E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre intervistat me personalitete të letrave dhe gazetarisë italiane

Intervista me me gazetarin italian Marco Travaglio

Kohët e fundit ju keni fituar një çmim të rëndësishëm. Si e shpjegoni heshtjen e mediave italiane mbi këtë vlerësim që keni pasur?

Travaglio:Më kanë dhënë çmimin për lirinë e shtypit, një çmim prestigjioz, që jepet çdo tre vjet nga Federata e Gazetarëve gjermanë, për gazetarët e vendeve ku nuk ka liri shtypi ose ku kjo liri është në rrezik të madh. Mjafton të përmend që përpara meje këtë çmim e patën fituar një gazetar serb dhe një gazetare ruse. Fakti që këtë vit ma dhanë mua, përveçse më bën krenar, më shqetëson gjithashtu, sepse do të thotë se na konsiderojnë njëlloj me vendet që kanë një demokraci të re. Nga ana tjetër, perceptimi që kanë organizatat ndërkombëtare, si ajo e "Reporterë pa kufij" apo, "Freedom House" duket qartë se çdo vit Italia bie në klasifikimin e medias së lirë dhe në raportin e këtij viti konsiderohemi vend pjesërisht i lirë për sa i përket lirisë së shtypit, si në kohën e qeverisë së parë të Berlusconi-t.

Ka ndryshuar gjë në panoramën italiane, pas protestave nëpër sheshe dhe reagimit të Kryeministrit, si dhe pas daljes së gazetës "Il fatto"?
Travaglio: E vetmja e re është që më në fund ka dalë një gazetë pa padron, që nuk ka një botues që të ketë interesa në konflikt me ato të lexuesve, të cilët kanë të drejtën të dinë gjithçka për të gjithë, kemi një gazetë me emrin "Il fatto Quotidiano "që nuk merr para nga shteti dhe që pas vetes nuk ka ndonjë financier, ndonjë bankier, ndonjë biznesmen, ndonjë nga ata që ndërtojnë e shesin pallate, ndonjë politikan apo ndonjë Kryeministër, apo parti. Kjo gazetë është thjesht e një grupi miqsh, një grup gazetarësh që janë bashkuar për të treguar gjithçka ndodh pavarësisht nëse i pëlqen apo bezdis të djathtën, qendrën apo të majtën.
Por sistemi ka mbetur ai që ishte. Gazetat vuajnë konfliktin e interesit, konfliktet mes interesit të pronareve dhe lexuesve. Nga ana tjetër, televizioni është krejtësisht në duart e politikës, e në veçanti në duart e Kryeministrit.

Sipas jush, është në traditën e shtypit dhe të mediave italiane kjo lloj bindjeje, të themi, ndaj pushtetit, apo situata ka ndryshuar me futjen në politikë të Silvio Berlusconi-t?
Travaglio:Ajo që ka sjellë me vete futja e Berlusconi-t në politikë, është një hap i madh prapa. Edhe më parë informacioni në Itali nuk ishte i famshëm për lirinë e vet, por ata që donin ta ushtronin këtë liri, kishin mundësi ta përdornin e ta shfrytëzonin. Sot është e vështirë dhe për ata pak që duan ta përdorin këtë liri, sepse zbulojnë që botuesi i tyre, direkt apo indirekt, është Kryeministri, apo edhe në rastet e rralla kur nuk është, e fut në vështirësi gazetën tënde duke bërë thirrje të mos bëhet reklamë në të. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë që Kryeministri të dëbonte nga televizioni shtetëror dy gazetarë si Biaggi dhe Santoro ose një ndër komikët më të njohur si Daniele Luttazzi. Nuk kishte ndodhur kurrë që drejtorët e "Corriere della Sera" dhe "La Stampa" të hiqen pikërisht kur Berlusconi tha publikisht se ata duhet të ndërrojnë zanat. Po flasim për dy gazeta që nuk janë të tijat, dy nga të paktat. Sepse Berlusconi indirekt ka gazeta të tijat. Berlusconi, nëpërmjet edhe familjes së tij, është pronar i gazetës "Giornale", "Il Foglio", "Panorama" dhe një mori revistash. Prandaj, ato gazeta që nuk i ka në pronësi, i kushtëzon nëpërmjet reklamës.

