E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Kinë, Kryeministri Fatos Nano është pritur sot në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin nga Kryeministri Wen Jiabao. Para fillimit të takimit, për nd

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Kinë, Kryeministri Fatos Nano është pritur sot në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin nga Kryeministri Wen Jiabao. Para fillimit të takimit, për nder të Kryeministrit shqiptar dhe delegacionit që e shoqëron në sheshin para Sallës së Madhe të Popullit është zhvilluar ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, ku dy Kryeministrat, nën himnet respektive kombëtare dhe të 19-të të shtëna topi, kanë parakaluar para truprojës së nderit.

Kryeministri Jiabao tha se vizita e Kryeministrit shqiptar përbën një ngjarje të veçantë jo vetëm se ajo kryhet në përvjetorin e 55 të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por ajo është dhe vizita e parë e një Kryeministri shqiptar pas 36 vjetësh në Kinë.

Më pas, dy Kryeministrat kanë vazhduar bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve. Dy autoritetet vlerësuan ecurinë e zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe konfirmuan vullnetin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit me interes reciprok në të gjitha fushat. Ata theksuan se miqësia tradicionale shqiptaro-kineze përbën një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Kryeministri Jiabao përshëndeti politikën e fqinjësisë së mirë, të stabilitetit dhe progresit të rajonit të Europës Juglindore, si dhe inisiativat nxitëse të bashkëpunimin rajonal, që ndjek shteti shqiptar.

Kryeministri shqiptar vlerësoi rolin e rëndësishëm që luan Kina në çështjet ndërkombëtare, duke çmuar ndihmesën aktive të saj për nxitjen e paqes stabilitetit të rajonit dhe përmes organizatave ndërkombëtare globale e të specializuara. Dy palët u shprehën të vendosura që të forcojnë bashkëpunimin në kuadër të OKB-së dhe të intensifikojnë kontaktet për problemet me interes të përbashkët. Kryeministri Nano i rikonfirmoi homologut kinez se ka vetëm një Kinë dhe Republika Popullore e Kinës është përfaqësuese legjitime e saj. Vizioni ynë politik është drejt bashkimit dhe integrimit, u shpreh z.Nano.

Dy homologët ndanë të njëjtin mendim për thellimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit shqiptaro-kinez në të gjitha fushat, në përputhje me interesat e përbashkëta të të dy vendeve, forcimin e dialogut në të gjitha nivelet, si dhe zgjerimin e kontakteve dhe bashkëpunimit mes qeverive, parlamenteve dhe institucioneve respektive.

Duke u ndalur në bashkëpunimin e ndërsjellë ekonomiko-tregtar, ata nënvizuan se kjo është një nga fushat kryesoret të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri Nano vlerësoi ndihmën e dhënë nga qeveria e Pekinit për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.Stadi aktual i marrëdhënieve shumë të mira politike, sipas dy Kryeministrave, duhet të shoqërohet me rritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës për vitin 2003 kapën shifrën e 30 milion dollarëve, duke shënuar shifrën më të lartë për gjithë 10 vjeçarin e fundit dhe një rritje prej më shumë se 30% krahasuar me një vit më parë.

Në këtë funksion, z.Nano i bëri homologut të tij kinez një prezantim të ecurisë së procesit të reformave ekonomike në Shqipëri. Ky proces, theksoi z.Nano, po jep frytet e veta dhe këtë e tregon si prezenca e shumë kompanive prestigjoze ndërkombëtare, ashtu dhe fuqizimi i sektorit privat, i cili përballon 62% të punësimit dhe 75% të prodhimit të GDP. Qeveria shqiptare, shtoi më tej z.Nano, ka adoptuar dhe po zhvillon politika inkurajuese për investimet e huaja direkte ndaj dhe kemi patur një seri privatizimesh të suksesshme. Duke vlerësuar gjithashtu politikat nxitëse që ndjek qeveria kineze për investimet e saj jashtë vendit, Kryeministri Nano ftoi biznesin kinez për të qenë më shumë prezent në Shqipëri në fushën e privatizimit të objekteve strategjike dhe garantoi mbështetjen e autoriteteve shqiptare për të.

Dy delegacionet ranë dakord të forcojnë rolin e dikastereve përkatëse, të Komisionit miks ekonomiko-tregtar shqiptaro-kinez, rigjallërimit të rolit të Dhomave së Tregtisë dhe, në këtë kuadër, të inkurajojnë dhe mbështesin sipërmarrjet e të dy vendeve për zgjerimin e kontakteve, hapjen e mëtejshme të tregjeve, zhvillimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, tregtare dhe të teknologjisë së lartë, organizimin e panaireve të përbashkëta etj. Kryeministi Nano u shpreh se Shqipëria trashëgon në mjaft komponentë teknologji kineze, e cila ka ardhur koha që të ripërtërihet e modenizohet, ndaj mirëpresim kontributin kinez drejt përmirësimit të saj.

Po ashtu bisedimet përfshinë rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin energjitik dhe hidrokarbureve për rehabilitimin e vendburimeve ekzistuese dhe ngritjes së infrastrukturës së import-eksportit të naftës dhe nënprodukteve të saj, të industrisë së bakrit dhe metalurgjisë së zezë, të bujqësisë, promovimit të turizmit, zgjerimin e shkëmbimeve në fushën e ushtrisë, kulturës, arsimit, sportit, si dhe në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të bashkëpunimit që janë nënshkruar mes dy vendeve në këto fusha.

Gjithashtu sfida me të cilën po përballet sot bota, terrorizmi ndërkombëtar, ishte një tjetër çështje e trajtuar në axhendën e bisedimeve dypalëshe. Dy Kryeministrat ndanë të njëjtin mendim se terrorizmi përbën një rrezik serioz për paqen dhe zhvillimin në botën e sotme. Ata shprehën vullnetin e përbashkët politik që të rrisin bashkëpunimin edhe për goditjen e terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Pas bisedimeve zyrtare, Kryeministri Fatos Nano dhe Kryeministri Jiabao, si dhe ministrat e fushave përkatëse nënshkruan 3 marrëveshje të rëndësishme dhe 2 Protokolle bashkëpunimi me interes reciprok në fushën ekonomike, të arsimit dhe kulturës.

Midis palës shqiptare dhe asaj kineze u nënshkruan këto marrëveshje:

1.Marrëveshja për Heqjen e Taksimit të Dyfishtë;
2.Marrëveshja për Arsimin;
3.Marrëveshja për Sportet;
4.Protokolli i Bashkëpunimit mes Dhomave të Tregtisë së dy vendeve;
5.Protokolli i Bashkëpunimit mes Radio-Televizioneve.

Po ashtu u nënshkrua një grant 1.5 milion dollarë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›