Gjendet i masakruar 70-vjeçari, mister motivet
Trupi i pajetë i një të moshuari nga Tirana është gjetur në fshatin e tij të lindjes, në periferi të kryeqytetit. Policia: Kemi dyshime për barinjtë e zonës
Artan CENA
TIRANë - Një 71-vjeçar nga Tirana, i cili ishte zhdukur që prej një jave, është gjendur dy ditë më parë i masakruar me mjetet të forta në fshatin e tij të lindjes, në periferi të kryeqytetit. Policia e Tiranës tha zyrtarisht, se dy ditë më parë, një telefonatë ka njoftuar për gjetjen e trupit të pajetë të Shefik Grorit, i cili ishte larguar rreth një javë më parë nga banesa e tij në lagjen “Allias” të kryeqytetit. Trupi i pajetë i të moshuarit është gjendur nga banorët e fshatit Arbanë, të cilët kanë njoftuar menjëherë uniformat blu. Specialistët kundër krimeve ndaj jetës janë nisur me urgjencë drejtë fshatit Gror, disa kilometra në periferi të kryeqytetit, ku kanë nisur hetimet mbi shkaqet dhe autorët e ngjarjes, por pa mundur të zbulojnë asgjë për ngjarjen e rëndë. Ajo që konfirmohet deri tani nga policia e Tiranës, ka të bëjë me faktin se i moshuari ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë që më datë 25 dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa gjatë kësaj kohe mësohet se ka qëndruar te pronat e tij, të ndodhura në fshatin Gror, ku dhe jetonte i vetmuar. Policia tha se për ngjarjen në fjalë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, ndërsa materialet përkatëse i janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës.
Ngjarja
Nga dëshmitë e mbledhura nga uniformat blu, i moshuari që në datën 25 ishte larguar nga banesa e tij në lagjen “Allias” në Tiranë dhe kishte shkuar te pronat në fshatin Gror. Këtu ai kishte ndërtuar edhe një kasolle, ku qëndronte herë pas here, gjatë kohës që largohej nga banesa e tij në kryeqytet. Ndërkaq, mësohet se 71-vjeçari kujdesej edhe për pronat, në të cilat kishte të mbjella kultura të ndryshme bujqësore. Por disa ditë më parë, persona të paidentifikuar kanë shkuar në kasollen e tij dhe e kanë qëlluar me sende të forta, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme të moshuarit. Pasi e kanë vrarë, autorët, që mbeten ende të paidentifikuar nga policia, janë larguar nga vendi i ngjarjes. Të parët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë qenë efektivët e Komisariatit Nr. 4, të cilët kanë marrë dhe njoftimin me anë të një telefonate. Këta të fundit në bashkëpunim me specialistët kundër krimeve ndaj jetës kanë nisur hetimet dhe sipas të dhënave, dyshimet e para kanë rënë mbi disa çobanë të zonës. Por policia ende nuk ka mundur të sigurojë prova të forta, me qëllim që të vinte ndonjërin prej tyre nën akuzë.
Hetimi
Pasi kanë mbledhur provat në vendin e ngjarjes, janë marrë edhe dëshmitë e familjarëve, të cilët kanë treguar për policinë se 71-vjeçari shkonte dhe rrinte ndonjëherë në kasollen e ndërtuar. Burime nga policia thanë se janë duke hetuar në pistën e grabitjes të të moshuarit, por gjithashtu edhe për ndonjë konflikt pronësie që ai mund të ketë pasur më parë me ndonjë banor të fshatit. Burime zyrtare nga policia thanë se pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë grupi hetimor i formuar për të sqaruar më tej rrethanat, motivet, si dhe administruan të gjitha provat në vendngjarje. Burime nga policia thanë se të dyshuar për këtë ngjarje janë disa çobanë, por ende nuk ka prova për fajësimin e tyre. Ndërkaq, ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar personat e paidentifikuar që të kryenin këtë krim. Pas hetimeve të para, dosja me materiale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vrasjes me dashje”.
