E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi ekonomik Zvicër-Shqipëri dhe mundësitë për investime

Mundësitë dhe resurset që ofron Shqipëria për investitorët e huaj dhe për ata zviceranë në veçanti, janë prezantuar para biznesit zviceran. Pasuritë që ka toka, nëntoka, bregdeti, natyra shqiptare kanë ngjallur interesin e investitorëve zviceranë, të cilët janë njohur me potencialet që ofron vendi ynë. Kjo është bërë e mundur nga Forumi Ekonomik Zvicër-Shqipëri, i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Bernë në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë Zvicër-Evropë Qendrore (SEC). Morën pjesë mbi pesëdhjetë biznesmenë zviceranë. Nga pala zvicerane ishin edhe Presidenti e kryetari i SEC, përkatësisht zotërinjtë Peter Jenelten e Max Steiner, zyrtarja e ngarkuar për EJL në Sekretariatin Shtetëror për Ekonominë SECO (ministrja e Ekonomisë) Cahina Hadj-Djilani Vock etj. Nga pala shqiptare morën pjesë ministri i PPTT-së, Sokol Olldashi, zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Gjokë Uldedaj etj. Ambasadori Mehmet Elezi argumentoi pse është momenti për të investuar në Shqipëri. Ndër të tjera, ai tha se Shqipëria është një vend ende i virgjër, plot vullnet për t’u zhvilluar. “Ajo ka krom, bakër, hekur, nikel dhe burime energjetike. Ka potenciale të mëdha turistike, 400 km bregdet e qendra qytetërimi 2500-vjeçare. Ka uri për investime në infrastrukturë. Por jo vetëm kaq. Shqipëria ka kuadër ligjor dhe struktura organizative që i lehtësojnë e i mbrojnë investimet e huaja”, - ka deklaruar Mehmeti. Ndërsa foli për ecurinë e reformave demokratike, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, të cilat janë vlerësuar nga institucionet e partnerët ndërkombëtarë, Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO. Shqipëria ofron respektim të ligjit e siguri për investitorët. Për t’i vënë në dijeni më konkretisht e në mënyrë të paanshme me mundësitë që ofron Shqipëria për investime, pjesëmarrësve në forum u qenë dërguar qysh më përpara dokumente me vlerë njohëse për Shqipërinë si përmbledhja e raportit të Bankës Botërore “Doing Business 2009”, raporti i “Transparency International” për arritjet në luftën kundër korrupsionit, shkrime të shtypit perëndimor e veçanërisht të shtypit amerikan për përparimet që po bën Shqipëria etj. Në forum, ministri i PPTT-së, Sokol Olldashi, zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Gjokë Uldedaj, shtjelluan secili sipas fushave përkatëse çfarë ofron Shqipëria për investitorët zviceranë. Ata iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme dhe, sipas rastit, bënë sqarime e komente të shkurta. Rreth kësaj çështjeje foli edhe biznesmeni zviceran, Daniel Knecht, president i “Knecht Brugg Holding AG”, Brugg, i cili ka një investim të suksesshëm në Shqipëri. Ai foli mbi bazën e përvojës dhe vëzhgimeve të tij. Më pas pronari kryesor i kompanisë “Stadler Rail AG”, Peter Spuhler, deputet në Parlamentin zviceran, foli për kompaninë e tij, e njohur për prodhimin e lokomotivave e vagonëve, me investime disamiliardëshe në Evropë, në Amerikë e në kontinente të tjera. Pjesëmarrësit vizituan edhe mjediset e kompanisë. Kjo kompani ka shprehur interes për t’u përfshirë në modernizimin e hekurudhave shqiptare. Forumi ra në sy për pjesëmarrjen e gjerë të investitorëve zviceranë, midis të cilëve kishte përfaqësues kompanish me shumë peshë si “Stadler” etj., Anton Schrafl, që ka investime të fuqishme në minierat e Afrikës së Jugut etj. Është hera e parë që organizohet një veprimtari e tillë në Zvicër. Forumi u pajtua në një pikë themelore: është koha dhe janë kushtet për të investuar në Shqipëri. Drejtori Max Steiner deklaroi se veprimtari të ngjashme janë organizuar edhe me vende të tjera ish-komuniste të Evropës, por nuk është vërejtur një pjesëmarrje kaq e gjerë. Kjo pjesëmarrje shpjegohet në radhë të parë me hapat që ka bërë Shqipëria në rrugën e konsolidimit të demokracisë.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë çon biznesin shqiptar në “Parlamentin Evropian të Biznesit”

Biznesi shqiptar përfaqësohet në Parlamentin Evropian të Biznesit

Biznesi shqiptar, përmes Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, për herë të parë është përfaqësuar në “Parlamentin Evropian të Biznesit”, i cili u mblodh këto ditë në sallën plenare të Parlamentit Evropian. Në këtë ngjarje të rëndësishme për sipërmarrjen evropiane, morën pjese delegacione nga 774 kompani të sektorëve të ndryshëm dhe organizata biznesi të 45 shteteve. Ato përfaqësonin interesat e më shumë se 23 milionë kompanive në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Vendi ynë, biznesi privat shqiptar, vinin në këtë edicion të “Parlamentit Evropian të Biznesit” me arritje të rëndësishme në fushën e ekonomisë - kur rritja ekonomike për disa vite ka qenë 6 për qind - dhe sidomos me indekse inkurajuese, për sa iu takon reformave kryesore integruese. “Parlamentin Evropian të Biznesit” e çeli në mënyrë simbolike Hans-Gert Pottering, President i Parlamentit Evropian. Më tej, në këtë seancë folën edhe Jose Manuel Barroso, President i Komisionit Evropian, si dhe Pierre Simon, President i “Eurochambres” etj. Kryetari i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë e Industrisë të Shqipërisë, Ilir ZHilla, u zgjodh anëtar i Bordit të Drejtorëve të “Eurochambre”, midis 19 vendeve konkurruese, ende jo anëtare të BE-së. Bashkimi i Dhomave të Tregtisë, prej më shumë se një viti, është anëtar me të drejta të plota i Eurodhomës. “Të bësh biznes pa barriera” ishte një temat kryesore që u debatuan në sesionet e “Parlamentit Evropian të Biznesit”. Midis diskutuesve, kishte personalitete të spikatura nga politika dhe ekonomia, si Arlene Mccarthy, Anëtare e Parlamentit Evropian, Charlie Mccreevy, Komisioner i BE-së për Tregun Brendshëm dhe Shërbimet etj. Diskutimet e pjesëmarrësve u përqendruan në problemet aktuale ekonomike dhe në krizën e tregjeve financiare; rritja e rolit të Komisionit Evropian për përfshirjen e SME-ve në tregun mbarë-evropian, përballimi i sfidave të energjisë dhe mbrojtja e mjedisit, ishin gjithashtu në fokus të debatit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›