E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në formë pas festave

 
Pas ditëve festive e të begata në ushqim, të gjithë ne e gjejmë veten duke bërë bilancin e kileve të tepërta. Me pak durim e sidomos me një regjim ushqimor të shëndetshëm, synojmë të kthehemi në formë
 
 
Alisa Leskaj
Përgjatë festave është normale që ta gjejmë trupin tonë me një shtesë të madhe kalorike, si pasojë e konsumimit të ëmbëlsirave dhe pijeve alkoolike. Por më e rëndësishme është që në janar të rimarrim rutinën e të ushqyerit të shëndetshëm dhe kështu të rikthejmë peshën e duhur. Të kthehesh në një stil jetese me një ushqyerje më të shëndetshme është më e rëndësishme se aktiviteti fizik, sidomos për ata të cilët vuajnë nga mbipesha, obeziteti, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, kolesteroli i lartë etj.
Si të veprojmë kur festat mbarojnë?
1.         Të kontrollojmë numrin e vakteve. Duke u kthyer në konsumimin e tyre në orare normale dhe të njëjtë çdo ditë. Duhet të kujtojmë se vaktet e përditshme duhet të jenë pesë, tre parësore (mëngjesi, dreka dhe darka) dhe dy në formën e zemrës (një në mes të mëngjesit dhe tjetri pasdite). Ky regjim lejon rritjen e metabolizmit, ndihmon në dobësim apo në ruajtjen e peshës trupore.                                         
2.         Kontroll ndaj pijeve: duke eliminuar pijet alkoolike apo të ëmbla, duke pirë shumë ujë apo çaje të ndryshëm, 1,5 deri në 2 litra në ditë.                                                       
3.         Lëvizni më shumë! Janë të pakët ata persona të cilët shkojnë në palestër rregullisht. Por kjo nuk e justifikon faktin se duhet të rrimë dhe të mos bëjmë asnjë aktivitet fizik. Duhet të bëjmë aktivitet fizik tri herë në javë. Rreth 45-60 minuta për shembull, të ecim, vrapojmë, notojmë apo kërcejmë. Më e rëndësishmja është që këta aktivitete të jenë të pëlqyeshëm, pasi kjo çon që edhe rendimenti të jetë i lartë dhe padyshim që të lë dëshirën për ta përsëritur.                                                                       
4.         Kurrë mos harrojmë të hamë mëngjes, pasi është vakti më i rëndësishëm i krejt ditës. Për të përforcuar këtë mendim vjen hulumtimi, i cili vërteton se konsumimi i karbohidrateve në mëngjes përforcon aftësinë e memories. Pra, të hash mëngjes para se të shkosh në punë apo shkollë të ndihmon në relaksim dhe mendime më të kthjellëta.                                                                                                                                                                  
5.         Kujdes me tipologjitë e pjekjes! Më të shëndetshme janë pjekjet në furrë, mikrovalë, të ziera, në skarë dhe për t’u evituar janë skuqjet apo përgatitjet me majonezë, gjalpë dhe yndyra të tjera.                                                                                                                             
6.         Rrisni sasinë e frutave dhe perime. Dietologët rekomandojë ngrënien e tre apo katër vakteve me fruta dhe dy ose tre me perime, për të pasur një regjim ushqimor të ekuilibruar me vitamina e minerale, të pasur me fibra dhe më pak kalori.
 
 
Vetëm 24 orë
Nëse e keni mbingarkuar veten në festa apo në kokteje të shumta, mos u ndjeni nën panik. Vetëm ndiqni dietën “Hani si një engjëll” që zgjat 24 orë. Ndiqeni këtë dietë përpara mbrëmjes që keni në zyrë apo para ndonjë nate tjetër kur ju të çmendeni paksa. Mos e ndiqni planin më shumë se një ditë në kaq kohë dhe maksimumi dy herë në javë.
 
Mëngjes: Një shishe të vogël me lëng probiotik, plus një fetë buke dietike të lyer me marmelatë.
Mesditë: Një banane.
Drekë: Sallatë të madhe jeshile me dy fileto të vogla të grira pule dhe 125g ton.
Darkë: Një pjatë me perime të ziera me lëng limoni dhe piper të zi. Shoqërojeni me peshk ose salmon. Në fund fruta të freskëta.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›