E Diel, 1 Nëntor 2026

Në hotel vriten 2 shqiptarë, plagosen persona të tjerë

15/07/2009  Ende mister identitetet e motivet

AMSTERDAM- Policia holandeze njoftoi dje se shqiptarë janë ekzekutuar me një breshëri automatiku në një ndërtesë në lagjen “Rivierenburt”, mbrëmjen e së dielës. Gjithashtu burimet e policisë kanë konfirmuar se dy persona të tjerë rezultojnë të plagosur. Dy të plagosurit qëndruan në spital në kushte të qëndrueshme pasditen e së hënës. Nga raporte të pakonfirmuara thuhet se njëri prej të plagosurve u hodh nga dritarja e katit të parë në momentet e të shtënave. Banorët rreth e rrotull kanë thënë se kanë dëgjuar rreth gjashtë ose shtatë të shtëna arme. Një dëshmitar u shpreh se kishte parë dikë të kalonte aty pranë me armë zjarri. Dy personat e vrarë ishin me origjinë shqiptare. Njëri nga të plagosurit është me origjinë italiane, kurse tjetri me origjinë shqiptare. Ndërkaq, paraprakisht mendohet se ndërtesa në fjalë përdorej si hotel ilegal. Gjithsesi policia po kërkon pronarin e saj. Akoma nuk kanë marrë informacione të mëtejshme rreth çështjes në fjalë. Policia ende po kërkon për një motiv rreth vrasjes së dy personave dhe plagosjes së dy të tjerëve mbrëmjen e së dielës. Sakaq, policia po heton në disa pista lidhur me këtë ekzekutim, teksa paraprakisht dyshohet se larjet e hesapeve mes bandave rivale mund të jenë shkaqet kryesore të këtij krimi, teksa emrat e të vrarëve ende s’janë bërë publike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›