Në fund të vitit/Njeriu i stresuar i Kosovës
Edhe një vit kalendarik po përmbyllet. Festat e fundvitit sigurisht e kanë një domethënie të veçantë për njeriun. Në këto festa dëshirojmë të argëtohemi sa më mirë, të pushojmë, ti harrojmë sadopak problemet e jetës. Dikush këto festa i prêt më të dashurit, dikush tjetër ne restorante….Por mbi të gjitha dëshirojmë të jemi të lumtur. Nëse në vendet me standard të lartë të jetesës këtë datë shumëkush veç ka planifikuar ku do ta presë, njeriu i këtij nënqielli shumë është i privuar që të bëjë planifikime paraprake. Shumica sot në Kosovë këto festa sigurisht se do të kalojnë në gjirin e tyre familjarë. E kategoria tashmë e lodhur ekonomikisht mundohet ta ndrydhë sado pak hallin së nuk ka çka të qetë në tryezë për fëmijët e vet…. Ka boll familje pa strehë mbi kokë… shumë të sëmurë nuk kanë asnjë ilaç të vetëm për t’u shëruar…. Rrallë në ndonjë vend tjetër të botës së përparuar mund të gjesh njerëz të stresuar sa ka në vendin tonë. Nivelet e larta të stresit shkaktojnë probleme shëndetësore dhe emocionale. Rrallë mund të gjesh, e sigurisht në Evropë nuk mund të gjesh një vend të vogël ku gjysma e saj janë të papunë…. Rrallë mund të gjesh vend kaq të vogël dhe kaq shumë të mbytur në korrupsion dhe krim të organizuar… Kosova ka mbetur vendi me i izoluar sot në Evropë. Strukturat shtetërore pak ose fare po kujdesën për mirëqenien e popullit të vet. Vetëm në ndonjë vend të Afrikës nuk respektohet shteti ligjor si nuk po respektohet sot në Kosovë… vetëm në ndonjë kuart të bandave të qyteteve të mëdha ndodh që i dënuari haptazi mos të shkojë në vuajtje të dënimit ….kjo është jashtë çdo logjike të shëndoshë për çdo shtet i cili mëton të jetë shtet ligjor dhe demokratik. Nuk ke si ta rekapitulosh këtë vit ndryshe, veçse ishte një vit më shumë i dështimeve sesa i sukseseve. Ky vit prodhoi tepër afera korruptive të zyrtarëve më të lartë të shtetit, dhe askënd nuk e pamë që dha dorëheqje. Unë do të thosha së dorëheqja për të gjithë këto afera nuk do të thotë asgjë, në krahasim me abuzimet e mëdha me shtetin. Gjithkush i kupton vështirësitë e tranzicionit, por kjo çka po ndodhë sot në Kosovë, është diçka jashtë çdo logjike të shëndosh.
Bisedimet ‘teknike’ që u zhvilluan më palën serbe dhe bisedimet krejt politike të cilat po zhvillohen të nivelit më të lartë midis Kosovës dhe Serbisë po i shërbejnë vetëm shtetit serb. Kosova padrejtësisht iu nënshtrua dhe po i nënshtrohet trysnisë ndërkombëtare që të bisedoj më Serbinë edhe për tema të cilat janë çështje e brendshme e çdo shteti sovran. Këto koncesione të vazhdueshme që po i bëhen Serbisë në kurriz të Kosovës, po e përshkallëzojnë gjithnjë e më shumë gjendjen politike dhe të sigurisë në rajon. Serbia e ndihmuar nga qarqet e caktuara evropiane po i shton kërkesat e saja ne relacion me Kosovën. Platforma shoviniste serbe për ndarje të Kosovës është platformë të cilën moti e kemi dëgjuar nga Akademia e Shkencave të Beogradit dhe nga Kisha Ortodokse Serbe. Gjendja e shkaktuar ne veri qëllimisht nga të tjerët i ka qitur kapak të të gjitha problemeve të çfarëdo natyre qofshin ato. Këta qeveritarë si duket më shumë janë të interesuar t’i forcojnë pozitat politike të tyre, duke e dobësuar kështu shtetin e ri të Kosovës. Sigurisht së në festat e fundvitit do të bëjnë vizita të ndryshme institucioneve shtetërore, atyre fetare dhe ndonjë vizitë tjetër, duke u përpjekur që të paraqesin gjendjen si është më së miri?! Do të bëjnë përpjekje që njeriun e stresuar të Kosovës ta bëjnë paksa të gëzuar duke dhënë premtime të natyrës elektorale së në vitin vijues do të bëjnë ‘mrekullira’…