E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne i zgjidhim problemet

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, gjatë një takimi në Mitrovicë, ka thënë se vetëm partia e tij mund t’i zgjidh problemet e shumta me të cilat përballet vendi.

“Në këtë fazë të tranzicionit, Kosova po ballafaqohet me shumë sfida dhe probleme: papunësia strukturore, ngecja në zhvillimin ekonomik, sidomos në prodhimtarinë vendore, mungesa e energjisë elektrike dhe ujit, mungesa e masave dhe instrumenteve për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, paqëndrueshmëria në konkurrencën ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, qëndrueshmëria e ulët buxhetore, varfëria e lartë, korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar, qeverisja e dobët korporative e kompanive publike, cilësia e ulët dhe jokonkurruese e arsimit”, tha ai.

“LDK konsideron se zgjidhja e këtyre problemeve është parakusht për stabilitetin e brendshëm ekonomik dhe social dhe për të qenë anëtar i barabartë dhe i respektuar i familjes evropiane. LDK ka integritet dhe dije për t’i zgjidhur problemet”, shtoi Mustafa.

Do theksuar se përveç Kryetarit Mustafa dhe drejtuesve të tjerë nga Kryesia qendrore e LDK’së dhe atyre të Komisionit për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të LDK-së, në këtë takim shumë përmbajtjesor ishin të pranishëm edhe udhëheqësit dhe anëtarët e degëve të LDK’së në Mitrovicë, Skenderaj, Çabër, Leposaviç, Zubin-Potok dhe Vushtrri, të cilët, si të gjitha degët e tjera të LDK-së, u dhanë përkrahje të plotë ndryshimeve të propozuar nga Komisioni për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të LDK-së dhe Programit politik, në të cilin do të bazohet LDK-ja për ta qeverisur vendin në të ardhmen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›