E Diel, 1 Nëntor 2026

"Në emër të popullit"

Gjithnjë e më shumë, sidomos në kohë tallazesh e mitingjesh, partitë tona politike e kanë shtuar përdorimin e fjalës "popull". Liderët, majtas e djathtas, duken shumë të bindur se thonë të vërteta të pranuara, në mos nga të gjithë, të paktën nga shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit të aftë për gjykime të rëndësishme politike. Çdo hap që ndërmarrin, çdo batutë që hedhin, çdo kërkesë që bëjnë, çdo kokëfortësi që tregojnë, të gjitha i bëjnë në emër të popullit.
Nuk dihet ende nëse e besojnë vërtet thellë brenda tyre se flasin "në emër të popullit". Nuk dihet vërtet nëse ndihen si të veshur me mantelin e purpurt të demiurgut, të cilin vetë Zoti e ka ngarkuar që ta drejtojë vendin drejt shtigjesh të reja. Të para nga jashtë, disa të dhëna, si puthja e duarve të plakave nëpër mitingje, apo ngritja peshë e ndonjë fëmije buçko, vendosja e dy vajzave të vogla, të hutuara, të veshura me kostum kombëtar në anë të tribunës ku përqesh kundërshtarin, apo komandimi i turmës me anë të syve dhe vetullave, të bëjnë të besosh se disa prej këtyre liderëve e kanë me të vërtetë. Me të vërtetë besojnë se kanë poshtë një turmë që i adhuron, një turmë, që i ka sytë e veshët vetëm e vetëm tek ata. Pa ta populli, zërin e të cilit tashmë e kanë përvetësuar, do të ishte një hiçgjë, një turmë e hallakatur që do të kapej për veshi nga kundërshtari politik, i cili zakonisht është njeriu më i keq i mundshëm.
Pra, sipas këtij shikimi, vetë liderët besojnë se zëri i tyre është zëri i popullit, i gjithë popullit pa asnjë përjashtim, edhe ai asaj pjesë që nuk po i dëgjon dhe që nuk i shkon nga pas. Sipas tyre, kjo pjesë është populli i gabuar, ai që duhet edukuar, që të mos rrijë më indiferent, por të shkojë edhe ai me gaz dhe me hare nëpër mitingje. Të parët e politikës marrin përsipër të flasin edhe për ta, pavarësisht se askush nuk ua ka deleguar këtë të drejtë. Më pas, këtyre, pra liderëve, u mveshin lloj-lloj emrash. Janë emra përkëdhelës, gjysmë humoristikë e gjysmë shpotitës, por në thelb shprehin adhurimin që turma - pra një pjesë e popullit - ka për ta. Të tillë emra ledhatues, njësoj si ato që gjyshet u mveshin nipave - "ah, more qerrata i vogël!" - janë: i gjati, doktori, mareshali, dinakja, e hekurta, labi, nevriku e kështu me radhë. Mungon vetëm "bishti i dhisë", por edhe këtij do t‘ia gjejnë vendin. Kulmi arrin, kur i pari i partisë quhet thjesht "Ai", njësoj sikur në këtë botë të mos ekzistojnë të tjerë. Në këtë rast "Ai" nuk ka nevojë për emër, as për mbiemër. Ai është thjesht i vetmi, shpëtimtari, mesia, Shën Gjergji që ka ardhur të vrasë kuçedrën e mallkuar për të shpëtuar njerëzinë. Me të tilla marrëzira është e mbushur plot jeta jonë e sotme. Mbase, ca të mikluar nga fati, dhe ca të yshtur nga servilët hileqarë, por edhe nga shumë të pashpresë që i shikojnë me admirim si shpëtimin e tyre, liderët tanë kanë nisur të besojnë me të vërtetë se janë shumë herë më lart të tjerëve, njerëzve të zakonshëm, qofshin këta militantë të tyre, pa le pastaj sa herë më lart atyre që nuk u shkojnë pas. Kjo ishte një mënyrë të shikuari.
Shikimi i dytë, që ka lidhje me të parin, por që mbase duhet konsideruar ndaras, është ai që liderët bëjnë, shtiren sikur janë të dërguarit e perëndisë mbi tokë. Ata bëjnë sikur janë njerëzit më të dashur e më të vuajtur të këtij vendi. Janë pikërisht ata që nuk lodhen, që flenë e hanë pak, që pinë vetëm ujë, që nuk kanë kurrë kohë të takojnë njerëzit e tyre, madje njëri prej tyre nuk pati kohë të njohë as baxhanakun e ri që vdiq tragjikisht në një tragjedi kombëtare. Ata kurrë nuk kanë gabuar e kurrë nuk do të gabojnë. Çdo gjë që thonë ata është e drejtë, e saktë, e shkoqur, e ndershme, pa lojëra dhe pa qëllime të paramenduara. Sigurisht që është kështu. Sepse ata flasin në emër të popullit, ndonëse thonë zakonisht gjëra krejt të kundërta.
