Në ditën e parë të fillimit të vitit të ri akademik Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar një vizitë në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan. Fillimisht Kryeministri Nano vizito
Në ditën e parë të fillimit të vitit të ri akademik Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar një vizitë në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan. Fillimisht Kryeministri Nano vizitoi godinën e re të Fakultetit të Shkencave Ekonomike, ku u takua me Rektorin, stafin e pedagogëve dhe studentët e këtij Universiteti.
Në këtë aktivitet Kryeministri Nano shoqërohej nga Kryetari i Akademisë së Shkencave Ylli Popa, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Luan Memushi, deputetë të zonës dhe kryetari Bashkisë së Elbasanit, intelektualë të qytetit etj.
Më pas Kryeministri Nano bëri një vizitë edhe në ambjentet e reja të shkollës pedagogjike të qytetit e quajtur ndryshe "Normalja" e Elbasanit, ku u njoh nga afër me kushtet e reja të mësimdhënies si dhe me muzeun e kësaj shkolle.
Në takimin që zhvilloi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike Kryeministri Nano referoi një fjalë me temë "Kostot dhe përfitimet e integrimit të Shqipërisë". Kryeministri u shpreh:
"Më lejoni ta filloj nga e ardhmja, të dashur miq, studentë, të nderuar pedagogë, i nderuar profesor Popa, profesor Ceka, të nderuar deputete dhe normalistë.
Elbasani u jep një mësim të madh të gjithëve. Këtu themeli i shkollës është "Normale". Ne duam qe gjithçka në Shqipëri të jetë normale, duam që Shqipëria të eci normalisht. Prandaj do të ishte shumë përgëzuese, që të gjithë ata që e duan Shqipërinë në Europë të bëheshin normalë dhe të punonin si normalistë.
Erdha të festonim së bashku, në këtë auditor të ri, ditën e parë të vitit akademik 2004-2005, jo rastësisht, jo thjesht dhe vetëm për shkak të nostalgjisë sime për Elbasanin, si qytet i kulturës dhe i festimeve masive popullore si dita e verës, por sepse arsimi i lartë po zhvillohet në të gjithë vendin.
Elbasani është një shembull i këtij afrimi të institucioneve universitare dhe akademike, tek rinia dhe zhvillimi. Këtu për shkak të traditës dhe të rekordeve të elbasanasve në kulturën dhe në historinë kombëtare, natyrshëm të shkon mendja tek kontributi i rilindasve, natyrshëm prek në origjinë të vërtetën që, dielli lind andej nga perëndon. Sepse ky ishte mesazhi i parë i rilindasve tanë për përkatësinë dhe nevojën për ta sjellë Shqipërinë në Europën moderne.
Ky vit na gjen me më shumë studentë se asnjëherë tjetër, janë 56 mijë në të gjithë vendin, në të gjitha sistemet e arsimimit, pa llogaritur dhjetra mijë të tjerë që studiojnë nëpër botë, nga vendet fqinje europiane deri në SHBA. Më vjen mirë që ky auditor më rikthen tek një nga eksperiencat e jetës sime, tek fakulteti ekonomik, tek kontakti i kualifikuar me këtë shkencë kaq dinamike, që është ekonomia dhe menaxhimi.
Universiteti fillon sivjet me një stil reformash, që po përshpejtohen dhe që nuk kanë objektiv tjetër më sintetik sesa integrimi euroatlantik apo anëtarësimi në BE, në NATO, krahas partneriteteve të gjithanshme që nënkupton ngritjen e institucioneve, të tregut dhe të shoqërisë në standartet e këtij anëtarësimi.
Përfundimisht integrimi është bërë materia jonë kryesore e punës, e jetës, e arsimit dhe e marrëdhënieve sociale, e sipërmarrjes apo e hapjes dhe konkurimit me botën moderne. Hapësira në të cilën po integrohemi është e përshtatshme, është mikpritëse. Europën ku duam të anëtarësohemi e drejtojnë institucione të konsoliduara, shumëpalëshe, që kanë zyrtarizuar filozofinë e dyerve të hapura dhe po punojnë me ne për të na mbështetur dhe nxitur që të rritemi në standartet e lirisë, në mënyrë që efekti i zgjerimit të këtij komuniteti shumëplanësh me anëtarët e rinj të mos i shtojë fërkimet dhe problemet as me ata që janë brenda as për ata që vijnë.
