Në fazën përfundimtare dokumenti zyrtar për Komisionitn Europian
Përgjigjet ndaj Pyetësorit Europian, 3800 faqe
Qeveria shqiptare ka mbërritur në procesin e faqosjes së dokumentit zyrtar, që do t’i dorëzojë Komisionit Europian në 14 prill, si përgjigje ndaj pyetësorit, një skaner i realizimit dhe zbatimit të reformave që mundësojnë integrimin. Flitet për një dokument voluminoz prej 3800 faqesh, ku pala shqiptare ka respektuar kushtet bazë të vendosura nga pala komunitare, cilësinë dhe afatet. Tashmë puna është në dorën e Qendrës së Publikimeve Zyrtare.
është parashikuar që përgjigjet e palës shqiptare të përmblidhen në katër fashikuj. Botimi shoqërohet nga një fjalim i Ministres së Integrimit në formën e hyrjes si dhe fjala e Kryetarit të Qeverisë shqiptare Sali Berisha. Fashikulli i parë do të përmbajë kapitujt që lidhen me kriterin ekonomik dhe atë politik.
Publikimi i këtij dokumenti është vijimësi e një procesi të gjatë dhe voluminoz pune të koordinuar dhe drejtuar nga Ministria e Integrimit Europian. Në përgjigjen e 2280 pyetjeve u angazhuan ndër të tjerë dhe 28 ekspertë të huaj, 67 përkthyes, 35 grupe ndërinstitucionale pune, të cilët zhvilluan të paktën 160 takime, për dokumentin punuan mbi 1200 punonjës të Administratës Publike.
Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në 28 prill të vitit 2009, brenda pak muajve në 16 dhjetor të po këtij viti, Ambasadori i KE në Shqipëri Helmut Lohan, i dorëzon kryeministrit të Shqipërisë pyetësorin europian me plot 35 kapituj.
Prej këtij momenti, pala shqiptare u angazhua në përfundimin brenda afateve të punës me pyetësorin, që parashikonte fundin e muajit mars, si afat i paracaktuar nga Komisioni Europian.
Mbyllja në kohë e punës, përgatit një tjetër fazë të rëndësishme të procesit, e cila starton të 14 prill në Bruksel kur autoritetet më të larta të qeverisë shqiptare do të dorëzojnë zyrtarisht përgjigjet ndaj pyetësorit europian.