This is a Spektakël of Doktori
Vetëm ta përfytyroj nga ka ardhur Shkumbini, ç’ka hequr, sa ka vuajtur, në ç’lugina ka rrjedhur, mes cilëve male ka kaluar deri këtu afër derdhjes, është një emocion aq rrënqethës, një spektakël aq i rrallë, sa ka gjysëm ore që po rri e mendohem dhe s’guxoj ta kaloj Shkumbinin mbi urën e Rrogozhinës.
Me një lumë shqiptar mund të takohesh e të ndahesh vetëm në mënyrë spektakolare. Duke e kaluar me not ose më këmbë. Me aeroplan që zgjat vetëm pak çaste. Duke udhëtuar me makinë paralel me ‘të duke kqyrur majtas e djathtas. Tërthor me makinë mbi urë brenda një minute.
Ja e kalova Shkumbinin me makinë mbi urë.
Aty dynden një mijë dilema.
Mund t’ja mbaj më të majtë nëpër fshatrat rrëzë kodrave në jug të Shkumbinit. Ku do takoj fshatarë që punojnë tokën, shesin, blejnë, negociojnë, ndërtojnë shtëpinë apo bëjnë punë të tjera. Mund të më shkrepi të shtrihem në ndonjë korie të blertë. Mund të futem në muhabet me ndonjë intelektual lokal me të cilin të flas mbar’ e prap’ për të gjitha çështjet e nxehta e të ftohta të Shqipërisë dhe planetit. Mundem gjithashtu të futem në ndonjërën nga rrugët e shumta rurale që të nxjerrin kahmos; Peqin, Elbasan, Cërrik, Belsh, Lushnje, Kuçovë. Mund të ha një byrek të nxehtë me domate e spinaq shoqëruar me dhallë Myzeqeje tek "dallandyshja e parë e kapitalizmit në qarkun e Lushnjës" Pilo Lala.
Ta zemë i bëra të gjitha këto gjëra spektakolare. Pra kalova nëpër ment mrekullitë që mund të shihja duke j’a mbathur nga e majta, mbusha barkun me një byrek fantastik, dhe jam gati t’ja ther për në jug, drejt Lushnjes, Beratit, Skraparit, Fierit, Vlorës, Sarandës. S’është kaq e thjeshtë. Përpara kam përsëri aq shumë dilema njëra më spektakolare se tjetra sa koka nis e më vjen vërdallë. Të iki drejt për 10 minuta në Lushnje, apo të kthehem më të djathtë nga mrekullitë e Divjakës dhe Karavastasë, është kryesorja. Pa zgjidhur ende këtë dilemë vij në vete për kryesoren; Prej këtu s’bëj dot asnjë hap në asnjë drejtim po s’takova demokratin më të zjarrtë të Myzeqesë Roçi Xhepën i cili kur të marri vesh se kam lakuar pa e takuar do më marri erzin do më bëjë rrezil. Epo mirë, ja po e marr në telefon Roçin. Roçi, në fakt, s’është as 100 metra prej këu. Por ai ashtu e ka një huq. Me merr në telefon para se të vish, më ka thënë demokrati i orëve të para, se s’i dihet ku mund të jem. Dhe vërtet ashtu doli. Roçi ka vajtur në tregun më të madh dhe më të larmishëm të produkteve bujqësore në krejt Ballkanin, në tregun e Divjakës për të shitur lakrat. Natyrisht që s’ma ka ngenë. Se s’do ment që lakrat për Roçin janë më të rëndësishme se çdo vizitor. I vidhem Roçit duke ia mbathur nga Lushnja; Kodra me ullinj nga e majta, fusha të mbjella, biznese të ndryshme, shtëpi dhe vila të reja të panumurta, pamje më spektakolara s’ka si bëhet.
Në Lushnje nuk futem për arsye kardiake. Nga qyteti me njërën nga Degët e Brendshme më të llahtarshme, dhe me problematikat më tragjike me të internuarit e shumtë në fshatrat rretheqark, Lushnja e sotme me qindra biznese, me pes’ a gjasht’ banka dhe Cash Point-a, është një spektakël aq emocionues sa mund të ma ndali zemrën.
Drejt Fierit.
Kalimi mespërmes Myzeqesë është një spektakël aq i fuqishëm e i madhërishëm sa mund të krahasohet vetëm me të dëgjuarit e muzikës serioze, e cila muzikë, siç dihet, sa më shpesh ta dëgjosh, aq më thellë i futesh, aq më tepër të pëlqen.
Në të dalë të Lushnjes spektakël rrënqethës teknologjik. Aty tregtohen vegla dhe makineri bujqësore nga e gjithë bota; Italia, Gjermania, Kina, Japonia, Amerika.