E njëjta filozofi po zhvillohet edhe me organizatën më të madhe të sigurisë në rajonin tonë, apo në botë, NATO-n, ku siç e dini Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia janë në një proces të përshpejtuar përgatitjesh për anëtarësim, më përpara se në BE. Dhe, mjedisi i sigurisë sigurisht që e nxit mjedisin dhe koeficientin, apo ritmet e zhvillimit për integrim. Kjo është një punë që në një mënyrë ose një tjetër vjen edhe tek ju, lëviz midis jush, lëviz jo vetëm në domosdoshmërinë për të thithur kuadro, të cilët kualifikohen vit pas viti, por lëviz edhe marrëdhëniet tuaja shoqërore, raportet tuaja me jetën, me administratën, me tregun, me shpërblimin dhe me të gjithë atë realitet që ndryshon shpejt mes të cilit zhvillohet Shqipëria.
Ka natyrisht edhe përplasje politike - dhe me këtë nuk kam parasysh simpatitë politike të studentëve dhe pedagogëve,- ka përpjekje të politikës për ta përdorur në mënyrë parciale botën akademike apo universitare dhe besoj se megjithatë ka një konvergjencë, koherencë të të gjithë politikës shqiptare, për të mos e lejuar arsimin të zhvillohet në boshllëk, vecanërisht në arsimin e lartë, për ta mbrojtur arsimin nga korrupsioni apo degradimi, për ta integruar botën akademike dhe universitare në punën mbarë shoqërore dhe institucionale për zhvillim dhe integrim, për projekte, programe, reforma, të cilat natyrisht do t'í shërbejnë të ardhmes dhe nuk mund të bëhen pa kontributin e kualifikimit dhe kërkimit të lartë shkencor që ka jeta universitare.
Të gjithë besoj se jemi dëshmimtar të kërcitjes së botës shqiptare në procesin e integrimit, të zhurmës, të tonaliteteve gazmore apo prerëse të melodisë së integrimit dhe kjo vjen për shkak të një pune të jashtëzakonshme që zhvillohet në të gjithë shoqërinë, jo vetëm në institucione por edhe në jetën joshtetërore; një pune të jashtëzakonshme përafruese, e cila bëhet akoma më e zhurmshme duke u reflektuar në media,- që përfshijnë trajnime, kualifikime të gjithanshme, vendimmarrje; që ndryshojnë raporte shoqërore apo ekonomike; një qarkullim në volum gjithnjë e më të madh informacioni brenda nesh dhe me botën; përpjekje, sfida, fitore dhe dështime negociatorësh me botën ku do integrohemi, lëvizje negociatorësh dhe ekspertësh nga brenda-jashtë dhe nga jashtë- brenda, në këtë funksion, hedhje-pritje deklaratash, vlerësimesh, notash edhe për shtetin edhe për politikën ashtu si për studentët; akuzime të shtypit apo qejfmbetje dhe pakënaqësi të protagonistëve, ku shtypi riprodhon të vërtetat e vështirësive, të sukseseve apo dështimeve të negociatorëve politik apo shtetëror në integrim. Por, mbi të gjitha ajo që dominon është materia e re, materia pozitive e transformimit të legjislacionit, të administrimit publik, të marrëdhënieve ekonomike, të jetës sociale, të lëvizjes së lirë të njerëzve me ato vështirësi që ka dhe që vijnë duke rënë, të shfaqjes së aftësive konkuruese të shqiptarëve, jo vetëm brenda vendit, por edhe të një tregu të gjerë, që po krijohet për shkak të hapjes së kufijve dhe zbatimit të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, që zgjerojnë doganat në rajon dhe më gjerë; materie pozitive, që vijnë nga ritmet e larta të zhvillimit, që stimulohen nga sipërmarrjet private, vendase dhe të huaja.
Pra, materia pozitive, që krijohet nga ndërtuesit shqiptarë, nga agrobiznesi shqiptar, nga tregtarët shqiptarë, nga ekonomia e re shqiptare, ekonomia e telekomunikacionit dhe e zhvillimeve, që lidhen me tregun virtual, nga investimet e reja të huaja që po nisin të zbresin dhe të krijojnë degë të reja ekonomike në Shqipëri, nga infrastrukturat rajonale dhe globale, që po përshkojnë vendin, korridore rrugore apo linja transmetimi energjie, naftësjellësa apo gazsjellësa, por edhe aeroporte, që presin gjithnjë e më mirë dhe më shumë tragete dhe avionë.
E gjithë kjo materie pozitive, në fund të fundit tregon sidomos një gjë: në Shqipëri ka pasion dhe ka ritëm zhvillimi. Shumica e punës realisht mbetet e padukshme për sytë e publikut të gjerë, sepse jo gjithnjë është rrugë apo gradaçelë, apo rritje page, apo ndëshkim sipas ligjit i një keqbërësi që arrestohet, por pastaj lirohet nga Gjykata. Megjithëse shumica e punës pozitive ndërtuese dhe zhvilluese dhe e materies që ajo prodhon është e padukshme, sërish, për shkak të ritmit, pasionit dhe integrimit të të gjithëve, në këtë proces shumëplanësh, - Shqipëria ka hyrë në rrugë të pakthyeshme. Janë vendosur marrëdhënie partneriale, shumë konstruktive me organizatat ku duam të integrohemi. Edhe aspektet kritike të marrëdhënieve me BE-në apo me agjenci të ndryshme zhvillimi, me institucionet financiare ndërkombëtare, apo qeveritë e ndryshme në procesin e zhvillimit dhe të integrimit, tregojnë partneritet.
