E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim dy kosovarët e bandës “Matrix”

Prokuroria i kërkon Shërbimit Policor të Kosovës ndalimin për verifikim të dy shqiptarëve të dënuar për vjedhje, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupin e grabitësve të 400 llogarive bankare në disa qytete të Shqipërisë. 

Trazhgim Sokolaj

Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave nëpërmjet letërporosive zyrtare, Shërbimit Policor të Kosovës i është kërkuar të kërkojë dy shqiptarët e Kosovës dhe të bëjë verifikime rreth tyre. Sipas burimeve nga hetimi, të gjitha veprimet që kanë kryer 17 anëtarët e arrestuar të bandës së emërtuar “Matrix” kanë qenë taktika të importuara nga dy shtetasit kosovarë. Këta dy persona mësohet se, janë të dënuar në Kosovë për të njëjtën veprimtari kriminale, klonimin e kartave të kreditit dhe më pas përdorim e tyre, për të vjedhur nga llogaritë bankare të qindra personave. Për shkak të implikimit të drejtpërdrejtë në krimet, që kanë kryer 17 anëtarët e grupit “Matrix”, organi i akuzës në Tiranë ka nxjerrë dy urdhra ndalimi për kosovarët, me qëllim marrjen e deklarimeve të tyre dhe sqarimeve për lidhjet, që ata kanë pasur me hajdutët e bankomateve në Tiranë. Momenti i parë kur kanë dalë në skenë dy kosovarët kanë qenë përgjimet telefonike të kreut të grupit të hakerave Endrit Gjergjani, i arrestuar në Tiranë në korrik bashkë me 16 persona të tjerë. Ai ka pasur telefonata të vazhdueshme me dy kosovarët dhe gjatë përgjimeve është mësuar për takimet, që janë zhvilluar mes tyre në Shqipëri dhe Maqedoni. Në përgjime është mësuar se dy kosovarët kanë informuar Endrit Gjergjanin për pajisjet e nevojshme për klonimin e kartave të kreditit, hakerat rusë dhe anglezë, që mund të kontaktoheshin përmes internetit, ku shisnin kodet e kartave të kreditit e më pas për mënyrën sesi ato duhej të përdoreshin në bankomate për të bërë vjedhjet.
Kosovarët e dyshuar  
Hetimet e Zyrës Task-Force kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës, kanë zbuluar se kreu i bandës së vjedhjeve të bankomateve, Endrit Gjergjani, mbante kontakte të rregullta me dy shtetasit kosovarë. Ata i kanë treguar Gjergjanit, gjithë metodat dhe mjetet e nevojshme për klonimin e kodeve të kartave të kreditit dhe më pas përdorimin e tyre, për realizimin e vjedhjeve. “Dy kosovarët e kanë kryer vetë këtë aktivitet disa vite më parë në Kosovë, ata madje janë dënuar për krimin e vjedhjes së bankave me anë të falsifikimit”, thanë burimet nga Prokuroria. Lidhja me kosovarët siç konfirmuan burimet nga Prokuroria, është pranuar edhe nga Endrit Gjergjani, i akuzuar si truri i bandës prej 17 personash, që gjatë tetë muajve të fundit ka kryer mbi 400 vjedhje bankomatesh në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë. Gjatë deklarimeve të tij pas arrestimit Gjergjani ka pranuar se skemën e klonimit të kartave dhe përdorimin e tyre për të bërë vjedhjet, fillimisht e kishte mësuar nga dy shtetasit kosovarë. Ata i kishin thënë se ekzistonte një pajisje elektronike, e cila mund t’i shkruante kartat e kreditit në mënyrë, që ato të njiheshin nga bankomatet, nëse të dhënat, kodi PIN dhe numri serik, zotëroheshin në një kompjuter. Kanë qenë shtetasit kosovarë, ata që i kanë rekomanduar Endrit Gjergjanit të blinte pajisjen e klonimit të kartave në SHBA, një pajisje e cila ndodhet në mënyrë legale në treg për shkak se, përdoret nga hotelet ose kompanitë e sigurimit për të koduar kartat, që përdoren për hapjen e dyerve në institucione shtetërore, apo organizma private biznesi. Pas kësaj, kosovarët i kanë rekomanduar Endrit Gjergjanit të hynte në kontakt përmes internetit me hakerat rusë dhe anglezë, të cilët zotëronin kodet dhe PIN-et e kartave të kreditit të dhjetëra shtetasve të huaj.

“Harem” me paratë e vjedhura në banka
TIRANE – Grupi prej 17 të rinjve të akuzuar si anëtarë të bandës “Matrix”, sipas Prokurorisë shqiptare kishte arritur fitime të konsiderueshme gjatë më shumë se 400 vjedhjeve të kryera në bankomatet e bankave në qytetet kryesore të vendit. Fitimet e mëdha financiare fillimisht janë përdorur për blerjen e pajisjeve teknike të nevojshme për falsifikimin dhe klonimin e kartave të kreditit “Visa” dhe “Mastercard” ndërsa më pas, 17 anëtarët e akuzuar të grupit, kanë blerë tri automjete luksoze të markave “Wolksvagen”, “BMW” dhe “Benz”. Duke rritur fitimet nga grabitjet e bankomateve të rinjtë janë filmuar në disa qendra tregtare të Tiranës, duke kryer blerje pajisjesh dhe veshjesh të shtrenjta. Ata i kanë shpenzuar paratë e vjedhura, duke bërë udhëtime në Mal të Zi dhe Maqedoni, si dhe duke organizuar fundjava festive me shoqërinë në Durrës, Vlorë dhe në Sarandë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›