Në janar ngihet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
Krijimi dhe vënia në funksionim e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në janar të vitit 2009, si një nga sfidat për integrimin e Shqipërisë në BE, pritet të rrisë sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore në tregjet e vendit. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit organizoi të premten në mjediset e këtij dikasteri, një tryezë të rrumbullakët pune, me tematikë rritjen e sigurisë ushqimore në vend, me pjesëmarrjen e institucioneve që merren me sigurinë ushqimore, përfaqësues nga Kryeministria, organizata ndërkombëtare, Bashkia e Tiranës etj. Në këtë takim, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, vuri në dukje rëndësinë që merr ngritja e AKU-së. “Ne po e ngremë dy vjet para afatit këtë autoritet, me qëllim që të përshpejtojmë plotësimin e detyrave e standardeve dhe të hapim rrugën për integrimin e Shqipërisë në BE”, - u shpreh ministri Gjana. Sipas tij, MBUMK-ja, në bashkëpunim me donatorët që e mbështesin krijimin e AKU-së ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm, i cili do të vlerësohet nga ministritë e linjës e më pas do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave. Gjana deklaroi se “MBUM-ja është gati që në fillim të vitit 2009 Autoriteti të fillojë punë". Drejtuesi i projektit që po merret me ngritjen e AKU-së, Albert d’Adesky, shpjegoi detajet praktike që janë ndjekur për krijimin e modelit të AKU-së, me sektorët, drejtoritë, kompetencat si dhe laboratorët përkatës për kontrollin e ushqimeve.