Basha: Në gusht 2010 sistem modern adresash
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha tha dje se Shqipëria brenda muajit gusht 2010 do të ketë një sistem modern evropian, elektronik të adresave të ndërlidhur me Regjistrin Kombëtar Elektronik të Gjendjes Civile. Sipas tij, për çdo shtetas shqiptar që figuron në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile do të korrespondojë një adresë e saktë në Regjistrin Kombëtar Elektronik të Adresave. Ndërsa Kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë fjalës së tij në konferencë, shprehu vlerësimin për punën e deritanishme dhe theksoi nevojën e shtimit të përpjekjeve nga zyrat e urbanistikës në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore për të realizuar detyrat e mbetura deri në realizimin e plotë të projektit të modernizimit të sistemit të adresave.