Situata, 300 të infektuar me A/H1N1, gjashtë prej tyre janë rëndë
Brenda një jave janë konfirmuar 17 mijë persona të prekur nga gripi i zakonshëm dhe mbi 300 të tjerë me A/H1N1
Marsel LELA
TIRANë - Mbi 300 persona konfirmohen zyrtarisht të prekur me virusin A/H1N1, ndërkohë që raportohen mbi 17 mijë të prekur me virusin e gripit të zakonshëm brenda një jave. Virusi i gripit të derrit duket se ka gjetur terren në Shqipëri dhe po qarkullon lirshëm në të gjithë vendin.
Në të njëjtën situatë paraqitet edhe gripi i zakonshëm. Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, veç rasteve të prekura dhe të tjerëve të pakonfirmuar, janë edhe gjashtë persona në gjendje të rëndë, të cilët janë trajtuar me “Tamiflu” dhe po qëndrojnë në terapi.
“Javën e fundit edhe numri i rrugëve të sipërme të infeksioneve respiratore ka rënë, ka një rënie relative. Ndërkohë, rastet e rënda të konfirmuara me gripin pandemik janë 6 dhe janë në gjendje stacionare, por të rëndë klinikisht”, shpjegoi Pëllumb Pipero.
Deri më sot, në Shqipëri nga virusi A/H1N1 ka humbur jetën vetëm një person nga Sukthi, i cili vuante nga një tumor në prostatë. Por rrezikshmëria e këtij virusi vazhdon të shtohet dita-ditës, bashkë me përhapjen e tij të shpejtë. Duke sjellë në vëmendjen se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A/H1N1 është veçanërisht e lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo edhe me tumore, Ministria e Shëndetësisë këshillon të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialist, në çdo rast që kanë shenjat klinike qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë.
Ministria këshillon gjithashtu evitimin në maksimum të mjediseve të mbifrekuentuara.
Muaji nëntor ka qenë dhe muaji ku është shënuar numri i rasteve më të shumta me gripin e derrit. Pandemia shkaktohet nga një virus i ri i gripit që përhapet në të gjithë botën dhe infekton një numër të konsiderueshëm të popullatës që nuk ka mbrojtje ndaj tij.
Rregullat janë: të mënjanojnë kontaktet me njerëzit e sëmurë, në rast se janë të sëmurë të qëndrojnë në distancë nga të tjerët për t’i mbrojtur ata, të qëndrojnë në shtëpi dhe të evidentojnë daljen nëse janë të sëmurë, të lajmërojnë menjëherë mjekun, të mbulojnë gojën dhe hundën me shami kur kolliten apo teshtijnë, të mos pështyjnë në tokë, shamitë e mbështjella t’i hedhin në koshin e plehrave, të lajnë sa më shpesh duart me ujë e sapun, sidomos pasi janë kollitur apo kanë teshtirë.
Larja e duarve me alkool është gjithashtu e efektshme, si dhe nuk duhet të preken sytë, hunda dhe goja. Mikrobet përhapen edhe në rastet kur një person prek sipërfaqe të ndotura me mikrobe.
Me përhapjen e virusit të gripit të derrave edhe në vendin tonë, çdo person është i rrezikuar nga infektimi. Kjo për arsye se jo vetëm që virusi shpërndahet nëpërmjet ajrit, por edhe për faktin se kjo sëmundje ka simptoma të njëjta me gripin e zakonshëm dhe ne kurrë nuk mund ta dimë nëse jemi prekur nga virusi A, nëse nuk bëjmë analizat.