Imami: Çdo kontribut në kuadër të Bashkimit Evropian, i shërben sigurisë dhe stabilitetit

Shqipëria dërgon kontingjentin e 5-të paqeruajtës në misionin ALTHEA të BE, në Bosnje-Hercegovinë
Në Brigadën Logjistike u zhvillua ceremonia për përcjelljen e Kontingjentit të 5-të Paqeruajtës, pjesëmarrës në misionin ALTHEA të Bashkimit Europian në Bosnje-Hercegovinë.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral brigade Maksim Malaj, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, familjarë dhe të afërm të ushtarakëve paqeruajtës etj. Pas fjalës që mbajti komandanti i Brigadës Logjistike gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, të pranishmit i përshëndeti ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i cili tha se njësia prej dy vjetësh përfaqëson me dinjitet vendin dhe ushtrinë tonë në misionin ALTHEA të BE në Bosnje-Hercegovinë.
“Ky është një mision shumë i rëndësishëm jo vetëm për shkak të autonomisë dhe rolit që ka, por ai përfaqëson kapacitetet tona profesionale në fushën e demontimit të municioneve”, tha ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
Sipas tij, përvoja e grumbulluar në këto misione, është një bazë e fuqishme për të vazhduar me sukses këtë mision të rëndësishëm për demontimin dhe shkatërrimin e municioneve të tepërta në Shqipëri, si dhe për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në kuadër të NATO-s.
Më tej, ministri Imami, duke folur për festimin me madhështi të 1-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, theksoi se padyshim arritjet tona janë të mëdha, por edhe detyrat për të ardhmen janë gjithashtu të mëdha.
“Ky mision jep një kontribut për forcimin dhe ruajtjen e sigurisë në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor. Kështu që çdo kontribut që japim atje i shërben sigurisë si në vendin tonë, ashtu edhe në rajon”, deklaroi Imami.
Duke iu drejtuar ushtarakëve të këtij kontigjenti, z. Imami tha se, ky mision kryhet në kuadër të BE-së dhe ju jeni dallëndyshet e para në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Brigada Logjistike nëpërmjet efektivave të Qendrës së Asgjesimit të Municioneve dhe Eksplozivave kontribuon në misionin ALTHEA në Bosnje-Hercegovinë që nga pranvera e vitit 2008.
Misioni që kryejnë Forcat tona të Armatosura në Bosnjë-Hercegovinë shënon të parin mision që kryhet me kapacitete të plota operacionale, financiare e logjistike. Pjesëmarrja e këtij kontigjenti në Bosnjë-Hercegovinë bëhet në kuadër të marrveshjes që Republika e Shqipërisë ka bërë me Bashkimin Europian në maj 2005 për pjesëmarrje me trupa në operacionet ushtarake të BE-së për menaxhimin e krizës në Bosnje-Hercegovinë.