Nuk mund t'i kërkohet më shumë një partneri dhe natyrisht meqënëse ekzigjencat për integrim janë shtuar, janë shtuar edhe kërkesat për cilësi, për performancë, për rezultat, për standart të performancës së Shqipërisë, të përputhur me parametrat e BE-së dhe të vendeve të BE-së, ku ne duam të integrohemi. Pra, standartet e administrimit publik, standartet e gjyqësorit, standartet e policisë së shtetit, të sipërmarrjes, të sistemit fiskal, të investimit publik, të prokurimit, të shpërblimit, standarte të edukimit, standarte të mospranimit të korrupsionit apo të shkeljes së ligjit apo të kontratave informale nga shoqëria apo aktorët e saj , standartet e lëvizjeve normale me botën- dhe jo nga mali apo pa viza, apo pa pasaporta, - pra që do të thotë standarte të bashkëveprimit gjithnjë e në rritje.
Më lejoni t'ju them në emër të qeverisë, që ne në administratën e lartë, këto raporte, edhe pse janë me fërkim, edhe pse janë problematike, i konsiderojmë nxitëse dhe mbështetëse për zhvillimin e vendit dhe prandaj nuk e humbasim angazhimin për ta përballuar dhe përshpejtuar këtë zhvillim.
Jam këtu për t'ju thënë sot, se këtë gjë nuk e bëjmë dot pa ju. Askush nuk mund ta bëjë në mënyrë të privilegjuar apo të diskriminuar detyrën për integrim. Askush nuk mund ta bëjë në kurriz të tjetrit dhe asnjë qeveri apo mazhorancë, asnjë politikë që nuk përfshin të gjitha kontributet e një shoqërie,-që po maturohet nga pikpamja e funksionimit demokratik si kjo e jona pas gati 15 vjetësh pluralizëm,- nuk mund të arrihet integrimi vetëm me raporte politike. Nuk mund të arrihet integrimi vetëm për politikanët apo qeveritë. Standarti që është akoma më i detyrueshëm për ta, duhet të jetë i pranishëm dhe funksionues edhe në arsimin e lartë, edhe në marrëdhëniet e tregut, madje dhe në denoncimin individual të keqbërësit në kete mjedis shoqeror.
Ky partneritet në shkëmbim dije dhe kulture, shkëmbim eksperience, nuk mund të zhvillohet pa stofin kombëtar që kemi arritur të krijojmë në dekada a shekuj. Ky partneritet nuk mund të funksionojë pa eksperiencën në demokraci, që kemi krijuar në këta 15 vjet, ku duke vërshuar ne në botë e hapëm Shqipërinë që të vërshojë edhe bota me eksperiencat, modelet, institucionet apo legjislacionin e saj tek ne dhe ku pasi është ngritur e gjitha,- legjislacioni, kuadri i institucioneve dhe ekonomia e lirë etj.- për shkak të eksperiencës sot, që nuk është vetëm e klasës politike, ka ardhur koha të lubrifikojmë dhe të riparojmë mekanizmin, që të evitojmë konfliktin mes modeleve, ligjeve apo eksperiencave të vendeve të ndryshme perëndimore që na kanë asistuar.
Por, në themel, ajo që duhet të vazhdojë të zhvillohet e të transformohet është koncepti i zhvillimit, mentaliteti i karrierës së individit në sipërmarrjen e lirë apo në administratën publike, sepse kjo trysni po vjen edhe nga pjesa tjetër e vitalitetit social të shqiptarëve. Pjesa e studentëve dhe pedagogëve që punojnë apo kualifikohen jashtë, po vijnë me pretendime dhe ambicje të larta për konkurim dhe integrim. Ata po rikthehen dhe këtu shfaqet prapë një kërcitje tjetër. Të dy enët komunikuese, ata që kualifikojnë dhe kualifikohen brenda, ata që kualifikojnë dhe kualifikohen jashtë, duket sikur kërkojnë hapësirë kundër njeri- tjetrit. Po marr vetëm shembullin e thjeshtë të një urdhëri ekzekutiv, që unë kam lëshuar para 5 muajsh, për të trajtuar me prioritet diplomantët e arsimuar jashtë vendit në administratën e vendit. Kjo është kuptuar sikur konkurset do të bëhen vetëm për të diplomuarit jashtë dhe prandaj është ngritur zëri i protestës së studentëve brenda, siç është ende i pabesueshëm tamam ky stimul nga studentët jashtë. Kjo situatë u paraqit edhe në Boston në një auditor,-rreth 60 studentë shqiptar janë aktualisht në Universitetin e Bostonit dhe të Harvardit. Nëqoftë se e menaxhojmë me rregulla standarte këtë proces, është e qartë se jo vetëm hierarkia e konkurimit dhe kontributit nuk është konfliktuale, por edhe se hapësira për t'u integruar edhe diplomantët vendas edhe ata që diplomohen jashtë, në të gjitha aspektet e jetës publike dhe joqeveritare, është e sigurtë.