Ju mendoni se kjo është arsyeja e një mosreagimi nga ana e opinionit publik, një lloj "anestetizimi" i publikut, i cili ama në tetor doli nëpër sheshe për të mbrojtur lirinë e shtypit?
Travaglio:Natyrisht që ka shumë njerëz që e kuptojnë se ç‘po ndodh, por mungon dikush që t‘i orientojë e drejtojë e t‘i japë raste për të manifestuar. Kur jepet rasti njerëzit aktivizohen gjithmonë. Fakti që Federata e Gazetarëve vendosi të protestojë nëpër sheshe këtë vit, dëshmon një ngadalësi refleksesh, sepse këto probleme ne i kemi që kur Berlusconi hyri në politikë, përpara 15 vjetësh. Është i vonuar një reagim 15 vjet më pas, kur fare mirë mund të ishte bërë 15 vjet më parë. Ndoshta, nëse do të kishim lëvizur me kohën, nuk do t‘i kishim lejuar këtij zotërie të bënte kasaphanë me lirin e shtypit, siç ka bërë, i pashqetësuar.

Rasti i gazetarit të sulmuar në Shqipëri hapi debat në gjirin e vetë gazetarëve
Travaglio: Po kjo ndodh edhe te ne. Kur një gazetar censurohet, dëbohet, paditet apo në një farë mënyre ndëshkohet, edhe pse te ne për fat të mirë nuk arrihet akoma në dhunë fizike, shfaqet një lloj dhune tjetër, papritur mund të dalë ndonjë shërbëtor i pushtetit që thotë "vetë e kërkoi". E njëjta gjë që thuhet kur një vajzë përdhunohet, del gjithnjë ndonjë që justifikon përdhunuesin duke thënë se vajzat vetë dalin me minifund e se e kërkojnë vetë.
Është turp që ekzistojnë persona që thonë gjëra të tilla dhe është akoma më e turpshme kur e thonë gazetarët. Kjo do të thotë se e kanë censurë në personalitetin e tyre, madje bëjnë vetëcensurim, censurë me pilot automatik.

Intervistë me Drejtorin e gazetës "La Repubblica", Ezio Mauro

Po flitet shumë kohët e fundit në Itali për shtypin e lirë dhe mënyrën sesi shprehet kjo liri. "La Reppublica" ka qenë një nga ato gazeta që ka luftuar në radhë të parë dhe në njëfarë mënyre ka paguar edhe pasojat. Doja të kisha një koment nga ju për përgjigjet që Kryeministri i ka dhënë dhjetë pyetjeve tuaja. Ju keni pasur gjithashtu mbështetjen e shtypit ndërkombëtar.

