E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen "spiunët" e Dritan Dajtit në polici

Gjashtë vitet në arrati e kanë ndihmuar Dritan Dajtin që të ngrejë një grup të mirorganizuar kriminal, në ndihmë të së cilit ishin edhe agjentë të Policisë së Shtetit. Lëvizjet e njeriut më të kërkuar në të gjithë Shqipërinë nga viti 2003-2009 ishin të programuara dhe të kontrolluara, madje ai lëvizte edhe me automjete policie, ndërsa personalisht dispononte dokumente dhe uniforma zyrtare të policisë, të cilat ishin marrë nga Drejtoria e Policisë së Durrësit. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur lëvizjet e Dajtit gjatë kohës së arratisë, si dhe ndihmësit e "spiunët" e tij në polici. Kështu, gjatë ditës së djeshme, është arrestuar në zyrat e Krimeve të Rënda oficeri i policisë së Durrësit, Marenglen Muça, ndërsa janë pyetur oficerë të policisë së Gjirokastrës, Krujës dhe Dibrës. Tabulatet telefonike kanë përcaktuar se oficerët e policisë komunikonin me kunatin e Dritan Dajtit me numra celularë në përdorim të punonjësve të Policisë së Shtetit me prefiks 41.

Arrestimi i Muçës
Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur pasditen e së dielës masën e sigurisë "arrest me burg" për oficerin e policisë gjyqësore në Durrës, Maringlen Muça. Akuza ishte shpërdorim detyre. Dje në mëngjes, në banesën e Muçës ishte dërguar një fletëthirrje nga prokuroria dhe në Durrës janë nisur disa agjentë të SHKB-së (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm), të cilët kanë shoqëruar Muçën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë shpjegime. Gjatë shoqërimit të Muçës në Tiranë, ai ka komunikuar me telefon me drejtuesit e Policisë së Durrësit, të cilëve u ka treguar se është thirrur për dëshmi në prokurori. Në prokurori ka mbërritur rreth orës 09:00 të ditës së djeshme dhe është marrë në pyetje nga dy prokurorët e çështjes. Rreth orës 11:00 prokurorët e çështjes i kanë komunikuar masën e arrestit të vendosur nga Gjykata e Krimeve të rënda. Fillimisht Muça ka mohuar akuzat dhe më pas i ka pranuar pjesërisht.

Hetimi i prokurorisë
Oficeri i policisë gjyqësore që mbulon vjedhjet në zonën e plazhit në Durrës akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se ka pasur komunikime me kunatin e Dritan Dajtit, Erges Xhaxhin. Burime nga prokuroria deklarojnë se oficeri i policisë e ka ndihmuar Xhaxhin dhe Dajtin që të nxirrnin dokumentet e policisë. "Muça ka ndihmuar Dajtin në kohën që ai ishte i shumëkërkuar. Inspektori e kishte pajisur Dritan Dajtin me uniformë policie, si dhe me një dokument policie", thanë burimet nga prokuroria. Hetuesit e çështjes dyshojnë se oficeri i policisë e ka transportuar Dajtin me automjetin e tij në vende të ndryshme. Të tjera dyshime flasin se inspektori garantonte fshehjen e Dajtit në Durrës. Gjithashtu, ka të dhëna se Mariglen Muça është transferuar qëllimisht nga një detyrë e mëparshme në Korçë drejt Durrësit për të ndihmuar Dritan Dajtin të jetonte i qetë në arrati. Burime nga prokuroria deklarojnë se oficeri i policisë i arrestuar ka pranuar se e ka ndihmuar Dritan Dajtin dhe Erges Xhaxhin të pajiseshin me dokumente policie, si dhe u ka dhënë uniformën që e ka marrë nga Policia e Durrësit.

"Ndihmësit" e tjerë në prokurori
Gjatë ditës së djeshme, prokurorët e Krimeve të Rënda që po hetojnë ngjarjen tragjike në Durrës ku humbën jetën katër punonjës policie, kanë marrë në pyetje oficerë të tjerë të policisë. Sipas burimeve nga akuza qendrore thanë se janë marrë në pyetje dy oficerë të tjerë nga Policia e Durrësit, një oficer i policisë në Krujë, një oficer i policisë në Dibër dhe një tjetër në Gjirokastër. Këta punonjës policie kishin kontaktuar në telefon me kunatin e Dritan Dajtit, Erges Xhaxhit. Hetuesit e çështjes kanë zbardhur disa nga bisedat që oficerët kanë bërë me kunatin e Dajtit në ditët e arratisë së këtij të fundit. Sipas këtyre burimeve, mësohet se oficerët e identifikuar që flisnin me kunatin e Dajtit nga numri dyshifror i dhënë nga Ministria e Brendshme janë punonjës aktivë. Paraprakisht, hetuesit kanë ndërtuar një skemë dhe personi që dyshohet se ka lidhjet më të forta me të arrestuarin është inspektori i krimeve në zonën e plazhit ku strehohej kohët e fundit Dajti, Mariglen Muça. Gjithashtu, ka rezultuar se ky inspektor, përveç komunikimit të vazhdueshëm me kunatin e Dajtit, shtetasin Ergest Xhoxhi i ka dërguar një sms këtij të fundit vetëm 20 minuta para ndërhyrjes së grupit të operacioneve speciale për arrestimin e Dajtit. Edhe një natë para këtij operacioni, ky inspektor ka komunikuar me kunatin e Dajtit, ku i ka kërkuar këtij të fundit të mos e merrte më në numrin e punës, por në një numër tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›