“Ne e duam vendin tonë, ndaj premtojmë më shumë punë, investime e mirëqenie”

Ministri Imami në Gramsh takon 200 të rinj të anëtarësuar në Partinë Demokratike
Takimet me të rinjtë Arben Imami shikon se një element të fitores së zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit. Ai dje ishte në Gramsh ku i urojë mirëseardhjen 200 të rinjve të anëtarësuar së fundmi në këtë qytet. Kryetari i Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit përballë të rinjve të Gramshit u shpreh se, “Shqipëria ka ndryshuar, sepse kur na tregonin më të vjetërit se si kishte qenë më parë, na dukej e çuditshme, por Gramshi ka ndryshuar sepse rinia e sotme e Gramshit nuk është ajo e para 20 viteve. Në vitin 1991 vijoi ai, kam qenë në Gramsh për herë të parë dhe ka qenë një qytet i terrorit, i heshtjes, i fjalës së mohuar, një qytet i lëvizjes së mohuar, qytet që prodhonte armë për diktaturën ndërkohë që sot janë shtruar rrugë dhe janë hapur shkolla. Armët shkatërrohen nuk ndërtohen. Kjo është Shqipëria që ka ndryshuar që së bashku do ta çojmë përpara këtë ndryshim”. Imami ndër të tjera u ndal dhe te puna e bërë në këto 8 vite qeverisje ku u shpreh se, “Ne kemi punuar shumë këto 8 vite, kemi punuar për një vend më të mirë, për më shumë shkolla, më shumë punë, më shumë prodhim e më shumë investime të huaja. Nuk do të ishte e mundur që Shqipëria një vend i vogël si ky i yni, për më tepër në mes të krizës globale, e rrethuar nga vende fqinje që janë në pozita vërtetë shumë të vështira, Shqipëria ecën, zhvillohet, ka investime të huaja dhe do të ketë më shumë punë. Një nga investimet tona më të mëdha për 4 vjeçarin e ardhshëm theksoi ai, do të jetë HEC-i i Devollit. Puna dhe rruga që do të bëhet këtu do t’ia ndryshojë akoma më shumë pamjen këtij qyteti”. “Partia Demokratike është partia juaj, ju drejtua të rinjve Imami sepse PD-në e themeluan djem dhe vajza të moshës tuaj, e themeloi rinia, ajo studentore dhe e dijes, rinia që kërkonte më shumë hapësirë dhe më shumë liri si Azem Hajdari, Arben Broci e shumë të tjerë. Vendimi që keni marrë për t’iu bashkuar kësaj partie, në forumet e saj, është një vendim i rëndësishëm për ju, por edhe për të gjithë ne. Sepse jeni ju, mosha juaj që do vendosë në zgjedhjet e ardhshme dhe ju do ta vendosni partinë demokratike të qeverisë edhe 4 vitet e ardhshme. Ne e duam vendin tonë, ndaj premtojmë më shumë punë, investime, mirëqenie, më shumë shkolla, rrugë e qendra shëndetësore. Ju e dini shumë mirë se kush e nxori këtë vend nga diktatura ashtu siç dini edhe se kush e futi këtë vend në Këshillin e Europës, kush e futi në NATO e kush e bëri të mundur liberalizimin e vizave. Ju e keni parë shumë mirë se si e përgatiti Partia Demokratike vendin për të marrë statusin e vendit kandidatë në BE, ashtu siç dini edhe se kush e pengon Partinë Demokratike, qeverinë dhe qytetarin shqiptar që të bëhet një anëtar i Bashkimit Europian, kjo pra është partia socialiste, është Edi Rama. Më tej Imami u ndal në projektet që do të jenë të realizueshme në 4-vjeçarin e ardhshëm. Ne kemi një model i cili është i provuar për vendin sepse ka ndryshuar rrënjësish dhe ne do ta përfundojmë plotësisht punën e nisur, tha ai. Në qoftë se rruga vajti deri në Kodovjat, do të shkoj patjetër edhe deri në Kukës, në qoftë se ka vajtur në Gjinar, do të shkoj edhe në Zavalin, e kështu me radhë. Në fund të fjalës së tij, ministrit Imami nënvizoi se në këto 4 vite ne do të përfundojmë infrastrukturën e një vendi modern, të zhvilluar nga veriu në jug, nga juglindja në perëndim, me rrugë, shkolla, qendra shëndetësore dhe padyshim që do t’i japim një impuls të madh zhvillimit ekonomik të këtij vendi. E ardhmja është më e mirë. Këto janë premtime realiste, është një vizion i qarte, një model i provuar që prodhon stabilitet ekonomik dhe politik. Këto janë ato për të cilat ju më së pari keni nevojë, në mënyrë që të sigurojmë më shumë punë dhe paga më të mira për ju. Dëshiroj t’iu them se ju keni një peshë të veçantë, përfundoi Imami pasi rinia e mbështet Partinë Demokratike gati 20 për qind më shumë se sa Partinë Socialiste dhe kjo është një diferencë e madhe në këto zgjedhje. Kjo është e lidhur me faktin se ju perceptoni qartë dhe më mirë se kush punon në interes apo jo të qytetarëve”, përfundoi ai.