Ezio Mauro:Beteja gazetareske që ka bërë "La Repubblica" është po ajo që ka bërë dhe shtypi ndërkombëtar, shtypi i madh europian dhe ai amerikan. Pra, kush thotë që qëndrimi ynë ishte i pazakontë dhe i habitshëm, sapo hedh shikimin jashtë oborrit të shtëpisë sonë, e kupton që pozicioni, gjykimet dhe shqetësimet tona që ka përdorur "La Repubblica", është po ai që ka përdorur shtypi i madh europian. E kjo qe shumë e rëndësishme, sepse Kryeministri ndjeu peshën e opinionit publik, të një pjese të opinionit publik italian që ne përfaqësojmë dhe të opinionit publik ndërkombëtar. E në fund, Kryeministrit iu desh t‘iu përgjigjej dhjetë pyetjeve. Ky është një rezultat i madh, lidhur pikërisht me përgjegjësinë që ka pushteti. Në fund të fundit, përpjekja e një gazete, bashkë me gazeta e tjera europiane, e detyroi pushtetin që të marrë përgjegjësitë përpara pyetjeve të shtruara nga opinioni publik dhe u detyrua të përgjigjet. Të mbajmë parasysh se Berlusconi pati sharë gazetarët tanë që i bënin pyetje, i pati uruar falimentimin korrespondentit të "El Pais", Miguel Mora, që i bënte pyetje, pati ftuar sipërmarrësit që të mos bënin reklama në gazetën "La Repubblica", i pati bërë thirrje italianëve që të mos blejnë gazetat, por të shohin vetëm televizor, sepse lajmi i mirë jepet në televizion, ndërsa ai i keqi në gazeta. Ai arriti deri aty sa të padiste ekzistencën e një komploti golpist, të "La Repubblica" dhe të gazetave të huaja, a thua se ekziston një internacionale e gazetave, që në realitet nuk ekziston, e në fund ai pati hedhur në gjyq dhjetë pyetjet, i vetmi rast në botë ku një lider politik hedh në gjyq pyetjet sepse nuk do t‘i përgjigjet atyre. Në fund iu desh t‘i përtypte të gjitha këto dhe t‘i përgjigjej pyetjeve. Nëse do të pyesim se si iu përgjigj pyetjeve, është e qartë se përgjigjet ishin shumë të dobëta, sepse, para së gjithash, zgjodhi të përgjigjet në librin e intervistuesit të tij të preferuar, Bruno Vespa, që është edhe noteri i tij personal, sepse në emisionin e tij "Porta a Porta", nënshkroi edhe kontratën "show" me italianët. Libri është botuar nga shtëpia botuese "Mondadori", pronë e Kryeministrit, i cili kishte kështu kontrollin e plotë të këtij operacioni. Ai evitoi ballafaqimin me "La Repubblica", intervistuesi i tij ia riformuloi pyetjet në formën më të rehatshme e komode për të, e mbi të gjitha i garantoi vetes kontrollin absolut të këtij operacioni. E megjithatë, iu desh të përgjigjet, e në përgjigjet që dha, denoncoi një limit, pra se nuk është në gjendje t‘i thotë të vërtetën italianëve mbi këto ngjarje që kanë shkaktuar skandal te shtypi ndërkombëtar në shtatë muajt e fundit. Pra, përgjigjja e vërtetë dhe e madhe që arriti, ishte paaftësia për t‘i dhënë një përgjigje bindëse italianëve, paaftësia për të qartësuar gjërat, për të marrë përsipër një përgjegjësi deri në fund, për të treguar fakte konkrete që të heqin çdo lloj dyshim, që t‘i thoshte italianëve se e vërteta është kjo e më gjykoni për këtë të vërtetë. Nga njëra anë, atij iu desh të përgjigjet, por nga ana tjetër ka treguar një limit në momentin kur përgjigjet, pasi është sikur të thoshte "unë ju përgjigjem, por më shumë se kaq nuk mund të shkoj". E për një figurë politike, kjo më duket diçka domethënëse.
Në këtë betejë, "La Repubblica" ka qenë e vetme. A jeni ndjerë të vetmuar në këtë betejë tuajën, megjithëse në manifestimin e tetorit dukej se ishte e kundërta?
