E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Madhe, Rama mbron autorësinë e projektit në publik



Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për herë të parë ditën e djeshme ka prezantuar në publik projektin e segmentit jugor të Unazës së Madhe. Gjatë prezantimit të projektit, kreu i bashkisë ka mbrojtur autorësinë. Ai nisi prezantimin duke thënë: “Segmenti jugor i Unazës së Madhe është një nga projektet më të rëndësishme dhe themelore të iniciuar nga Bashkia e Tiranës”, - duke vijuar më tej: “Aksi i ri është projekt që do të financohet nga BERZH-i”.

Projekti

I cilësuar si njëra prej arterieve kryesore e qytetit të Tiranës, ky segment është më i rëndësishmi, pasi do të garantojë një lëvizshmëri si dhe do të garantojë kalimin shumë më normal të mjeteve që lëvizin nga veriu në jug dhe anasjelltas. Ndërkohë që aktualisht makinat duhet të kalojnë patjetër nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi nuk ka një aks alternativ.

Unaza e Madhe e Tiranës është përcaktuar si një nga arteriet kryesore të sistemit rrugor të Tiranës, në planin aktual rregullues në fuqi (viti 1989) dhe e parashikuar si e tillë dhe në Planin e Ri Rregullues.

Një nga segmentet më të rëndësishme të Unazës së Madhe, ndërtimi i të cilit parashikohet të ketë një impakt të rëndësishëm në përballimin e lëvizjes në qytetin e Tiranës, është pjesa jugperëndimore e saj. Kjo rrugë do të mundësojë shmangien e një pjese të trafikut ekzistues që sot kalon nëpër qendrën e Tiranës ose në unazën ekzistuese të saj.

Kjo pjesë e Unazës së Madhe fillon në kryqëzimin me “Rrugën e Kavajës” deri në kryqëzimin me “Rrugën e Elbasanit” dhe ka një gjatësi prej 5.5 km.

“Hartimi i këtij projekti ka kaluar në një proces të thelluar të analizës dhe vlerësimit të alternativave më të mira të zgjidhjes për trafikun etj. për të sjellë rezultatin më të mirë të pritshëm”, - u shpreh Rama. Fillimisht është kryer mbledhja e të dhënave nëpërmjet matjeve të trafikut dhe intervistave me drejtuesit e mjeteve. Janë zhvilluar matje manuale në 31 segmente rrugore, janë bërë matje trafiku në 4 seksione rrugësh, me dy drejtime, në “Rrugën e Kavajës” dhe “Rrugën e Elbasanit”, është bërë kalibrimi i modelit të trafikut. Sipas modelimit të trafikut është bërë konceptimi dhe standardizimi i profileve e seksioneve të rrugës. Gjithashtu, janë analizuar jo vetëm aspekte të rëndësishme, si siguria rrugore, trafiku, impakti mjedisor, por edhe me metoda të krahasimit të alternativave të ndryshme për zgjidhje.

Sipas vlerësimeve të analizës rezulton se nëse në vitet ’90 rreziku nga aksidentet rrugore të trafikut renditej në vendin e nëntë në listën e risqeve të jetës dhe sigurisë së saj, në vitin 2020 do të ketë një rritje të ndjeshme të këtij rreziku (për shkak të rritjes shumë të madhe të trafikut), duke e listuar këtë rrezik nga vendi i nëntë në vendin e 3-të.

Për këtë qëllim, një nga çështjet më të rëndësishme që analizon projekti është minimizimi i riskut për aksidente rrugore.

Janë minimizuar pikat konfliktuale, duke pasur kryqëzime të sigurta. Kryqëzimet kontrollohen me anën e aparaturave semaforike të teknologjisë së përparuar. Rrethrrotullimi në kryqëzim përfshin hapësira të dedikuara për lëvizjen e këmbësorëve, me korsi të ndara për autobusët (afërsisht 50 m nga kryqëzimi ndodhen qëndrime autobusi etj.).

Trafiku

Në këtë projekt do të ketë një impakt pozitiv që do të ndikojë në përmirësimin e lëvizjes dhe të trafikut, jo vetëm për këtë zonë, por edhe në të gjithë qytetin. Ky projekt përmirëson ndjeshëm edhe lidhjen e zonave rreth qytetit dhe në komunat kufitare me Tiranën, me vetë qytetin e Tiranës.

Sipas Ramës: “Ky projekt do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm ekonomik për shkak të lidhjes së zonave të qytetit dhe rreth qytetit në një unitet të vetëm, duke bërë që i gjithë aktiviteti që sot është i copëzuar dhe i penguar mes kryeqytetit dhe komunave përreth, të kthehet në një aktivitet të integruar nga pikëpamja e lëvizshmërisë dhe komunikimit, duke bërë kursimin më të madh tek elementi më i rëndësishëm i jetës së sotme që është koha e që sot në vendin tonë mbetet ende malli më i lirë”.

Specialistët vlerësojnë se edhe në vitet në vijim do të ketë rritje të vazhdueshme të trafikut. Kundrejt kësaj rritjeje Bashkia e Tiranës ka parë si zgjidhje lëvizjen e qytetarëve me disa alternativa. Në bazë të të dhënave të mbledhura rezulton se prioritet për lëvizjen e qytetarëve i jepet transportit publik. Kështu, krahasuar me vitin 2008, në vitin 2011 pritet që trafiku të rritet me 40% dhe në vitin 2021, trafiku të rritet me 80%.

Këto shifra të rritjes së madhe të trafikut janë analizuar në disa alternativa të përballimit të rritjes si dhe në modelime dhe simulime të zgjidhjes më të mirë të lëvizjes.

Prandaj, me projektin e ri të Unazës së Madhe do të ketë korsi dedikuar për linjat e transportit publik lokal, korsi për lëvizje për biçikleta dhe të këmbësorëve si dhe për mjete motorike dhe parkim (privat, me pagesë dhe rezidencial) për mjetet përgjatë Unazës.

Mjedisi

Impakti mjedisor është një nga çështjet më të studiuara nga grupi i projektuesve. Duke mbrojtur rëndësinë e kësaj çështjeje, Rama u shpreh: “Impakti i këtij projekti, në pjesën delikate të tij që përshkon kodrat mbi Parkun e Liqenit që sot janë në gjendjen e rrezikut nr. 1 të zhdukjes së tyre dhe të kthimit në kodra betoni, për shkak të ndërtimeve pa asnjë kriter, të komunave përreth, është parë me shumë kujdes, sepse synimi ynë është që nga njëra anë të ruajmë ç’ka mbetur pa u dëmtuar nga këto kodra, duke përmirësuar cilësinë e lëvizjes dhe njëkohësisht duke e kthyer në një element që nuk e dëmton, por e garanton natyrën me florën, ujin, klimën që aktualisht gjenden aty dhe elementet e peizazhit, që është e domosdoshme të ruhen”.

“Bashkia e Tiranës, - thuhet më tej, - me zbatimin e Fazës së Parë të Projektit për Parkun e Madh të Liqenit (mbjellja e pemëve etj.), ka filluar edhe zbatimin e masave mbrojtëse të Planit Mjedisor të Veprimit të Projektit të Unazës së Madhe”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›