Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Sofje, Kryeministri Fatos Nano është takuar sot me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Z. Ognyan Gerdzhikov. Dy autoritetet kanë vlerÃ
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Sofje, Kryeministri Fatos Nano është takuar sot me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Z. Ognyan Gerdzhikov.
Dy autoritetet kanë vlerësuar punën e bërë nga Parlamentet e të dy vendeve për ratifikimin e marrëveshjeve të nënshkruara për të bërë të mundur zbatimin konkret të tyre. Ata kanë vënë theksin në rritjen e bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve, duke nënvizuar se ka ende shumë hapësira për zgjerimin e këtij bashkëpunimi. Në këtë kontekst, Kryeministri shqiptar ka shprehur gadishmërinë e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar nëpërmjet konsultimeve të përbashkëta dhe shkëmbimeve të ndërsjellta të eksperiencave respektive.
Me interes në këtë drejtim janë parë nga bashkëbiseduesit edhe shkëmbimet e mundshme të delegacioneve të komisioneve të ndryshme parlamentare si ai i Ligjeve, i Politikës së Jashtme etj. "Takime të tilla do të shërbenin edhe për shkëmbimin e eksperiencës sidomos për përafrimin e legjislacionit vendas me atë të BE në kuadër të integrimit europian", është shprehur Kryeministri Nano, duke vlerësuar punën e bërë nga Parlamentet për përafrimin e legjislacionit të të dy shteteve me atë të Bashkimit Europian.
Gjithashtu, Kryeministri Nano ka vlerësuar arritjet e Bullgarisë në fushën e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Z.Nano ka theksuar se "Shqipëria është e angazhuar për të çuar më tej të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, si një element themelor të konsolidimit të demokracisë, e cila shërben edhe për arritjen e standarteve ndërkombëtare".
Në takim është nënvizuar gjithashtu rëndësia e rigjallërimit të gjithanshëm të bashkëpunimit ekonomik, i cili duhet të mbetet përparësi në programin politiko-diplomatik mes Shqipërisë dhe Bullgarisë. Në këtë drejtim, dy personalitetet kanë vlerësuar si një hap të rëndësishëm nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë, zbatimi i së cilës do të sjellë rritjen e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve.
Po sot, Kryeministri Fatos Nano ka patur një drekë pune me homologun bullgar, Simeon Sakskoburggotski, ku të dy Kryeministrat kanë ndarë të njëjtin mendim për rëndësinë e shtrirjes së bashkëpunimit edhe në fushën e turizmit, duke nënvizuar se të dy vendet janë të interesuara për intensifikimin e bashkëpunimit edhe në këtë fushë.