Ezio Mauro: Të vetmuar, kurrë, sepse gazetat ndërkombëtare i morën pyetjet tona, i bënë të vetat, i shtruan sërish, bënë intervista, hetime, dëshmuan pra që hetimi gazetaresk i vazhdueshëm që ne bënim mbi pushtetin, duhej bërë dhe ishte diçka që i interesonte Europës. Pastaj nuk jemi vetëm, sepse kemi lexuesit tanë. Për fat të mirë, lexuesit tanë, gjatë këtyre muajve, janë shtuar në mënyrë të konsiderueshme dhe kjo është përgjigjja më e mirë që ne patëm. Pastaj, siç thatë edhe ju, çdo herë që opinioni publik ka pasur mundësi të mobilizohet, ajo pjesë e opinionit që pyet, që dëshiron të njohë, që kërkon shpjegime nga pushteti, aq më mirë me përgjigje bindëse që të largojnë çdo dyshim, më bindi sepse tha diçka shumë të qartë, të prerë dhe të pandryshueshme. Pra ajo pjesë e opinionit publik që do të dijë, është shprehur çdo herë që i kemi dhënë mundësinë gazetareske për ta bërë. Kur tre juristë, Zagrebelsky, Cordero, Rodotà nënshkruan një thirrje për lirinë e shtypit, 500 mijë persona firmosën me emër e me mbiemër, adresë shtëpie, profesion etj., pra u ekspozuan dhe morën një pozicion. Kur kryetari i qeverisë fyeu Rosy Bindi-n në televizion, tre gra, Barbara Spinelli, Nadia Urbinati e Michela Mazzano, nënshkruan një thirrje në të cilën thoshin se një qëndrim i tillë fyen gratë dhe demokracinë. 100 mijë gra të tjera nënshkruan gjithashtu në web-sitin e "La Repubblica". Manifestimi që përmendët ishte një manifestim i pamat, në "Piazza del Popolo". Ky manifestim nuk ishte i organizuar nga ne, ne nuk hipëm në tribunë, ishim në shesh, mes njerëzve. Pjesëmarrja qe shumë e madhe e njerëzit vinin në tavolinën e "La Repubblica", që ishte si një banket i vogël, e na thoshin "mos na lini". Kjo nënkuptonte mos e lini këtë punë, mos e lini këtë hetim. Por kjo shprehje donte të thoshte gjithashtu "mos na lini neve", sepse "ne duam të marrim pjesë në këtë debat publik". Unë besoj thjesht te diçka, aty ku pushteti nis e gënjen, aty krijohet hapësirë për gazetarinë. Në shërbim të kujt? Në shërbim të së drejtës së qytetarit për të njohur e për të ditur. Nëse qytetari do të mund të njohë dhe të dijë, ka mundësi të shprehë gjykimet e tij. Nuk ka fare rëndësi që gjykimi i tij të jetë si i imi. Rëndësi ka që ai të jetë në gjendje të krijojë një opinion të tijin, gazetat shërbejnë vetëm për ketë gjë.
Desha t‘ju pyes për rastin e gazetarit shqiptar të sulmuar kohët e fundit. Nuk di se ç‘mendoni ju për një vend ku ndodh diçka e tillë. Përveç dënimeve që i janë bërë këtij aktì, ka pasur edhe zëra që në njëfarë mënyre çonin në ekuacionin "një gazetar që ka një qëndrim të tillë, duhet t‘i parashikojë edhe rrjedhojat".
Ezio Mauro:Shpresoj që ky të jetë një rast i rrallë, e që në Europë, në botën tonë, të mos ketë gazetarë që mund të sulmohen për profesionin, rolin dhe funksionin e tyre. Është e qartë se gjithnjë del dikush e thotë që gazetarët e kërkojnë vetë. Është e qartë se po qe se gazetarët rrinë urtë e sy ulur, nëse nuk shohin atë ç‘ka ndodh në realitet dhe nuk shprehin opinionet e tyre, atëherë kanë jetë të qetë. Por nuk është kështu zanati ynë. Nuk është ky zanati ynë. Një gjë duhet të jetë e qartë ama se askush nuk pret prej nesh heroizëm, pret ndërgjegje profesionale. Mjafton të bësh me ndërgjegje punën tënde, ashtu siç i kërkojmë që të bëjnë me ndërgjegje punën e tyre personave që takojmë në jetën e përditshme. Nëse çon makinën te mekaniku për ta rregulluar, ti kërkon që ai ta bëjë me ndërgjegje punën e tij. Pra edhe ai që blen gazetën, pret që unë të bëj me ndërgjegje punën time. Duke iu përgjigjur rregullave të zanatit tim.
