E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në katedralen e "Zojës Ndihmëtare" është shërbyer mesha e Pashkëve

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji, të dielën, gjatë shërbimit të meshës së Ditës së Pashkëve, në Katedralen e Zojës Ndihmëtare në Prizren, duke ndarë gëzimin për këtë kremte fetare është lutur që zemra e secilit qytetar të Kosovës të ndjej dashurinë që sjellë kjo festë. Kreu i Kishës Katolike të Kosovës ka bërë të ditur se kjo lutje i dedikohet të gjithë njerëzve të vendit, pa dallime, në mënyrë që Zoti të ofroj ndihmë për lirimin e tyre nga e keqja, pa marrë parasysh burimin prej nga vjen e liga.

"Në këtë gëzim të Pashkëve, me gjithë zemrën time, por edhe krejt lutjet e juaja, dëshiroj që të lutem sot bashkë me ju si në të kaluarën, për çdo njeri që jeton në Kosovë, pa marrë parasysh se çfarë njeriu është, pa marrë parasysh se çfarë nacionaliteti ka, pa marrë parasysh se çfarë feje ka, pa marrë parasysh se çfarë bindje personale ka, pa marrë parasysh se na shajnë apo na lavdërojnë, na urrejnë apo na duan, për çdo njeri që vuan duhet të lutemi që zemra e tij të mund të shijoj bile pak dashuri, që e bart kjo festë, dhe që ta ndihmoj Zoti të lirohet nga e keqja e njerëzve, ngado që ajo vjen", ka thënë imzot Gjergji, para besimtarëve katolikë.

Autoriteti më i lartë i Kishës Katolike në Kosovë ka lutur Zotin që të sjellë paqe në zemrën e secilit shqiptar në mënyrë që ata të jetojnë në rehati por edhe të ndriçoj botën respektivisht njeriun me shpresën e ringjalljes.

Pashkët paraqesin festën më të madhe të kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të botës së krishterë, me të cilën kremtohet ringjallja e Jezuit që sipas Besëlidhjes së re ka ndodhur tri ditë pas vdekjes së tij në kryq./koha.net/Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›