Oketa, Eikenberry: Reforma të gjithanshme për pranimin në NATO
Qeveria shqiptare bind NATO-n për arritjen e objektivave që asaj i kërkohen për anëtarësim në strukturën atlantike. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, priti në një takim të veçantë zv.kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral lejtnant Karl Eikenberry, i cili ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj. Ministri Oketa, pasi e falënderoi gjeneralin e NATO-s, Karl Eikenberry, për vizitën që po bën në vendin tonë, i shprehu atij mirënjohjen e qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar për atë çka NATO ka bërë për Shqipërinë. Por në të njëjtën kohë, - theksoi z. Oketa, - ne e dimë se duhet të punojmë më shumë për të realizuar të gjitha objektivat që kërkohen për pranimin në NATO në Samitin e ardhshëm. Për realizimin e këtij objektivi të madh, Forcat tona të Armatosura kanë pasur edhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, e cila në buxhetin e këtij viti ka planifikuar për FA, 2 % të GDP-së.