Por, edhe në Itali, ka pasur episode që të bëjnë të mendosh. Në mes të muajit gusht, kur Berlusconi ishte në mes të skandaleve e sulmeve të shtypit europian, më shumë të shtypit të huaj se atij italian, me thënë të drejtën, gazeta që është pronë e familjes së tij, ndërroi drejtor. Përpara se të largohej, drejtori i vjetër shkroi një artikull në të cilin thoshte se ikte jo me dëshirë, por se i kishin thënë të ikte. Ai vazhdonte "i kam bërë të gjitha betejat që kam menduar se duheshin bërë, me përjashtim të njërës, të gërmoj nën çarçafët e drejtorëve dhe botuesve të gazetave të tjera". Pra, kjo i ishte kërkuar të bënte dhe ai nuk e kishte pranuar.
Një javë më pas, me drejtorin e ri, gërmuan në shtratin e drejtorit të "Avvenire", gazeta e peshkopëve italianë dhe nxorën një histori gjyqi të botuar një vit më parë nga "Panorama", pa asnjë arsye dhe pa lidhje me gazetarinë. Botuan një fletë anonime, të shkruar në gjuhën e shërbimeve të fshehta, në të cilën drejtori i "Avvenire", akuzohej për homoseksualitet. Humbi postin e tij, punën e tij, gazetën e tij. Faji i tij i vetëm ishte se kishte kritikuar Berlusconi-n në gazetën e tij, atë të peshkopëve italianë.
Një javë më pas, kryetari i Dhomës së Deputetëve u sulmua po nga gazeta e familjes Berlusconi, sepse pati mbrojtur parime kushtetuese. U ftua të bashkohet me mendimet e Kryeministrit me kërcënimin se do t‘i nxirrej një histori e vjetër me sfond seksual. Thënë me fjalë të tjera, është bërë përpjekja për të kufizuar lirinë politike dhe personale të autoritetit të tretë të Republikës, dhe nuk është gjë e vogël.
Kur flitet për lirinë e shtypit e në mjediset pranë Berlusconi-t thuhet se në Itali, të gjithë janë të lirë. Ne jemi një demokraci, e as që vihet në diskutim liria, edhe ajo na duhet. Unë, që jetoj në një demokraci, pretendoj që demokracia ime të funksionojë. Të shtrojmë pyetjen se cila është cilësia e demokracisë në të cilën jetojmë? A ka ndonjë vend tjetër ku pushteti politik përdor gazetat për të sulmuar, jo në planin e ideve, pasi gjithkush ka të drejtën të shkruajë dhe nëse ajo çka shkruaj unë është e gabuar, secili mund t‘i kundërshtojë dhe të më tregojë pse janë të gabuara idetë e mija, por të bëhen kërcënime me sfond seksual ndaj personave që kanë shprehur opinione të kundërta apo kritika, epo kjo nuk ndodh në asnjë vend perëndimor.
Politikani që njihet në histori si armiku më i madh i shtypit, Richard Nixon, kur ishte nën hetimin e "Washington Post" për skandalin "Watergate", nuk ka përdoruar as një të njëqindën e mjeteve që përdor Kryeministri italian për t‘u mbrojtur.
Ju thoni kështu, ndërsa përkrahësit e Berlusconi-t thonë se ndër rreth 100 gazeta që dalin çdo ditë në Itali, Kryeministri ka vetëm një, me një tirazh rreth 200 mijë kopje.
Ezio Mauro: A njihni juve një lider politik, president a kryeministër të një vendi tjetër që ka në pronësi një gazetë? Një, vetëm një më thoni. Presidenti Sarkozy, Kryeministri Gordon Brown, mbretëresha Elisabetta e Anglisë, hë pra njihni ndonjë? Zonja Merkel mbase, apo Kryeministri Zapatero? Unë s‘njoh ndonjërin. Njeriu më i pushtetshëm në botë, Presidenti Obama, mos ka në pronësi ndonjë gazetë? Një gazetë që përdoret për të sulmuar në planin personal njerëzit që e kritikojnë? Kjo është e paparë. Siç është e paparë që një lider politik të ketë tre kanale televizive dhe nëpërmjet politikës të kontrollojë edhe tre kanale shtetërore.

