E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ne dhe Lenini”, premiera sot në Millenium



Në një shtëpi të moshuarish që quhet “Lulet e vjeshtës” një grup pleqsh shtyjnë ditët. Ata kërcënohen në një ditë të bukur të mbeten pa shtëpi, pasi ndërtesës i del “pronari, një biznesmen që ka vënë kandidaturën për kryetar bashkie në qytet. Pleqtë i kundërvihen vendimit të Komisionit të Pronave për anulimin e tij. Ata zbulojnë se kandidati për kryetar bashkie i ka falsifikuar dokumentet e pronësisë dhe kërkon të përvetësojë një pronë që nuk i takon. Pleqtë kërkojnë ndihmën e Llazar Koritës, aktorit që dikur ka interpretuar Leninin në një dramë të njohur para shumë vitesh, por që ka mbetur në kujtesën e publikut. “Lenini” hidhet në mbrojtje të së drejtës, por përpjekjet e tij bien në vesh të shurdhët. Brenda këtij sinopsi zbulohet dramaturgjia e filmit “Ne dhe Lenini”, që shfaqet sot premierë në kinema “Millenium”, shkruar nga Ruzhdi Pulaha me regji të Saimir Kumbaros.

Është një film komedi që i takon realitetit të sotëm shqiptar. Skenari i filmit e ka origjinën nga vepra që është vënë në Teatër “Streha e të harruarve”, i shkruar nga po i njëjti autor, Pulaha. Por ndryshimi mes filmit dhe teatrit i takojnë dimensioneve të tjera artistike krejt të ndryshme. Përveçse një film komedi, në ekran transformimi dramaturgjik merr vizion tjetër, duke i dhënë karakter më të fortë dhe një spektër më të gjerë anës sociale. Për përpunimin e skenarit regjisori Saimir Kumbaro ka kërkuar edhe ndihmën e skenaristit amerikan Sean Clarck, por që në fakt nuk është përfshirë si autor i skenarit.

Në ndryshim nga teatri, regjisori ka treguar se është frymëzuar për të zëvendësuar njërin prej personazheve të skenarit me aktorin Lenin, duke ia besuar rolin kryesor aktorit Lazer Filipi, i cili realisht ka interpretuar rolin e Leninit, tek “Orët e Kremlinit” shumë vite më parë. Para tij, regjisori kishte menduar që t’ia jepte rolin kryesor aktorit Robert Ndrenika.

Disa aktorët që luajnë në film kanë qenë përfshirë dhe në dramën “Streha e të harruarve”. Në këtë film regjisori është shprehur se kërkon t’i kundërvihet mentalitetit të kohës, besimit te një-shi që i jep rrugëzgjidhje problemeve. “Është pikërisht ky 1-sh që nuk lejon shoqërinë të ecë përpara”.

Ngjarjet e filmit zhvillohen në një shtëpi të moshuarish dhe për realizimin e tij regjisori zgjodhi një shtëpi të moshuarish në Kavajë. Xhirimet e filmit zgjaten pesë javë dhe filluan në maj të vitit 2006. Regjisori Saimir Kumbaro rikthehet pas 12 vjetësh në ekran, pas realizmit me filmin e tij të fundit, më ’92, filmi “Vdekja e kalit”, i pari film që hapi pas diktaturës një erë të re sa u takon sentimentit në filmat shqiptar, marrëdhënieve të dashurisë. “Ne dhe Lenini” është një prodhim shqiptaro-franko- maqedonas. Bëhet e ditur se më 26 janar filmi do të ketë premierën e tij edhe në Prishtinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›