E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te Tirana ka sërish "grup" armiqësor

Tirana si gjithnjë vazhdon të mbetet një "minë me sahat", të cilës i mjafton shumë pak për t‘u ndezur. Që kjo Tiranë do të kishte probleme, një fakt ti tillë u duk që në verë, ku përveç përplasjeve donatorë-bashki për asamblenë, skuadra mori një trajner "të madh", por këtë e shoqëroi me një merkato të varfër. Javët e para të sezonit ishin katastrofë për bardheblutë, të cilët rrezikuan deri edhe vendin e fundit në tabelë, por pas 7 ndeshjeve të nisë një ringritje e skuadrës, e cila krijoi iluzionin e rikthimit të Tiranës së madhe, pretendentes së zakonshme në luftën për titull. Me këtë eufori djemtë e Alban Tafajit zbarkuan në Laç, ku u hasi sërish "sharra në gozhdë". Mjaftoi një autogol, i cili vulosi humbjen 1-0 në ndeshjen e javës së 11-të dhe problemet të riktheheshin sërish mes 24 herë kampionëve të Shqipërisë. Menjëherë pas humbjes në Laç, ka reaguar shefi i klubit, Rauf Dimraj, i cili ka deklaruar se skuadra nuk po punon mirë. Shigjetat e Dimrajt shkuan në drejtim të disa lojtarëve, që sipas tij, mbahen si profesionistë, por nuk janë të tillë në stërvitje. Ndërkohë që u tregua i rezervuar në bërjen publike të emrave konkretë. Po ashtu, shefi i klubit nuk harroi të theksonte se që një klub të shkojë mirë, duhet të funksionojnë të gjitha hallkat. Por te kjo Tiranë, sipas tij, një hallkë nuk funksionon. Pika, ku ai vuri gishtin, ishte mungesa e një përgatitësi atletik, gjë që e konsideroi si shumë të nevojshme. Megjithatë, këto deklarata të shefit Dimraj nuk janë pritur mirë nga grupi i futbollistëve, ku shumë prej tyre nën zë, kanë lënë të kuptohet se brenda klubit po rishfaqen sërish "grupet" armiqësore. Mbrojtësi korçar i bardhebluve, Tefik Osmani, la të nënkuptohej se fjalët e shefit të klubit, lënë një shije të hidhur për faktin se tregojnë se duan të sulmojnë skuadrën në momentin e parë që ajo nuk ecën mirë, ndërsa askush nuk fliste kur ne ishim në formën më të mirë. Për ish-lojtarin e Kombëtares kuqezi, tashmë skuadra Tirana verifikoi se ka edhe një kundërshtar më shumë. "Rauf Dimraj po punon në të njëjtin krah me kundërshtarët tanë në kampionat, ishte konstatimi i mbrojtësit Osmani. Deklaratat e tij vijnë në një moment të vështirë të ekipit dhe unë dua ta pyes për arsyet përse nuk foli atëherë kur ne fitonim, por tani që u rrëzuam". Sipas tij, ky reagim në fakt e ka një shkak, që lidhet me interesat personale të Dimrajt, i cili duket se prej kohësh ia ka vënë syrin postit të përgatitësit atletik. "Ai dëshiron të jetë përgatitësi ynë atletik, por nuk do t‘ia arrijë", u shpreh Osmani, në lidhje me një ambicie të mundshëm të shefit të klubit për të mbajtur një post edhe në stafin teknik të skuadrës. Gjithsesi, kjo polemikë nuk e favorizoi aspak situatën që po kalon skuadra, e cila pas humbjes në Laç, tashmë është 12 pikë larg kreut dhe e shikon veten thuajse plotësisht larg luftës për titull. Ekipi i trumbetuar shumë si pretendenti kryesor për të mbrojtur kurorën e kampionit tashmë do të duhet të rishikojë edhe njëherë objektivat, pasi shanset për të rikuperuar diferencën me Dinamon janë të vogla, dhe vetëm një mrekulli do të mund t‘i rikthente bardheblutë në garë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›