Megjithate duke rrimare tezen e integrimit shtroj pyetjen:A mund të arrihet zhvillimi ndryshe pa u bërë anëtarë në BE-së?
Si ushtrohet sovraniteti sot, vetëm apo duke e ndarë me fqinjët apo me vende, me komunitete mbinacionale në organizata shumëpalëshe ku integrohesh?
Nëse anëtarësim në BE do të thotë cënim i një pjese të sovranitetit apo jo?
Standarti i një tregu më të madh, i një bashkësie më të madhe sesa një vend, do të thotë që dhe pagat e pedagogëve të Universitetit të Elbasanit, kur Shqipëria të integrohet në BE, të jenë në nivelin e Universiteteve të ketij tregu, si politikë dhe si burime të formimit të të ardhurave për to?
-Ka përvoja të ndryshme që sjellin mendime të ndryshme për këtë debat. Ka vende,- ku ka edhe shqiptarë, ku lëvizin edhe shqiptarë që nuk janë partizanë të integrimit,- si Zvicra apo Norvegjia, që janë asnjanëse, ku edhe referendumet më të fundit kanë dhënë përgjigje negative për anëtarësim në BE.
Kjo na çon në arsyetimin që integrimi nuk është qëllim në vetvete, por është një instrument dhe rrugë për zhvillim. Nëqoftëse arrihen standartet e botës fqinje të zhvilluar, atëherë mund të komunikojmë natyrshëm si enë komunikuese me të, lëngjet lëvizin në të njëjtin nivel.
Me këtë dua të them se debati për zhvillim i lidhur me integrimin synon zhvillimin dhe për këtë shkak integrimin. Nuk mund të pretendojmë që të na bëjnë anëtarë që të zhvillohemi. Duhet të zhvillohemi, që të anëtarësohemi.
Ky debat është më i gjerë sesa takimet e mbyllura, më i gjerë sesa mjediset urbane apo rurale të shoqërisë. Ky debat është global dhe për shkak se është global fërkohet edhe me antiglobalizmin sot. Antiglobalizmi është një rezistencë për integrim. Antiglobalizmi ka filluar të shfaqet edhe në mjediset tona. Ende nuk është puritar apo naiv, sepse është një nga segmentet e konfliktet e interesave apo lobingjeve të interesave, që po cënon hapjen dhe integrimin.
Ka një debat të madh nëse hapja e Shqipërisë për kapitalin e madh të huaj do të bëhet në kurriz të kapitalit vendas, që po zmadhohet dhe po rritet dhe ky presion vjen tek politika, apo te qeveria . Ky presion është një e vërtetë që nuk e fsheh dot. Hyn edhe në Parlament duke bëre lobingje deputetësh. Jo rrallë ndodh që edhe ligjet e bëra me eksperiencën më të mirë të ndërkombëtareve dhe faktorëve joqeveritarë gjithashtu, ndryshohen në seancën plenare, kur lobohen interesa edhe në Parlament.
Nga ky debat dhe nevoja për të krijuar një sens për zhvillimin, si premisë e integrimit, është e barabartë edhe për studentët edhe për politikanët, edhe pedagogët, edhe për menaxherët e shtetit. E gjithë bota kështu është zhvilluar, e gjithë bota në këtë debat ndodhet ende, sepse ka eurofil ka edhe euroskeptik, siç ka globalistë dhe antiglobalistë, ka edhe njerëz që nuk e çajnë kokën fare për këtë debat, ka indiferent që nuk votojnë gjithashtu. Do të ishte në dobinë e ritmeve të qëndrueshme të zhvillimit tonë për integrim, që ky debat të kishte sa më pak indiferentë, sepse kur ka pak indiferentë hapësira për sharlatanë që spekullojnë me vullnetin politik apo shoqëror të shumicës ngushtohet dhe bëhet i padëmshem.