Te Pushimi i Shoferit spektakël gastronomik. Nja dhjetë a më tepër myzeqarë po zhdëpen me mish e pilaf e raki e meze, të gjitha Bio, të gjithë janë të lumtur.
Urë e lartë betoni mbi autostradë. Pa rrugë në të dy anët, dhe pa lumë, vetëm urë ! Duket si spektakël surrealist, si tablo nga Salvador Dali’, vetëm një Orë e përkulur shkrirë nga Dielli myzeqar mungon. Ky rast kurioz kaq spektakolar përsëritet të paktën katër herë deri në Fier.
Spektakël haluçinant. Shtëpi në mes të fushës. Shtëpia ka vetëm katin e dytë. Por po ta shohësh me kujdes, vë re se myzeqari që e ka ndërtuar këtë shtëpi nuk është lodhur kot, ka pasur një qëllim. Qëllimi që myzeqari i shtëpisë haluçinante ka pasur, dhe ja ka arritur, ka qenë të sfidojë një barcaletë të famshme të diktaturës me një personazh grotesk propagandistik që thoshte; S’ka tulla për të bërë muret e katit të parë ? S’ka problem. Më jepni tulla të ndërtoj muret e katit të dytë.
Të kalosh mespërmes Myzeqesë është një spektakël që duhet të dish ta shijosh. Përndryshe, mos i hy fare asaj pune, se lloc. Për ta shijuar nuk mjaftojnë të kesh’ vetëm sy e veshë, dhe as vetëm mendje. Kjo çështje është më e ngatërruar, ai spektakël është më i thellë. Të pretendosh të shohësh myzeqarët me kazma e lopata në duar dhe traktorët e tyre të çajnë plot zhurmë e tym fushat, nuk është ky kushti për të dalë në përfundimin se Myzeqeja e viteve të fundit e ka lënë me shekuj pas Myzeqenë e kurvit dhe të soc-romaneve. Të tilla kushte për mirëqenie vënë vetëm klyshat e kurvit. Të tilla spektakle nuk mund t’i kqyrin, të tilla emocione nuk mund t’i ndjejnë gjithashtu ata që gjatë udhëtimit flenë; ata që udhëtojnë me dritare të mbyllura; ata që gjatë udhëtimit hanë, ose ata që gjatë udhëtimit vetëm llafosen.
Fieri është tashmë një qytet gjigand.
Fieri është jashtëzakonisht i gjallë dhe pafundësisht spektakolar. Në Fier takohen Myzeqeja, Labëria, Lushnja, Berati, Skrapari, Mallakastra. I gjallë dhe i fuqishëm, i pasur dhe i shpenguar, Fieri i sotëm të del para syve si një spektakël i avangardës hollivudiane, si tek Avatar, si motorr transparent, që i duken nga jashtë pistonat, bjellat, kollodoku, ingranazhet, pompat, lubrifikanti, gjithçka.
Aq e zhvilluar është iniciativa kapitalistike dhe aq ka përparuar privatizimi, sa mu në mes të Fierit mund të shohësh një "Rrugë Private".
Natyrisht në Fier, si kudo nëpër Shqipëri, ka gjithandej minimarkete. Nga ato ku një shitëse që vret miza mban pranë një listë". Çfarë janë këta minimarkete, këto shitëse, këto lista për të cilat flitet aq tepër ? Mos pyesni të tjerë. E di unë. Ato shitëset janë "Laje" propagandistike pa asnjë zotësi për të tregëtuar. Nuk ka sot shqiptarë aq fukarenj sa të blejnë "me listë". Ka "Laje" që shesin "me listë".
Deri në Levan rruga ka gropa. Por kur mendon rrënqethjen automobilistike që të pret drejt Vlorës dhe Tepelenës, ato gropa të duken hiçgjë.
Autostrada Levan-Vlorë është një parajsë e ëmbël. Aq e ëmbël sa po të mos jenë aty kah fundi i saj ato malet me kripë Narte që ta kripnin pak, ajo ëmbëlsi nuk dihet si mund të përfundojë. Në këtë parajsë inxhinierët kanë bërë një marifet; Rrethimin metalik e kanë bërë me shufra vertikale përmes të cilave panoramat spektakolare mahnitëse majtas dhe djathtas mund të shijohen vetëm duke kaluar me shpejtësi. Po të mos e kishin bërë inxhinierët këtë marifet, trafiku do ishte gjithë kohën i bllokuar nga makinat që do ecnin ngadalë ose do rrinin në vend të mahnitur nga pamjet spektakolare të detit, diellit, kodrave, fushave, ullinjve etj, etj.