Duke vazhduar e folur me gjuhën e atyre që e mbrojnë Kryeministrin, ju them se në këto kanale ka dhe zëra që kritikojnë Berlusconi-n, si p.sh. Santoro.
Ezio Mauro: Pse çfarë pretendojnë të na japin? Mendimin unik dhe të uniformuar? Shqiptarët besoj se e dinë mirë se për çfarë flitet. Do ketë akoma nga ata që e mbajnë mend si ishte regjimi. Mos duhet të fillojmë të krahasohemi me të? U habitkemi që ekzistokan dhe zëra jashtë mendimit predominues? Kemi arritur në këtë pikë mbase? E përsëris, ne jemi një demokraci. Për këtë, duhet të jenë të ndërgjegjshëm të gjithë.

Intervistë me autorin e librit "Gomorra", Roberto Saviano

Urime për artikullin e sotëm te "Repubblica", që është përgjigjja për ministrin e Kulturës, Bondi, i cili ju drejtohej se ju admironte për ndershmërinë dhe entuziazmin, por mos u përzieni me politikë. Përgjigjja juaj është: "Duhet marrë një pozicion edhe nëse të duhet të rreshtohesh". Ǒdo të thotë sot të rreshtohesh?

"Të rreshtohesh" sot do të thotë mbi të gjitha të kuptosh se ku po shkon vendi, përtej ideve, pasi në këtë fazë në Itali nuk ekziston një përballje idesh, por një përballje mes kontratash, fraksionesh, grupesh aleate. Të kuptohemi, sot kushdo që mban një pozicion kritik kundër qeverisë, e di që do të përballet me sulme të dhunshme nëpër disa gazeta, sulme me shpifje, dobësim të karrierës. Për mendimin tim, sot, të rreshtohesh do të thotë mbi të gjitha të shohësh në fytyrë atë çka po ndodh, duke marrë parasysh edhe pasojat.

"Sepse kjo është e vetmja mënyrë që njoh për të qenë shkrimtar dhe njeri", shkruani ju sot.

Po, është vërtet e vetmja mënyrë që njoh për të qenë intelektual, për të qenë njeri, në kuptimin që, nuk është se unë i bëra një apel Kryeministrit për ta tërhequr këtë ligj, sepse kam një projekt timin dhe dua të futem në politikë dhe të bëj debate me të. Jo, në të vërtetë, me këtë ligj që po bën Berlusconi, proceset e anuluara krejt papritur, kjo është vërtet e rrezikshme. Me këtë ligj, shumë procese rrezikojnë të anulohen, edhe ato gjyqet e rëndësishme që kanë të bëjnë me trafikun e mbetjeve toksike... që është baza e tregut të ekonomisë kriminale, të cilën unë kam vite që e rrëfej.

Ju kam dëgjuar para një jave në një emision për gazetarët e vrarë, si Ana e Rusisë. Pse ndjeni se duhet ta bëni këtë, të flisni për gazetarë të vdekur prej detyrës?

Unë e kam bërë për arsye të ndryshme. Së pari, sepse gjatë viteve kam vënë re se jam bërë shpesh referim në Itali dhe në botë, që më kanë shkruar dhe më kanë kërkuar ndihmë. Sepse sidoqoftë, unë jam krahasuar me shumë të tjerë, i privilegjuar. Unë tani po flas, por shumë intelektualë afrikanë apo sllavë, apo dhe kinezë, s‘kanë mundësi që të njihen. Kështu që ata gjejnë tek unë një pikë referimi. Kjo më ka bërë të mendoj, dhe më ka shtyrë të dal nëpër televizione në orare të rëndësishme, të shfrytëzoj shikueshmërinë time për të folur rreth intelektualëve të përndjekur e gazetarëve të izoluar, për ata që kanë vdekur duke mbrojtur fjalët e tyre.

