Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Kryeministri Fatos Nano, është pritur sot, rreth orës 10:00, në një ceremoni zyrtare në sheshin e ceremonive në Bukuresht nga Kryeministri rumun Adrian Nast
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Kryeministri Fatos Nano, është pritur sot, rreth orës 10:00, në një ceremoni zyrtare në sheshin e ceremonive në Bukuresht nga Kryeministri rumun Adrian Nastase.
Dy Kryeministrat kanë zhvilluar fillimisht një takim kokë më kokë, i cili ka zgjatur rreth 60 minuta, më pas, është zhvilluar takimi mes dy delegacioneve.
Në fillim të takimit, Kryeministri rumun Nastase i ka vlerësuar bisedimet si shumë të dobishme. Ai u shpreh se vizita e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Fatos Nano do t'i shërbejë nxitjes së mëtejshme dhe konkretizimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes reciprok. Kryeministri Nastase ka vlerësuar praninë e autoriteteve të larta shqiptare në fushën e financave, energjitikës, mbrojtjes, të turizmit, drejtësisë, shëndetësisë, etj. një moment i cili do të konkretizojë hapat e mëtejshëm në sektorët përkatës mes Shqipërisë dhe Rumanisë.
Kryeministri Nastase ka siguruar se "Shqipëria do të ketë mbështetjen rumune në proçesin e integrimit euroatlantik".
Ndërsa Kryeministri Nano ka shprehur kënaqësinë për takimin me Z.Nastase, pas vizitës së Tij të suksesshme në Tiranë, më 21 shkurt të këtij viti, si dhe në takime të tjera ndërkombëtare.
Z. Nano ka bërë një ekspoze të situatës së përgjithshme në vend, duke u ndalur në treguesit ekonomikë e financiarë, në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar, avancimit të proçesit të integrimit në strukturat euroatlantike dhe bashkëpunimin rajonal.
Dy Kryeministrat i kanë konsideruar të shkëlqyera marrëdhëniet politike mes dy vendeve, duke theksuar nevojën për arritjen e këtij niveli veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik. Kryeministri Nano ka theksuar se rigjallërimi i bashkëpunimit të gjithanshëm ekonomik duhet të mbetet përparësi e programeve të të dy palëve.
"Tashmë marërdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të re për shkak të një kuadri marrëveshjesh që po institucionalizojnë dialogun mes dy vendeve", është shprehur Kryeministri Nano. Këto marrëdhënie, - ka shtuar ai, - do të bazohen në një kalendar programesh të përbashkëta në shumë fusha si atë të mbrojtjes, të shëndetësisë, doganave, etj.
Gjithashtu, duke iu referuar zhvillimeve rajonale, Kryeministri Nano dhe ai Nastase kanë ndarë të njëjtin mendim për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë vendet e rajonit për ta bërë Ballkanin ndryshe. "Rajoni ynë për specifikat e tij, mund t'i zgjidhë problemet me përpjekje të përbashkëta të të gjitha vendeve të tij", është shprehur Z.Nano.
Pas takimit të zhvilluar mes dy homologëve dhe delegacioneve përkatëse, Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, Zv/ministri i Financave Dritan Shano dhe Zv/ministri i Shëndetësisë Eduart Harshova kanë nënshkruar me homologët e tyre rumunë tre marrëveshje në fushat respektive: "Marrëveshja ndërqeveritare për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes", "Marrëveshja ndërqeveritare për bashkëpunim në fushën e doganave" dhe "Marrëveshja ndërqeveritare në fushën e shëndetësisë".
Më pas, Kryeministri Fatos Nano dhe homologu i tij bullgar dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
"Shqipëria dhe Rumania, dy vende me marrëdhënie të shkëlqyera politike, do të shtrijnë bashkëpunimin e tyre edhe në fushën ekonomike, duke nxitur shkëmbime të ndërsjellat ekonomiko- tregtare", kanë deklaruar dy homologët.
Të dy Kryeministrat kanë nënvizuar se marrëveshja e tregtisë së lirë mes dy vendeve që pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2004 do të ndihmojë në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Rumanisë dhe Shqipërisë, ndërsa Forumi Ekonomik Shqipëri-Rumani do të ndihmojë për të paraqitur edhe më mirë mundësitë e dy vendeve për bashkëpunim. Praninë e rreth 40 biznesmenëve shqiptarë në përbërje të delegacionit, Kryeministri shqiptar e ka vlerësuar si një faktor për nxitjen e bashkëpunimit dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
"Rumania do të mbështesë integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa të dy vendet duhet të punojnë për të mbështetur nismat dypalëshe për të rritur bashkëpunimin në kuadër të integrimit rajonal", ka theksuar Z. Nastase
Ndërsa Kryeministri shqiptar ka theksuar se "Shqipëria mund të përfitojë nga eksperienca e Rumanisë në drejtim të integrimit europian. Ne besojmë se kemi të njëjtën axhendë të integrimit rajonal dhe atij europian". Duke shtuar se të dy vendet duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të pëshpejtuar integrimin e vendeve në BE.
Gjithashtu Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko ka zhvilluar një takim me homogun e tij rumun.