Kohët e fundit këto raste janë shtuar shumë. U shkua deri aty, sa një zonjë e nderuar e së majtës, edhe kjo lidere, por disi më me këmbë në tokë tha, as më shumë e as më pak, se vetëm ata që kishin dalë në mitingun e organizuar nga partia e saj dhe aleatët e së majtës ishin europianët e vërtetë. Me pak fjalë, ata që s‘ishin aty nuk kishin lidhje me Europën. Mirë ata që nuk ishin aty se mendojnë ndryshe, po ata që kishin të njëjtin mendim me zonjën e nderuar, por që nuk shkonin dot para Kryeministrisë? Janë apo nuk janë europianë këta? Po ata që janë indiferentë? Ah, po këta sigurisht që nuk janë europianë. Këta janë më keq akoma. Këta janë indiferentët "që çojnë ujë në mullirin e Berishës". Ndokush mund të verë buzën në gaz dhe të thotë: Po politika është profesion më vete, ajo ka frazeologjinë e saj! Pikërisht kjo do të thotë që poshtë teje ke disa qenie të cilëve mund t‘ua torollisësh mendjen si të duash. Populli, në emër të të cilit ata flasin, për ta është pikërisht ky. Është ai grup i madh që përbëhet nga individë, të cilët shumë herë e kanë dëgjuar atë fjalinë e famshme: Hë mo, se ky milet kështu e do! Meqë po merremi me popullin, e njëjta shprehje në version popullor do të tingëllonte: Kështu i do mushka drutë! Sa kohë që do të frymëzohemi nga këto shprehje tejet të zgjuara popullore, mushka do ta ulë gjithnjë e më shumë kurrizin, ndërsa barra e druve do të lodrojë hareshëm mbi kurrizin e saj.
Meqë fjala popull po lakohet gjithnjë e më shumë ka ardhur koha që të pyesim: Në emër të të cilit popull flasin politikanët? Në emër të atij populli që tërhoqën për hunde më 1997 derisa e detyruan të vrasë sho-shoqin në një luftë absurde civile që u mbyll vetëm me ndërhyrjen e huaj? Apo në emër të atij populli që i vodhën referendumin për formën e regjimit? Në emër të atij populli që askush nuk e pyeti për Presidentin e tij? Në emër të atij populli kokulur që e ka pranuar si gjë të zakonshme, madje normale, që t‘i vidhet vota në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri? Në emër të atij populli që nuk e ka pyetur kush nëse donte apo jo të dërgonte bijtë e tij në Afganistan e Irak? Në emër të atij populli që nuk ngrihet kurrë në protesta sa herë që shtrenjtohet niveli i jetesës, por vetëm sa herë i thonë demiurgët për interesat e tyre? Apo në emër të atij populli që tashmë e ka harruar masakrën monstruoze të Gërdecit? Në emër të cilit popull flisni zotërinj? A flisni edhe në emër të asaj pjese të popullit që është zhgënjyer me kohë prej jush, prej mërive, prej smirave, vogëlsirave, arrivizmit, hatërmbetjeve tuaja, mungesës tuaj të burrërisë dhe të idealeve? Në emër të cilit popull dhe me ç‘të drejtë e bëni këtë?
Demagogjia, fjalimet patetike, të shtirurit, loja me fjalën popull, të gjitha nuk do ta kenë jetën e gjatë. Për fat, pas nesh po vjen një brez i ri që e ka mendjen të kthjellët, të panjollosur nga grahmat e fundit anadollake dhe nga komplekset që burojnë nga 50 vjet jetë nën diktaturë, pra nën shtirje e nën peshën e frikës. Po vijnë mendjet e lira e të shkolluara dhe atëherë liderët e shtirur nuk do të dinë se nga t‘ia mbajnë. Mantelet e purpurta do të bien në tokë.
Shumë vetëve u kujtohet një humor tragjik që bëhej në kohën e diktaturës. Thonë se kur një grup i Sigurimit shkoi natën për të arrestuar një person i deklaroi këtij me inat atë shprehjen e famshme: Në emër të popullit je i arrestuar! Në emër të cilit popull - thuhet se ka gjetur guxim të përgjigjet fatkeqi - po populli tani po fle gjumë?! Në fakt, ishte natë e thellë. Po nata kalon shpejt dhe pas saj, në mënyrë të pashmangshme, vjen gjithnjë mëngjesi, ku e ku më i dëlirë se nata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›