E Diel, 1 Nëntor 2026

Në fokus të Dhomave Ballkanike të Tregtisë

11/03/2009  Kriza financiare

Efektet e krizës globale mbi ekonomitë e vendeve të rajonit dhe masat e marra nga biznesi për përballimin e saj do të jenë në qendër të mbledhjes së Asamblesë së përgjithshme të Dhomave të Tregtisë së Ballkanit, kryesinë e së cilës e mban Shqipëria. “Synimi është të dalim me masa konkrete si përfaqësues të bizneseve për përballimin e krizës, me aq sa shfaqet ajo në rajonin tonë”, - thotë Ilir Zhilla, president i Asamblesë së përgjithshme të Dhomave të Tregtisë së Ballkanit. Sipas tij, kësaj situate duhet t’i përgjigjemi shpejt dhe me vrull për t’i qartësuar bizneset, duke i orientuar në tregjet e njëri-tjetrit. Takimi i radhës i Asamblesë që do të mbahet më 12 mars, i mbështetur nga Dhoma e Tregtisë së Gjermanisë, do të diskutojë dhe masat që duhen marrë në sektorë të veçantë të prekur nga kriza globale si turizmi, tregtia, sistemi bankar, ndërtimi dhe shërbimet. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësuesit e Unionit të Dhomave të Tregtisë së Turqisë, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Pjesëmarrjen më të madhe do ta ketë delegacioni turk në përbërjen e të cilit do të jenë industrialistë dhe bankierë. “Do të diskutohet dhe për rritjen e shkëmbimeve tregtare në rajon si dhe lehtësimin e barrierave doganore”,- thotë Zhilla. Asambleja e përgjithshme e Dhomave të Tregtisë është krijuar për shkak të rëndësisë parësore që luan bashkëpunimi rajonal në nxitjen e zhvillimit ekonomik si dhe në inkurajimin e stabilitetit politik. Vendet e rajonit e njohin vlerën e këtij bashkëpunimi nëpërmjet përvojës direkte, veçanërisht në tregti, infrastrukturë dhe tërheqje investimesh. Një sërë biznesesh dhe kompanish shqiptare po gjenden në vështirësi për shkak të efekteve të krizës globale në vendin tonë. Këto efekte kanë qenë të paralajmëruara nga autoriteti mbikëqyrës i sistemit bankar. Mes tyre përmenden edhe ulja e dërgesave të emigrantëve, apo ulja e eksporteve të prodhimeve shqiptare drejt tregjeve të huaja të rajonit apo më gjerë. Sipas të dhënave të fundit të bëra publike, eksportet dhe importet në vend kanë pësuar një rënie të madhe. Ndërsa në të kundërt, është rritur kostoja e jetesës për konsumatorët shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›