Ka një diskutim për kostot dhe përfitimet e integrimit që në intervistat që bëhen ne media elektronike, që është zhvilluar në mënyrë dinamike vitet e fundit në Shqipëri, shfaqet tek një reaksion popullor i njerëzve të ndryshëm. Kategoritë e ndryshme shoqërore që kapen papritmas në rrugë, kur pyeten: "Si thoni do anëtarësohet Shqipëria në BE",- shpesh vjen përgjigjia : "Ne jemi gati, por duhet të vini pak dorën në zemër". Siç ndodh edhe e kundërta që nga pozita nacionaliste negative thuhet: "I kanë marrë të gjitha paratë për vete dhe s'hedhin gjë këtej për të ndërtuar rrugët bie fjala". Është fakt publik i qëndrueshëm i vërtetuar edhe nga sondazhet e euro-barometrit që vokacioni, aspirata dhe vota e shqiptarëve për tu anëtarësuar në BE apo në NATO është gati 100 përqind.
Unë vazhdoj pyetjen: A është koshienca për kostot e këtij integrimi kaq e lartë?
Në kohën që ne arsyetuam dhe me një konsensus të plotë edhe politik parlamentar u rreshtuam gjithashtu në koalicionin global te luftës kundër terrorizmit dhe nisi si debat ndërkombëtar, - sepse jo të gjitha vendet e Europës u bënë anëtarë të koalicionit që çliroi Irakun nga terrorizmi shtetëror.
Pjesëmarrja jonë në koalicionin e luftës kundër terrorit shënoi hyrjen tonë në një luftë ndërkombëtare dhe, meqë e preka këtë temë më lejoni të them publikisht që ushtaret tane janë të shkëlqyer, të vlerësuar, edhe nga Komanda amerikane me të cilën punojnë edhe nga irakenët për të cilët prodhojnë siguri dhe mirëkuptim.
Por shpesh nuk e kuptojmë se çfarë kosto ka integrimi apo partneriteti me të huajt apo përfshirja në një iniciativë shumëpalëshe rajonale apo globale. Pra, shpesh shfaqet nevoja për informacionin e kostove per te gjitha ceshtjet qe nga pjesmarrja ne koalicionin e vullnetit ne Irak deri te ceshtja e rendesishme e integrimit.
Ne duhet të arrijmë sëbashku që në reagimin e subjektit shqiptar, qoftë ky politikan apo pedagog, drejtues tenderash apo pronar i një ndërrmarrjeje private, të bëjmë që emocionet e integrimit që vijnë nga përfitimet apo kostot të dominohen, të sundohen nga informacioni i integrimit. Përndryshe do të sillen edhe tregtarët apo bankierët tanë si ata që duan të kalojnë kufirin për në vende perëndimore jashtë rregullave, pa dokumente apo instrumente, që kemi arritur deri tani të krijojmë sëbashku me vendet fqinje për të mbështetur lëvizjen e lirë.
Është e qartë që në një të ardhme afat-mesme Shqipëria do të ketë në raportin kosto-përfitim relativisht më shumë përfitime sesa kosto në procesin e integrimit, i cili ka si proces shumë stacione. Ne tani po negociojmë një stad të ri marrëdhëniesh kontraktore me BE-në, që është ai i Asociimit. Që nga '92 e deri më sot jemi në marrëdhëniet e thjeshta tregtare, ku na jepet edhe sistemi i preferencave të përgjithshme tregtare dhe kuota tregjesh për tregtinë. Tani përafrohemi në parametrat e zhdukjes së kufijve doganorë deri në anëtarësimin në një treg të përbashkët pas Asociimit.
Brenda BE-së sot ekzistojnë zona me sipërfaqe e popullsi edhe më të mëdha se Shqipëria, që pavarësisht se bëjnë pjesë në BE janë relativisht më të prapambetura sesa pjesa e Evropës themeluese të BE-së, psh. jugu i Italisë në krahasim me veriun etj. Kjo do të thotë që në stadet e njëpasnjëshme të integrimit jo gjithnjë raporti kosto- përfitime është në favor të zhvillimit, sepse shumë refoma dhe fonde komunitare nga të cilat presim të përfitojmë dhe ne, që në vitin e ardhshëm,- sepse vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë kaluan në strukturën e zgjerimit duke fituar akses në disa programe dhe intrumente që u përdorën për 10 vendet që u anëtarësuan në BE në maj të këtij viti,- mundet që në periudhën afat-mesme dy-tre vjeçare të jenë të mundshme për t'u përdorur, (ato nuk janë grante duhen thithur me projekte, rreth 100 milion dollarë për të 3-4 vendet e Ballkanit Perëndimor, pra pa Kroacinë).
