E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, gjykata pranon tre ish-ministra si dëshmitarë

Ministra dhe ish-ministra do të dëshmojnë për tragjedinë e Gërdecit. Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e avokatit Bujar Himçi, që mbron interesat ligjore të të pandehurit Ndue Marku, që në seancë të dëshmojnë tre deputetët aktualë të mazhorancës Mediu, Bumçi dhe Alibeaj. Kreu i trupit gjykues, Ridvan Hado është shprehur dje se gjykata pranon të gjithë dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja, në përjashtim të atyre që nuk kanë adresa apo kanë gabime ortografike. Gjykata ka deklaruar se kërkesat e mbrojtësve janë të ligjshme dhe si të tilla ato do të zbatohen në mënyrë kronologjike gjatë gjykimit të kësaj çështjeje siç janë në radhën e provave që do paraqiten në gjykatë.

Tre deputetë dëshmitarë
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-ministrat e Drejtësisë, Aldo Bumçi, dhe Enkelejd Alibeaj, janë thirrur si dëshmitarë për të vërtetuar pafajësinë e gjeneral Ndue Markut. Një seancë më parë, kur mendohej se të gjithë të pandehurit dhe avokatët e tyre kishin mbaruar diskutimet hyrëse dhe kërkesat paraprake, i pandehuri Ndue Marku, drejtori i Harmonizimit të Legjislacionit në ushtri, i ka kërkuar gjykatës që të thërrasë si dëshmitarë tre ministra dhe ish-ministria. Krahas ish-ministrave është kërkuar dëshmia edhe e Hasan Metukut, drejtorit të çështjeve juridike e të koordinimit në Këshillin e Ministrave. Marku deklaroi një seancë më parë se prokuroria duhej të kishte trokitur në derë tjetër për të gjetur përgjegjësinë administrative për këto gjëra, pastaj të mendohej për të gjetur edhe përgjegjësinë penale në varësi të saj. Ai thotë se akuza vërehet se është kolektive dhe nuk është e individualizuar, duke shkelur në këtë mënyrë parimin e individualizuar të përgjegjësisë penale të nxjerrjes së përgjegjësisë konkrete të secilit. Në fund theksohet se nga dosja hetimore rezulton se prokuroria ka akuzuar në mënyrë selektive disa persona, duke mos bërë të njëjtën gjë me disa të tjerë, ndonëse kanë nënshkruar së bashku në të njëjtin akt.

Dëshmitarët e tjerë
Në listën e parë të dëshmitarëve do të jetë dhe nëna e një prej viktimave të tragjedisë së 15 Marsit të vitit 2008 ku humbën jetën 26 persona. Zonja Zamira Durda do të dëshmojë për ditën e tragjedisë. Ajo është dhe një prej personave që ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme padi penale për Ministrinë e Mbrojtjes. Për seancën e datës 7 dhjetor, prokuroria ka thirrur 12 dëshmitarë, kryesisht persona që punonin në fabrikë, si dhe dëshmitarë të shpërthimit të 15 marsit në Gërdec. Akuza thotë se me këta dëshmitarë do të zbardhin mekanizmin e shpërthimit tragjik, i cili u mori jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë. "Këta janë dëshmitarë në vendngjarje, si dhe kanë punuar në fabrikën e demontimit. Njohin të gjitha kushtet që ishin në fabrikë, për sa i përket sigurisë dhe detajeve të tjera", tha prokurori Altin Dumani në seancën e djeshme gjyqësore.

Përplasja për mediat
Avokati i Mihal Delijorgjit, Maks Haxhia, deklaroi në seancën e djeshme se media po abuzon me deklaratat që janë bërë në gjyq nga mbrojtësit e të pandehurve. "Ne këtu nuk përcaktojmë se kush është fajtori, pasi ajo i takon prokurorisë. Ju kërkoj zotërinj gjyqtarë që gazetarët të mos marrin pjesë në seancat gjyqësore", tha avokati Maks Haxhia, ndërsa reagoi menjëherë kreu i seancës, Ridvan Hado, i cili tha se "Zotëri avokat, seancat janë publike". Megjithatë, avokati vazhdoi idenë, ndoshta duke marrë shkas pasqyrimet në media të deklaratës së tij një seancë më parë teksa citonte se "fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec është ngritur nga Ministria e Mbrojtjes". Haxhia shtoi se "mediat po na bëjnë presion dhe i lutemi që të pasqyrojnë me përgjegjësi gjyqin". Kundërshtimi erdhi menjëherë nga gjyqtari Hado, duke iu rikujtuar edhe njëherë avokatit, që është njëkohësisht edhe kreu i dhomës kombëtare të avokatisë, se këtu nuk është një konferencë për shtyp, por një gjyq serioz ku po gjykohet një ngjarje tragjike e ndodhur në Gërdec. Në "mbrojtje" të avokatit Maks Haxhia ka ardhur edhe Arben Prifti, mbrojtësi ligjor i Dritan Minxollit, kunati i Mihal Delijorgjit. Edhe ai ka ripërsëritur frazën se "mediat po na bëjnë presion" dhe me një ton të lartë i ka kërkuar gjykatës që seancat të bëhen pa praninë e tyre. Në fund, gjykata, e detyruar nga dy avokatët mbrojtës, u ka bërë thirrje përfaqësuesve të medias që ndodheshin në sallën e gjyqit që të pasqyrojnë realitetin dhe vetëm realitetin.

S.Çobo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›