Në fakt, dhe intervista jonë s‘është vetëm për të kërkuar ndihmë, por për të kërkuar solidaritet. Më pyesnin shumë për intervistën që bëmë bashkë para një viti, dhe më pas intervistova edhe Misha Glenin, me të cilin folëm gjithashtu për mafien. Por këtu, në Shqipëri, një gazetar që ka shkruar specifikisht për mafien, e goditën dy javë më parë.

Kam dëgjuar për këtë ngjarje dhe është shumë e rëndë. Shqipëria, në këtë pikëpamje, gjendet edhe një herë tjetër si binjake me Italinë. Shteti shqiptar, pjesërisht edhe Kosova, gjithnjë e më shumë duken si zona influence, sesa shtete autonome. Kjo do të thotë se ka një vazhdueshmëri të drejtimit të pushtetit midis Italisë dhe Shqipërisë. Kjo ngjarje e rëndë që i ndodhi një gazetari, i cili u rrah, tregon se edhe në Shqipëri fjala e lirë, të treguarit, denoncimi, është një pushtet absolutisht i rrezikshëm, ndonjëherë madje edhe i ndaluar. Pra, në sipërfaqe është një demokraci, por thellë-thellë mbetet një regjim. Flitet shumë pak për mafien shqiptare dhe pushtetin sipërmarrës dhe kriminal në Shqipëri. Por në zonat e Italisë së jugut, prania e mafies shqiptare, sidomos marrëdhënia me ta, është konstante, tashmë prej më shumë se 10 vjetësh. Ata që këtu në Itali kanë arritur të shpëtojnë nga e keqja shqiptare, janë bashkësia e shqiptarëve të ndershëm. Si gjithnjë, në shumë territore, në të vërtetë nuk është policia ajo që e ndalon kriminalitetin, por pjesa e shëndetshme e bashkësisë. Për shembull, në Gjermani, ndalimi i hyrjes së mafies italiane atje është realizuar nga bashkësia e italianëve të ndershëm. E njëjta gjë ka ndodhur pjesërisht edhe në Itali me bashkësinë e ndershme shqiptare. Thënë kjo, mendoj se një nga problemet më të mëdha është heshtja e plotë mbi faktet shqiptare, pjesërisht bashkësia shqiptare në Maqedoni, pasi mafia shqiptare është një nga më të rrezikshmet e botës.

Po flisja me një koleg të RAI-t për ngjashmërinë mes protestave "No B Day" të opozitës në dy vendet tona, më 5 dhjetor, por pashë që interesi i tij ishte më i madh për Brendën, tranvestitin e vrarë këto ditë. Doja të dija nëse problemet tona, gjuha jonë, janë ndryshe apo të njëjta... bashkë me zgjidhjet... Pra, na mungon liria në të njëjtën mënyrë? Mungon liria në të njëjtën mënyrë në të gjithë botën?

Në të vërtetë them se po. Në pikëpamjen zyrtare, ajo që po ndodh në Shqipëri, pra mungesa e lirisë, është e ngjashme me atë që po ndodh në Itali dhe në shumë vende të botës. Besoj se është edhe si pasojë e krizës. Kriza i vështirëson gjërat, ndaj dhe njerëzit përshtaten duke pasur më pak liri, nëse kjo do të thotë të mbijetosh apo në një farë mënyre të zgjidhësh pak më shumë problemet e përditshme. Kështu që njerëzit e shpërfillin e s‘duan t‘ia dinë më për politikën. Veç kësaj, është gjithashtu e vërtetë se Europa e shpërfill shumë informacionin që vjen nga Shqipëria. Pra, vlen më shumë gjithçka që ndodh në Rripin e Gazës, ose në Vatikan, sesa ajo që mund të ndodhë në Shqipëri, apo në zona të tjera të Ballkanit. Dua të them se një nga problemet më të mëdha, që izolon edhe gazetarët më të guximshëm, është sepse edhe në gazetari ekzistojnë territore që konsiderohen si të kategorisë së dytë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›