Shqipëria, ky vend me 3 milion banorë,- sepse 4 milion të tjerë janë në rajon, 6 milionë të tjerë jo vetëm shqiptarë Shqipërie janë integruar në Turqi dhe më në fund 3-4 milionë të tjerë në këta vite të hapjes janë zhvendosur që nga Greqia deri në SHBA, ku emigracioni i ri e ka kapërcyer të vjetrin dhe ku janë rreth 700 mijë shqiptarë, sot, të rinj dhe të vjetër apo 700 mijë në Greqi, 300 mijë në Itali e me radhë. Pra, Shqipëria jonë me 3 milion shtetas me një produkt të brendëshëm bruto për frymë 1930 dollarë, me një peshë të lartë të bujqësisë ende në produktin e brendëshëm me afro 1/3, duke u mbështetur në perspektiva realiste të vazhdimit të rritjes ekonomike edhe për 10-15 vitet e ardhshme me ritme 6-7% siç ka ndodhur në 5-6 vitet e fundit, nuk mund të arrijë më shumë sesa niveli i prodhimit dhe të ardhurave për frymë që ka Kroacia sot apo ish- vendet e Lindjes Europiane në tërësi.
Me strategjinë e zhvillimit ekonomik e shoqëror me të cilin punojmë, që kalkulon kontributet e të gjithë aktorëve, jo vetëm shtetërorë, ekonomia jonë gati 75% rritet sot për shkak të sipërmarrjes private dhe jo publike. Ne mund të arrijmë në 2014 treguesin e 6300-6400 dollarë GDP për frymë nga afro 2000 që kemi sot, pra gati trefishin.
Ky është aspekti i raportit kosto-përfitime në zhvillimin ekonomik. Ka një numër kriteresh të tjera të pazëvendësueshme që duhen arritur si standarte për t'u anëtarësuar në BE. Janë kriteret e Kopenhagenit të qershorit '93, që kryesisht janë tre:
Çdo vend që aspiron dhe testohet për t'u anëtarësuar në BE duhet të përmbushë parametrat e shtetit demokratik të së drejtës dhe duhet të garantojë në mënyrë të veçantë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve;
Duhet të ketë një ekonomi funksionale tregu që i përshtatet dhe prandaj mund të përballet me konkurencën e lirë të tregut të madh europian dhe natyrisht duhet të jetë gati të cedojë sovranitet.
Grupi i tretë i rëndësishëm i kritereve të Kopenhagenit, pra të pranojë dhe natyrisht të zbatojë legjislacionin europian në vendin e vet. Pra të arrijë në të gjitha këto që t'u japë institucioneve komunitare që përcaktojnë dhe rregullat e konkurencës, sanksionet kur shkelet konkurenca.
Debati i sotëm nese ka monopole apo kemi konkurencë në treg, pas anëtarësimit, do të zhvillohet nga komisioni i konkurencës së Brukselit dhe jo nga institucioni perkates ketu. Pra do t'i jepet epërsi institucioneve komunitare ndaj institucioneve nacionale.
Këto kritere, këto programe kanë hyrë në një road map, pra trajektorja e programuar e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ky road map është përkthyer në dhjetra axhenda dhe programe pune për qeverinë, për institucionet jo qeveritare, dmth për institucionet e tjera shtetërore. Pra përveç qeverisë, për Kuvendin, gjyqësorin, policinë, administratën fiskale, për sektorët e ndryshëm të administratës publike.
Niveli i Produktit të Përgjithshëm për Frymë mbetet i rëndësishëm, por nuk është eksluziv si parametër i integrimit. Për pasojë nuk është prohibitiv edhe kur është i ulët, sepse nëse arrihet në treguesit e shtetit të së drejtës dhe në funksionimin e institucioneve të ekonomisë së tregut- (nuk e mora kot shembullin konkurencë-monopol)- sepse ka institucione që duhet të funksionojnë që tregu të mos monopolizohet, të jetë i hapur, atëherë edhe me një tregues më të ulët të prodhimit të përgjithshëm për frymë mund të anëtarësohesh në BE.
Për të gjitha këto ne po negociojmë. Ne po negociojmë edhe në emrin tuaj. Ne nuk duam të negociojmë për llogari tonë, por duam të negociojmë edhe për llogarinë tuaj. Sepse çdo klauzolë apo artikull i marrëveshjes që ne negociojmë dhe nënshkruajmë afekton jetën e të gjithëve. Kalkulimi i kostove duhet ndarë me të gjithë aktorët dhe faktorët shoqërorë, ekonomikë, qeveritarë e jo qeveritarë që përfshijnë integrimin.
Integrimi nuk është vetëm një dialog me Brukselin por Është gjithashtu një dialog rajonal dhe mbi të gjithë është një dialog kombëtar, brenda vendit ne kete funksion.
Çfarë po ndodh në rajon?