Rruga e re Levan-Tepelenë nis me një sihariq të mirë. Një dymetrosh i lumtur nga Frakulla thotë se tashmë Tepelena është bërë një lagje e Tiranës.
Me përjashtim të pak kilometrave që ndjek Vjosën, kjo rrugë fantastike gjarpëron brenda një lugine të çuditshme goxha të thellë pa lumë. Fshatrat si një tespie me rruaza të bardha janë renditur rrëzë maleve të Mallakastrës në anën veri-lindore të luginës.
Njëri prej kërtyre fshatrave duket jashtëzakonisht i gjatë, ndoshta 10 kilometra.
-Si quhet ai fshati atje, ai më i gjati në botë?
-Cakran. Cakrani është kryesori. Të tjerët janë satelitë të Cakranit, thotë buzagaz një hokatar cakranjot.
Kamionë që transportojnë prodhime bujqësore, tezga anës rrugës, banorë lokalë të shëndetshëm, të veshur e të mbathur e të pastër, me motorra dhe biçikleta, dhe natyrisht të kudondodhurat fuoristrada që mallakastriotët i kanë aq qef.
Lokal i madh, me karburant e me të gjitha, një han çlodhës për makina dhe udhëtarë.
-Bujrum-bujrum, më thërrasin nja gjashtë a shtatë që janë ulur rreth një tavoline të madhe.
-Nga jeni?
-Nga Lushnja.
-Ç’erë e mbarë ju solli në këto anë?
-Po ikim në Tepelenë. Për qef. Për turizëm. Të hamë mish Labërie dhe të pimë ujë të ftohtë Tepelene.
-Pse keni ndalur këtu?
-Po pimë raki.
-A është spektakolar ky vend?
-Ky është vendi më i bukur se çdo film Hollivudi, më i ëmbël se çdo parajsë, më mahnitës se në çdo libër, më çlodhës se çdo gjumë, më i magjishëm se çdo ëndërr.
-A jeni të lumtur?
Ngrenë gishtat e fitores përpjetë.
Në kryqëzimin me një rrugë fshati, tre mallakastriotë. Kanë shitur ullinjtë. Po presin blerësin të vijë tua marrë me kamion.
Llaf e muhabet me mallakastriotët. Thonë se tër’ ata fshatra të mrekullueshëm, me aq afër detin, Fierin, Vlorën, por totalisht të izoluar për shkak të terrenit, para se të bëhej rruga u është dashur të kapërcejnë malet për të dalë në Ballsh, pastaj në Fier. Një nga mallakastriotët ka fytyrë brigje-brigje jashtëzakonisht spektakolare. Ç’e do. S’më lejon ta fotografoj.
Diku një djalosh po i ther fytin me një thikë buke një dashi anës rrugës. Moshatarët e kanë rrethuar duke parë spektakël.
-Pse po e ther dashin?
-Dashi hëngri jonxhë me ilaç, domethënë me pleh kimik që është helm, dhe u fry, prandaj po e ther.
-Do ta shesësh mishin e këtij dashi?
-Jo, nuk do ta shes. Do ta hamë.
-Si ore do ta hani?! Dashi ka ngrënë jonxhë me helm. Bashkë me mishin do hani edhe helmin dhe do fryheni edhe ju si dashi.
Djaloshi vazhdoi ta priste gërr-gërr fytin e dashit. Kjo pyetje mbeti pa përgjigje.
Pak para Levanit, pikërisht kur do ndahesha me këtë parajsë kaq spektakolare, ma prishi gjakun një klysh kurvi me kasketë kineze, sy të futur, vështrim të pisët.
-Hë mo, si po ja kalon? i thashë.
-Mos më keq. Kam 20 vjet që vuaj nën fashizëm.
Ndonjë bastard si ky do ketë takuar andej nga Levani i Norvegjisë piktori i ankthit Eduard Munch që u frymëzua për të bërë atë portretin e famshëm të atij që ka marrë kafkën e vet në duar, ka futur pëllëmbët në zgavrat e nofullave me gishtërinjtë përpjetë, dhe po klith.
Për të mos lëshuar timonin, fillova të bëj edhe unë herë me njërën dorë herë me tjetrën gjestin e "Klithmës" së Munchut.
Në Rrogazhinë ish-kulaku Roçi Xhepa më dha sihariqin e gëzueshëm se i kishte shitur të tëra lakrat, gjysmat një suedezi, gjysmat një hollandezi. Hair haberi i lakrave të Roçit më bëri ta harroj në çast Munchun e ankthit, Klithmën e tij spektakolare, dhe gëlbazën komuniste.