E Enjte, 5 Nëntor 2026

Në fshatin Shtyllë të Vithkuqit, banorët kërkojnë vetëm shërbim shëndetësor

I vendosur në lartësinë afro 1 500 metra, Shtylla është një nga fshatrat e Korçës që gjatë dimrit shpesh mbetet i bllokuar. Nga 100 familje dikur, sot kanë mbetur vetëm 15. Nuk ankohen. Janë të mësuar me të tillë mot. Përgatisin zahiretë e dimrit dhe që në vjeshtë sigurojnë ushqimin për bagëtinë.

Po ndërsa nuk i shqetësojnë kurrë emergjencat për ushqime, kanë një tjetër emergjencë që nuk e kalojnë dot vetë, shërbimin shëndetësor.

Enver Pino e Artur Liçkollari janë dy banorë të tjerë të cilët tregojnë se për shkak të mungesës së mjekut e infermierit ata e kanë pasur të vështirë të kalojnë Covidin që para disa ditësh u përhap në të gjithë fshatin.

Banorët e këtij fshati as sot nuk shkojnë dot në Vithkuq, qendrën e Njësisë Administrative, 6 km larg për të marrë shërbimin shëndetësor.

Pavarësisht se në të gjithë rrugën nga Vithkuqi në Shtyllë është punuar për pastrimin e borës, ky aks mbetet ende i vështirë për qarkullim e mund të përshkohet vetëm me mjete të larta e vetëm me zinxhirë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›