Zannier: Në Kosovë është shënuar progres
Shefi i UNMIK’ut, Lamberto Zannier, ka deklaruar se në Kosovë është shënuar progres gjatë tre muajve të fundit, ka qenë një situatë stabile dhe nuk ka pasur kriza të mëdha.
“Por, unë them se është i nevojshëm që dialogu ndërmjet komuniteteve të vazhdojë”, ka thënë ai, në një intervistë për radion Deutche Welle.
Zaneri ka bërë të ditur se raporti i tij për zhvillimet në Kosovë që do të prezantohet në Këshillin e Sigurimit të OKB’së fokusohet në zhvillimet e tre muajve të fundit. “Raporti aktual do të përfshijë zgjedhjet lokale të Kosovës, që u zhvilluan në muajin nëntor, zhvillimet politike si ato në nivelin qendror ashtu edhe lokal dhe për këtë vlerësimi im është që ka pasur progres nga të gjithë mekanizmat, në kompetencat që ato kanë”, ka thënë ai.
Sipas tij, administrata e Kombeve të Bashkuara është ende e nevojshme në Kosovë. Ky mision, ka thënë Zannier, mund të ndihmojë në lehtësimin e raporteve ndërmjet komuniteteve dhe mund të ndihmojë Kosovën të lidhet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, që nuk e njohin pavarësinë e saj.