Policia/19-vjeçari Cangu, mësues në një shkollë 9-vjeçare
Arrestohet mësuesi dhe dy shokë të tij, tentuan të trafikojnë 20 kg hashash
DURRëS - Tre të rinj nga Kruja, midis të cilëve edhe një mësues, janë vënë në pranga nga uniformat e policisë së Komisariatit Krujë, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Burime të policisë së Qarkut Durrës kanë bërë të ditur se pasditen e djeshme janë arrestuar Andi Stojani, 18 vjeç, banor i fshatit Bilaj të Krujës, Spartak Cangu, 19 vjeç, banues në Verjon Nikël të Krujës, si dhe Edi Brata, 32 vjeç, nga Verjoni i Krujës. Të njëjtat burime kanë shtuar se Andi Stojani është student, ndërsa Spartak Cangu aktualisht është mësues në shkollën 9-vjeçare të Niklës në Krujë. Lidhur me personin e tretë, Edi Brata, ai është mekanik dhe i punësuar në fabrikën e tullave në Fushë-Krujë. Burimet policore kanë bërë të ditur se të tre personat kanë qenë duke udhëtuar me një autoveturë me targa greke në aksin rrugor Fushë-Krujë - Tiranë. Në afërsi të fshatit Arameras ata janë ndaluar dhe në mjetin tip “Honda” me targa NHO 3778, pronë e shtetasit Edi Brata, është gjetur një sasi prej rreth 20 kg lëndë narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit kanabis sativa. Kapja e tre personave është realizuar në bashkëpunim me strukturat e policisë së Durrësit e Krujës nëpërmjet operacionit të koduar “Start 2010”. Burimet e policisë kanë deklaruar se pas peshimit, lënda narkotike kishte një peshë prej 19.693 kg. Ajo ishte fshehur në bagazhin e mjetit me të cilin udhëtonin tre të rinjtë. Ajo ishte e thatë dhe kishte formën e një bohçeje. Lënda narkotike ishte futur në dy thasë, por nuk ishte presuar apo të fshihej mirë nga personat që udhëtonin në këtë autoveturë. Tre të rinjtë janë arrestuar dhe për ta ka filluar procedimi penal për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që goditet aktiviteti i paligjshëm i prodhimit apo shitjes së lëndëve narkotike nga shërbimet e luftës kundër drogës në Durrës.
A.Kalemasi
Tentoi të arratisej me traget, pranga 19-vjeçarit
TIRANë - Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Elson Shehi, 19 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye, pasi dy ditë më parë, rreth orës 21:30, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë një lokali, pas një konflikti për motive të dobëta, 19-vjeçari ka tentuar të vrasë me armë zjarri, pistoletë, shtetasin Denis Bashkim Redhaj, 24 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje e mbetur në tentativë. Falë organizimit të shërbimeve policore në drejtim të kapjes së autorit të dyshuar, u mundësua kapja e tij në një kohë tepër të shpejtë, në tentativë për të larguar nga Shqipëria për në drejtim të Italisë me traget. Pas një koordinimi me shërbimet e Policisë Kufitare të Qarkut Durrës, u rikthye për kontroll trageti dhe pas një kontrolli të detajuar, specialistët e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës realizuan prangosjen e autorit të dyshuar. I plagosuri, shtetasi Denis Redhaj, aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, nën trajtimin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor i formuar u kryen të gjitha veprimet hetimore e procedurale. Ndërkohë që materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vrasjes me dashje”, e mbetur në tentativë.
A. Kalemasi
Aksident në Gërdec
Një i vdekur, tre të plagosur
TIRANë - Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e djeshme në Vorë, ku për pasojë ka vdekur një person dhe janë të plagosur tre të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Kthesa e Gërdecit, në Vorë. Makina tip “Benz”, në të cilën udhëtonte viktima dhe tre personat e plagosur, doli nga rruga, por shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Tre të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak, ndërkohë që burime pranë këtij spitali pohojnë se gjendja e tyre është mjaft e rëndë. Identiteti i viktimës nuk bëhet i ditur, por mësohet se ai ishte drejtuesi i mjetit, ndërsa të plagosurit ishin pasagjerë. Makina e përfshirë në aksident në të cilën udhëtonin 4 persona ishte me targa TR 6654 J. Policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe është duke hetuar për shkaqet e aksidentit. Por dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara mund të jetë njëri prej tyre.