Janë 8 marrëveshje të tregtisë së lirë që po zbatohen mes Shqipërisë dhe vendeve të Europës Juglindore. Deri më 2008 do të ketë përfunduar së zbatuari një Memorandum Ndërqeveritar për të krijuar komunitetin e energjisë në vendet e Europës Juglindore ose tregun e njësuar të energjisë në këtë zonë. Praktikisht në rajon po krijohen struktura dhe institucione, po bien barrierat e kufijtë për një treg unik dhe përvojën europiane. Po krijohen jo vetëm institucione demokratike të standartit të BE në vendet e rajonit, por po krijohen edhe realitetet e tregut dhe të menaxhimit të tregut që ka Europa. Kështu lindi dhe Beneluxi, bërthama e BE-së së sotme në vitet ‘50 apo ‘60.
Pra, ne fillojmë të konkurojmë me Brukselin që në kufijtë tanë në Ballkan. Gazetarët pyesin përse duhet të importojmë barin nga Maqedonia? Kjo gjë ndodhi pasi filloi të zbatohej Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, që uli në zero për një nomenklaturë të gjerë artikujsh taksat doganore Shqipëri-Maqedoni. D.m.th. duhet të kuptojmë njëlloj hapësirat e tregut më të madh, t'í kuptojmë njëlloj siç kuptoi banka Reiffeissen, që vendosi të blejë bankën tonë më të madhe, atë të Kursimeve. Banka Reiffeissen e bleu Bankën tonë të Kursimeve me një çmim tre herë sa vlera e inventarit, sepse mbylli ciklin e prezencës së agjencive të saj në të gjithë rajonin, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje, Bullgari etj.
Banka Reiffeissen bëri një vlerësim të tregut që i kapërcen kufijtë e Shqipërisë. Këtë po bëjnë dhe shumë kompani të tjera globale, që po negociojnë apo po zbatojnë investime të mëdha në Shqipëri, si një pjesë e rëndësishme e një tregu më të madh, që është jo 3 milion por gati 50 milion banorë, Europa Juglindore.
Atëherë pse blejmë barin nga Maqedonia? Sepse po shesim fuqinë punëtore në Greqi. Fuqi punëtore që ikën nga kultivimi i barit nga tokat tona, pra një treg i përbashkët është për të gjitha produktet dhe resurset, që lëvizin sipas stimujve që krijon tregu i lirë dhe i hapur. Natyrisht këtu ka pak spontanitet.
Jemi në fillim dhe është viti i dytë i zbatimit të Marrëveshjes së Tregtisë me Maqedoninë apo me disa vende të tjera, ku industria jonë e ekonomisë ka nisur të azhornojë pozicionet, kuotat apo zërat në nomenklaturën e mallrave, që nuk tatohen apo kufizohen, sepse një politikë e shëndetëshme e përdorimit të resurseve, (edhe në qoftë se ekspertët dhe profesionistët që ofrojnë krahë pune nga Shqipëria lëvizin për një treg më të madh, duke shfrytëzuar avantazhet kooperative në vendet fqinjë), kjo s'do të thotë të mos kultivohen tokat në Shqipëri, në mos për bar për gjëra të tjera. Por sidoqoftë ky është një objektiv që do të plotësohet me të gjithë axhendën e integrimit. Nëse Brukseli është qendra edhe e politikave të përbashkëta komunitare bujqësore, atëherë edhe Shqipëria do të përfshihet në to duke racionalizuar menaxhimin dhe alokimin e resurseve natyrore që ka në këtë proces.
Më në fund janë rreth 100 mijë faqe legjislacion që duhet prodhuar, përshtatur dhe bërë pronë e të gjithë aktorëve për t'u anëtarësuar në BE. Një pjesë e madhe e këtij legjislacioni është krijuar dhe pikërisht pse pjesa më e madhe është krijuar tani, kërkesa, ekzigjenca, kritika nga Komisioni Europian është: Mësoni ta zbatoni dhe të jepni kapacitet reale të funksionimit të ligjit të ri europian që keni krijuar dhe miratuar.
Ky është një proces interesant partneriteti dhe dialogu politik. Ka ndodhur një zhvillim i madh në perceptimin dhe vlerësimin e Shqipërisë, të shqiptarëve dhe kontributeve e parametrave të tyre në të gjitha vendet e BE-së. Ky progres po shfaqet edhe në dialogun politik. P.sh është kostant vlerësimi politik nga institucionet e asaj që po kristalizohet si politikë e përbashkët e jashtme e BE-së për rolin moderator dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon, sepse kjo është një çështje shumë delikate për vetë faktin se Shqipëria është i vetmi vend që rrethohet nga shiptarë jashtë kufijve, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, tanimë edhe në Greqi.
Në qoftë se politika zyrtare e Tiranës zyrtare do të ishte konfliktuale, posesive apo paternaliste, Ballkani nuk do të kishte këtë stabilitet dhe ritëm zhvillimi drejt kthimit në një zonë europiane, drejt anëtarësimit në BE. Natyrisht këtë gjë pa shumë konflikte e ka realizuar një grup i caktuar që zbaton me vullnet te plote progresist skemat e integrimit.
