E Diel, 1 Nëntor 2026

Porto-Romano, zona ku do ngrihet parku energjetik, e pamiratuar

Akuzat e opozitës kundrejt qeverisë dhe Kryeministrit Berisha se ka favorizuar mikun e tij, biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç, i cili ka blerë tokë në Porto-Romano për të përfituar më vonë nga ndërtimi i një parku energjetik në këtë zonë, kanë marrë dje një përgjigje në seancën parlamentare nga ministri Genc Ruli. Në të vërtetë nuk ka asnjë vendim konkret se në çfarë zone do të ndërtohet parku energjetik, projekt që vazhdon të mbetet akoma një ide që në kohën e qeverisjes së Fatos Nanos dhe nuk është miratuar akoma në KRTRSH. Duke qenë se nuk është përcaktuar toka ku do të ndërtohet ky park, kuptohet se ai mund të mos jetë domosdoshmërish mbi tokën e biznesmenit në fjalë siç pretendon opozita.

Toka që pretendohet se është marrë nga Fazlliç për shkak se në të do të ndërtohet parku energjetik, ndryshe nga sa akuzon opozita, ende nuk është përcaktuar nëse do të përfshihet brenda hartës, ku do të ndërtohet parku energjetik ose jo. Ministri Ruli i ka dhënë përgjigje dje gjithë hamendësive të hedhura në publik nga opozita, duke sqaruar procedurat ligjore që janë ndjekur për projektet e Porto-Romanos, të cilat duket se përjashtojnë Fazlliç të ketë lidhje me TEC-in deri më tash.

Ministri e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës duke marrë shkas nga të pavërtetat që janë hedhur në tregun mediatik ditët e fundit, sqaron opinionin publik lidhur me projektet e parashikuara për ndërtim në Porto-Romano. Ruli theksoi dje në Kuvend se Porto-Romano është një projekt i ideuar që në vitin 2000, fillimisht si një port dhe zonë për tregtimin dhe depozitimin e karburanteve, ide që u zgjerua gjatë viteve në vazhdim, duke ardhur në propozimin e ndërtimit të një parku energjetik. Ai sqaroi deputetët se për zhvillimin e kësaj zone, deri tani janë bërë vetëm studimet e nevojshme, por ende nuk është marrë miratimi në KRTRSH dhe aq më tepër nuk është vendosur se në ç’zonë të këtij parku do të ndërtohet TEC-i i ri apo projektet e tjera. Ruli ka qartësuar lidhur me këtë çështje se Parku i Porto-Romanos nuk është një investim publik. “Qeveria shqiptare dhe studimet e kryera për këtë thjesht kanë synimin të orientojnë privatët në investimet e tyre. Partia Socialiste ka sugjeruar shtetëzimin e këtij parku, shumica e të cilit është pronë private, ndërkohë që mënyra më e drejtë për zhvillimin e kësaj zone do të ishte nëpërmjet investimeve private. Por meqenëse PS sugjeron shtetëzimin, ne mirëpresim propozimin dhe projektligjin e tyre”, - ka theksuar Ruli në fjalën e tij në Kuvend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›