Topi: Inkurajoj dialogun e partive
ADI SHKEMBI
Presidenti Bamir Topi kërkoi nga forcat politike t’i rikthehen dialogut, pasi sipas tij është esenciale për jetën normale të institucioneve. Kreu i shtetit priti dje homologun e tij turk, Abdullah Gyl, i cili nisi dje një vizitë dyditore në vendin tonë, ku do të takohet edhe me Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp nëse do të vazhdojë të qëndrojë në pozicion pritës derisa palët të shprehin vullnetin për dialog, apo do të ndërhyjë, Topi tha se: “I inkurajoj për dialogun. Natyrisht që nuk mund të interferoj. Besoj që klasa politike shqiptare sot në vitin 2009 është koshiente për të zhvilluar dialogun. Edhe një herë e inkurajoj këtë dialog në interes të Shqipërisë, të qëllimeve madhore të saj për të pasur një progres dhe sukses imediat në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Nuk do të mungojnë apelet e mia për të inkurajuar klimën e dialogut, e cila është normale, madje është esenciale për jetën normale të institucioneve të një vendi demokratik”. Kreu i shtetit bëri thirrje gjithashtu, që partitë të rrisin nivelin e komunikimit politik dhe të dialogut politik në vend. Megjithatë, kjo sipas Topit është në mënyrë ekskluzive në vullnetin e forcave politike.
Takimi me Gyl
Në daljen para mediave Topi dhe Gyl vunë theksin tek marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Presidenti shqiptar tha se: “Kjo klimë e shkëlqyer e marrëdhënieve politike patjetër që ka shoqëruar në vite dhe rritjen e shkëmbimeve të karakterit ekonomik, të marrëdhënieve ndërinstitucionale, rritjes së investimeve të Turqisë në Shqipëri, me një kooperim shumë të rëndësishëm në fushën e arsimit dhe të shkencës, në një marrëdhënie vëllazërore dhe luajale edhe në fushën e ushtrisë”. Ndërsa presidenti, Abdullah Gyl theksoi se Turqia gjithmonë e shikon Shqipërinë së një partner të fuqishëm në rajon dhe kështu do ta shikojë dhe në të ardhmen. Ai kujtoi mbështetjen që Stambolli i ka dhënë Tiranës për anëtarësimin në NATO, ku theksoi se dekretin e pranimit në Aleancë të Shqipërisë e firmosi kur i pranishëm në zyrën e tij ishte presidenti Topi. “Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë janë shumë të mira, të mbështetura në histori. Është një miqësi e vërtetë, prandaj ne duke ardhur këtu në Shqipëri e ndjejmë veten me të vërtetë si në shtëpinë tonë. Ashtu si shqiptarët kur shkojnë në Turqi e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre, dhe gjejnë mjaft gjëra të përbashkëta, të tilla ndjenja ndjejmë dhe ne kur vijmë në Shqipëri”, theksoi Gyl. Sipas tij “Është një miqësi e vërtetë, prandaj ne duke ardhur këtu në Shqipëri e ndjejmë veten me të vërtetë si në shtëpinë tonë. Ashtu si shqiptarët kur shkojnë në Turqi e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre dhe gjejnë mjaft gjëra të përbashkëta, të tilla ndjenja ndjejmë dhe ne kur vijmë në Shqipëri”.