Në dy muaj pesëfishohet xhiroja në Portin e Durrësit
Ditët e para të janarit 2010 kanë nisur me vrullin e punës së dhjetëra bizneseve në portin më të madh detar të vendit. Sipas statistikave portuale, vetëm në dy muajt e fundit është pesëfishuar puna, e parë kjo nga këndvështrimi i rritjes së volumit të punës tek bizneset e ndryshme.
Duket se pas një periudhe të shkurtër qetësie, është ndier një përmirësim i ndjeshëm i bizneseve të lidhura me hyrjen e daljen e anijeve, kryesisht atyre të eksport-importeve të mallrave.
Drejtori i Autoritetit Portual Durrës (APD), Eduart Ndreu, deklaroi dje për “standard” se “viti 2010 ka nisur po aq mbarë sa edhe mbyllja e vitit 2009, gjatë këtyre ditëve në kalatat e portit janë ankoruar dhjetëra anije mallrash të cilat kanë shkarkuar kryesisht drithëra buke dhe materiale për sektorin e ndërtimit. Një situatë e tillë ka bërë që të rriten edhe treguesit ekonomikë. Ne ofrojmë siguri për bizneset vendase dhe ato të huaja, por edhe taksa të ulëta”.
Porti detar në javën e parë 2010
Ndreu tha: “Gjatë ditëve të para të janarit 2010, në port kanë hyrë dhe janë përpunuar 12 anije tregtare të tonazheve të ndryshme. Ato kanë sjellë nga importi grurë, miell, çimento dhe lëndë të tjera ndërtimi, si dhe mallra ushqimore që në gjuhën e portit quhen miks. Janë rreth 45 mijë tonelata mallra, të cilat duke iu bashkuar shumatorit të ditëve të shkuara, bënë që treguesit financiarë të APD-së dhe ato të doganës të përmirësohen”.
Dihet që të ardhurat e doganës nuk derdhen në arkën e portit, por direkt në atë të shtetit. Porti është sh.a. me kapitale shtetërore dhe të ardhurat i grumbullon nëpërmjet taksave dhe tarifave portuale, pjesa më e madhe e të cilave gjithashtu përfundon në arkën e shtetit. Punëtorë të ngarkim-shkarkimit shprehen: “Puna ka nisur të rritet, sidomos gjatë ditëve të fundit, kalatat janë të mbushura me anije tregtare”.
Situata
Situata më e fundit i ka bërë bizneset optimiste, pasi sipas zyrtarëve të portit, “kjo është faza kur tregtarët grosistë lidhin kontratat vjetore me partnerët e huaj”. Gjithçka në mbarëvajtjen e portit varet prej tyre. Specialistët parashikojnë treg të mirë shitjeje, çka do të thotë punë për agjencitë detare, për kamionistët, për grupet e ngarkim-shkarkimit si dhe për të gjithë rrjetin tregtar të lidhur me portin kryesor të vendit.
Sipas statistikave, rezulton se deri 50 për qind e importeve në shkallë vendi realizohen nga porti i Durrësit. Dogana që ndodhet në port, e mbush arkën e shtetit mesatarisht me rreth 350 milionë dollarë në vit, ndërsa porti vetë 150 milion dollarë në vit, vlera të cilat pritet të rriten për vitin 2010.
Durrësi i mbushur me distributorë karburantesh
Karburantomania quhet “epidemia” më e fundit e biznesmenëve, të cilët i janë sulur blerjes dhe ngritjes së pikave të karburanteve, madje fare pranë njëri-tjetrit. Duke ndjekur një studim të zyrës së Statistikave në Prefekturën e Durrësit, konstatojmë se vetëm qyteti në gjithë segmentet e veta rrugore gjendet i mbushur me pika karburanti apo siç quhen ndryshe distributorë. Në pamjen e parë duket sikur kompanitë e karburanteve janë vënë në garë mes tyre se cili do të ketë më tepër pika shitjeje apo siç njihen rëndom distributorë të karburanteve. Kështu në një hapësirë realitivisht të vogël apo në çdo 5-6 km gjendet një i tillë dhe në krejt hapësirën rrugore janë ndërtuar disa dhjetëra të tillë e ndërkohë vazhdojnë kërkesat për leje ndërtimi për të tjerë distributorë fare pranë atyre ekzistues. Por një situatë e tillë, çuditërisht, nuk ndikon edhe aq në uljen e xhirove të secilit prej distributorëve.
66 në Durrës dhe 67 në shkallë prefekture
Gjithsej, statistikat flasin për afro 133 pika të vogla dhe të mëdha karburantesh në shkallë prefekture, të ndara në 66 për Durrësin dhe 67 në Krujë-Fushë, Krujë e komuna. Kështu, në aksin rrugor Durrës - Maminas, vetëm fare pranë autostradës numri i distributorëve ka arritur në 24 të tillë. Ato zënë fill që brenda portit detar në kundërshtim me ligjin, pasi porti konsiderohet zonë doganore dhe vazhdojnë ngjitur me hyrjen nr. 2 të portit të BKT, gjithashtu në kundërshtim me ligjin, pasi është ngjitur me pallatet e banimit dhe për të vijuar përgjatë rrugës tek Ura e Dajlanit, ku brenda distancës së 600 metrave, funksionojnë edhe tre të tjerë. Më tutje janë ndërtuar 8 copë të tjerë në rrugën Shkozet - Sukth nga ana e Shijakut. Ndërsa që nga Ura e Dajlanit e deri në Maminas funksionojnë plot 22 distributorë të cilët janë ndërtuar në të dyja anët e rrugës Durrës - Tiranë. Një rrjet tjetër distributorësh është ndërtuar në rrugën e Ndroqit. Që nga Plepat e deri në Rromanat janë ndërtuar 8 distributorë dhe në proces janë edhe 3 të tjerë, pa llogaritur ato që janë në ndërtim. Ndërkohë, në të gjithë rrethin e Durrësit janë ndërtuar deri tashti 66 copë distributorë.
Studimi i munguar
Studimi lidhur me ngritjen dhe funksionimin e tyre mungon në njësitë e pushtetit vendor, në bashki e komuna. Në Durrës nuk ekziston asnjë studim për strategjinë e këtij biznesi. Vetëm në mbledhjen e fundit të KRRT së Bashkisë në Durrës u dhanë 4 leje për ndërtime distributorësh në një kohë që KRRT e komunave dhe bashkive të nivelit të dytë e të tretë në rrethin e Durrësit nuk e kanë kursyer dorën për dhënien e lejeve të ndërtimit për këtë lloj biznesi të kushtëzuar më parë nga lëshimi i licencave. Një situatë e tillë ka krijuar kaos në këtë veprimtari, e cila ka ndikuar në uljen e xhirove të punës për një numër të madh pikash të tilla. Specialistë të kësaj fushe shprehen se “vendet e BE-së e kanë të përcaktuar numrin e tyre në bazë të flukseve të automjeteve dhe madhësisë gjeografike të qyteteve dhe rajoneve”.