E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i ish-pronarëve në fund të shtatorit

15/07/2009  Në garë 520 persona

U mbyll dje aplikimi për ish-pronarët që mund të përfitojnë nga kompensimi i këtij viti. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, bëri të ditur për gazetën “Metropol” se numri i aplikantëve arriti në 520 deri ditën e djeshme, ndërsa numri i përfituesve do të varet nga data e vendimeve të dhëna nga Agjencia e Pronave dhe nga vendndodhja e pronave që kërkohet të kompensohet. “Sa më shumë aplikime të jenë nga Tirana, aq më pak përfitues do të ketë, sepse gjithçka varet nga çmimi i tokës. Nëse sipërfaqet që do të kompensohen do të kenë çmim të lartë atëherë numri i përfituesve do të ulet”, - theksoi Çefa. Sipas tij, kompensimi do të nisë në muajin shtator, afat ky përgjatë të cilit agjencitë rajonale në qarqe kanë të drejtë të verifikojnë dokumentacionin e paraqitur. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës hapi nga data 15 qershor 2009 deri më 14 korrik 2009 procesin e pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensim financiar për subjektet e shpronësuara dhe/apo trashëgimtarët e tyre ligjore, të cilët plotësojnë kriteret dhe kushtet e parashikuara nga VKM Nr. 487, datë 06.05.2009, “Për përcaktimin e rregullave dhe kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009”. Sipas ligjit, ky proces i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensim vazhdoi për 30 ditë. Sipas vendimit, subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim, do të kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, nga kthimi fizik i pjesshëm i pronës, nga e drejta e parablerjes dhe nga zbatimi i ligjit nr. 7501. “Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Kompensimi të bëhet vetëm për deri 200 m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet”, - thekson vendimi i qeverisë. Procesi i aplikimit do të jetë i hapur edhe për të gjithë ata që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e procesit të aplikimit për kompensim financiar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›