E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiç dhe Nikoliç kërcënojnë Luginën e Preshevës

29-12-2012 / Gazeta 55

Presidenti dhe kryeministri serb, deklarata ekstremiste për shkak të përmendores së UÇPMB-së. Haradinaj: Beogradi të sillet në mënyrë të qytetëruar 


-- Beogradi ka nisur një fushatë të egër sulmesh, kundër Luginës së Preshevës, për shkak të ngritjes së përmendores së UÇPMB-së. Dy ditë më parë ishte presidenti serb, Tomislav Nikoliç ai që kërcënoi autoritetet shqiptare të Luginës se do mbajnë përgjegjësi nëse nuk e largojnë vetë monumentin. “Shteti në përgjigje të ligjit, duhet ta rrëzojë lapidarin në qendër të Preshevës, kushtuar pjesëtarëve të rënë të UÇPBM-së, nëse këtë nuk e bëjnë vetë ata që e ndërtuan”- deklaroi Nikoliç. Nëse kjo nuk ndodh, sipas presidentit Nikoliç, Serbia në orët e para të ditës së sotme duhet ta rrënojë atë pllakë. Madje sipas tij, “nëse është e nevojshme unë do të jem në krye të kolonës për në Preshevë për ta prishur e përmendoren së UÇPMB-së”- ka thënë Nikoliç për mediat serbe. 


Njëkohësisht me deklaratat e Nikoliç, edhe kryeministri Daçiç rrit tonet ekstremiste kundër shqiptarëve të Luginës. “Përmendoren e UÇPMB-së do ta largojnë vet shqiptarët, e në rast se nuk e bëjnë këtë apo nuk dëshirojnë ta bëjnë, atëherë këtë do ta bëjë Qeveria”- ka thënë kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç, duke shtuar se nuk do të shkoj në Bruksel derisa përmendorja të mos largohet. Daçiç ka thënë se shqiptarët kanë afat deri më 17 janar që ta heqin monumentin e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. 


Edhe pse kërcënimet ekstremiste dhe vandaliste të Beogradit janë bërë thuajse të përditshme, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë paralajmëruar se nuk do t’i binden urdhrave të Serbisë. Nisur nga shantazhet e vazhdueshme të ekstremistëve Nikoliç dhe Daçiç, zyrtaërt e Luginës i janë drejtuar për ndihmë kreut të AAK-së, ish komandantit të luftës së Kosovë, Ramush Haradinaj. Z.Haradinaj ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që të sillet në mënyrë evropiane për këtë temë. Sipas Haradinajt, edhe Serbia duhet të sillet ngjashëm siç bënë Kosova për të njëjtën çështje, duke thënë se edhe në Kosovë ka lapidare dhe monumente historike serbe, e të cilat ruhen dhe respektohen. “Edhe Serbia edhe Kosova synojnë anëtarësimin në BE dhe synojnë standarde dhe kritere të caktuara se si të zgjidhin probleme si kjo. Lutja ime do të ishte që edhe në Beograd edhe kudo të sillen në mënyrë evropiane edhe ndaj kësaj teme”- tha Haradinaj.


Vënia e pllakës në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nxiti zemërimin e Beogradit i cili paralajmëroi se do të ndërhyjë me forcë në rast se ajo nuk hiqet nga vet shqiptarët në zonë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›