Megjithate nese do te ishte ndryshe mund të luhej kollaj me defiçitin e autoritetit brenda, me temat e rikthimit në të drejtën historike të komuniteteve shqiptare që jetojnë jashtë kufijve sic mund ta beje ndonje vend ne rajonin tone. E bëjnë serbët këtë sot. Serbia që ka një paqëndrueshmëri dhe fragmentim të lartë politik, që ka një indiferentizëm në rritje të popullsisë së re drejt zgjedhjeve dhe prandaj tregues kritikisht të lartë të radikalëve, nostaligjikëve dhe të ish-Millosheviçianëve në rezultatet zgjedhore dhe në kontrollin e institucioneve që janë ngritur. Në vend që të dominohet, pra Beogradi zyrtar, politika zyrtare e Beogradit nga temat që dominojnë të gjitha kryeqytetet e tjera të Ballkanit, temat e reformave, temat e integrimit, temat e luftës kundër kriminalitetit, informalitetit, trafiqeve etj, temat e bashkëpunimit dominohen nga temat e nacionalizmit.
Pra meqenëse shumica dërrmuese e protagonistëve politikë të Beogradit zyrtar kanë defiçit në autoritetin brenda merren me Kosovën, merren me riorganizimin e hartës së Ballkanit në favor të Serbisë. Nuk mund të arrihet të përshpejtohet ritmi i zhvillimit dhe integrimit për Ballkanin në qoftë se ngelen vatra të tilla, që e kanë spirancën mbrapa dhe nuk e kanë spirancën në Bruksel, por e kanë në periudhat historike.
Nga kjo pikëpamje dialogu politik i Shqipërisë me Europën e Bashkuar dhe me vendet lider të komunitetit ndërkombëtar është shumë proaktiv, pikërisht sepse ne kemi ditur jo vetëm të mbajmë Shqipërinë në hullinë e duhur, jo vetëm të nxisim shqiptarët të jenë konkurentë për reforma integrimi në vendet fqinje ku jetojnë, por edhe sepse jemi bërë partnerë të besueshëm në identifikimin e vizionit dhe objektivit të zhvillimit të pjesëve të tjera të Ballkanit. Nuk ka terminal tjetër për Kosovën përveç Brukselit, nuk ka terminal tjetër për Serbinë dhe Malin e Zi përveç Brukselit. Nuk ka zgjidhje pa Brukselin, pa integrimin ndaj paradoksit të sotëm që në Ballkan ka 5 shtete dhe 7 kryeqytete, sepse edhe Prishtina dhe Podgorica kanë Parlamente të votuara drejpërdrejtë dhe të zgjedhura demokratikisht.
Nuk mund të mbeten këto Parlamente pa kompetencat e ushtrimit të sovranitetit, të cilat nesër do t'i ndajnë me Brukselin. Dhe ky është aspekti më i qëndrueshëm i dialogut politik të Tiranës me Brukselin dhe me kryeqytetet me vendet e tjera anëtare.
Ne kemi përfshirë në dialogun partnerial me Brukselin çështjen se nuk mund të ketë dy vullnete politike të Shqipërisë për integrim; atë të moderacionit dhe të nxitjes së transformimeve në rajon dhe atë të mungesës së vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin brenda.
Shqipëria nuk mund të zhvillohet me dy standarte. Shqipëria nuk mund të vlerësohet me dy standarte. Natyrisht të ushtrosh një ndikim pozitiv politik në vende të tjera, është detyrë relativisht më e lehtë, sesa të luftosh krimin, informalitetin, korrupsionin brenda vendit tënd, sepse konsolidimi i gjyqësorit apo i sistemit të drejtësisë së organizuar që lufton krimin e organizuar natyrisht është një transformim shumë më i thellë sesa hapja e kufijve apo bashkëjetesa në kufij më të hapur, në hapësira më të gjëra midis fqinjësh që dikur kishte konflikte historike.
Prandaj duket se, megjithëse këtë mjedis dhe problematik, që besoj nuk e ndava rastësisht me ju sot, arrijmë bashkarisht në të njëjtin sens që interesat e vendit në integrim nuk mund të mbrohen vetëm nga një qeveri apo vetëm nga qeveria. Interesat dhe burimet e vendit për zhvillim, për integrim nuk mund të gjenerohen vetëm nga politika dhe nuk mund të negociohen vetëm prej saj.
Unë do t'ju ftoja të gjithëve,- për shkak të stabilitetit në zhvillim që keni arritur si institucion akademik i arsimit të lartë,- të forconi bashkëpunimin me qendrat dhe protagonistët e tjerë të zhvillimit, sepse ne jemi të gatshëm të konsolidojmë partneritetin me ju, që kontributet tuaja për integrim të sjellin në të njëtën kohë standartet e BE-së si në Elbasan dhe në Tiranë".