për sfidat që na presin
Ambasadori i Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmuth Lohan, i dorëzoi sot paradite Presidentit të Republikës, Bamir Topi, raportin vjetor të progresit që ky Komision ka hartuar për Shqipërinë. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Kreu i Shtetit falenderoi Ambasadorin Lohan për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë "në procesin e përmbushjes së standardeve dhe kërkesave për integrimin në familjen e madhe evropiane, ku vendi ynë dhe populli shqiptar aspirojnë të jenë pjesë me arritjet dhe vlerat e tyre më të mira". Presidenti vuri në dukje përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga shtetit shqiptar me këtë asistencë për forcimin e demokracisë në vend, konsolidimin e institucioneve, forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë dhe profesionalizmin e medias, respektimin e të drejtave të njeriu dhe nënvizoi se "jemi të vetëdijshëm për punën dhe sfidat e reja që na presin, për përballimin e së cilave kemi vullnetin dhe angazhimin maksimal". Ambasadori Lohan shprehu kënaqësinë për këtë takim me Kryetarin e Shtetit, duke vënë në dukje rolin pozitiv të tij si autoriteti më i lartë moral i vendit dhe si garantues i integritetit të Kushtetutës dhe të ligjit. Ambasadori Lohan vlerësoi gjithashtu edhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan si dhe në arenën ndërkombëtare.
...