E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëndët radioaktive, Shqipëria vendos skanera në kufi

TIRANE- Trafikimi i lëndëve radioaktive nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera apo anasjelltas, tani ka më pak shanse të kryhet së paku në rrugët ligjore. 

Po kështu edhe futja e prodhimeve të natyrave të ndryshme, apo materialeve me përmbajtje me lëndë radioaktive, pritet të jetë shumë herë më e vështirë se më parë. Policia e Shtetit dhe për herë të parë në Shqipëri, në të gjitha pikat doganore dhe pikat e kalimit kufitar në vend ka instaluar biperat zbulues të lëndëve radioaktive. Gjithçka është realizuar falë një projekti të Qeverisë Amerikanë, posaçërisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ky projekt ka bërë që së paku të gjitha pikat doganore dhe të kalimit kufitar në të gjithë vendin të pajisen me pexhera, apo sinjalizues elektronikë të aftë të zbulojnë elementë, produkte dhe materiale të ndryshme me përmbajtje të lëndëve radioaktive. Më tepër se 120 zbulues që mbahen në brez prej efektivëve të doganave, apo të policisë janë shpërndarë në të gjitha pikat doganore. Ky fakt është bërë i ditur dje për gazetën “Panorama”, nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për Kufirin dhe Migracionin, Pëllumb Nako. Ai tha se ka përfunduar në të gjithë vendin shpërndarja e pajisjeve dhe tashmë punonjësit e policisë kufitare dhe të doganave, kanë mundësi të zbulojnë futjen e mallrave dhe sendeve që mund të kenë në përmbajtjen e tyre lëndë të rrezikshme radioaktive dhe rrezatuese. Sipas Nakos, kjo është kryer me qëllim parandalimin e futjes së këtyre elementëve të rrezikshëm për popullatën në vend, por edhe për të parandaluar trafikimin e mundshëm të lëndëve radioaktive me destinacion Shqipërinë, apo nga Shqipëria në vende të tjera. “Për këtë qëllim ne kemi trajnuar të gjithë efektivët e Policisë Kufitare dhe punonjësit e doganave, që do të punojnë në kufi gjatë rutinës së tyre të përditshme”, tha Nako. Sipas tij, trajnimi ka zgjatur një periudhë të konsiderueshme, për të mësuar efektivët e policisë dhe të doganës se, si mund të dallohen lëndët e rrezikshme në kufi. Kjo do të thotë, se i gjithë personeli i trajnuar është i aftë të zbulojë dhe të parandalojë futjen e lëndëve të tilla të rrezikshme. Pajisja është e shpërndarë është lehtësisht e manovrueshme, pasi mbahet në rripin e mezit, të personit të caktuar për këtë proces. Pajisja funksionon me bateri dhe është e ndjeshme dhe reagon në formën e biperit lajmërues, në rastet kur ajo vë kap elementë apo objekte me përmbajtje radioaktive. Sipas zëvendësdrejtorit Nako, personeli i të Policisë Kufitare dhe Migracionit si dhe i Doganave, do të punojnë dhe patrullojnë në mënyrë të përbashkët mes tyre gjatë gjithë kohës. Po kështu sipas tij, ndërhyrja dhe operimi në raste konkrete do të jetë i përbashkët në të gjithë rastet e mundshme. Në fund sipas tij, raportimi i rasteve konkrete, situatave të caktuara dhe analizimi i tyre, por edhe përgjegjësia do të jenë të përbashkëta për të gjithë efektivët e përshirë në këtë proces. Nako pohoi se ky është një financim i qeverisë amerikane, në kuadër të ndihmës së vazhdueshme, që kjo e fundit ka dhënë për institucionet dhe policinë shqiptare në mënyrë të veçantë.                              d.b

“Vendosen ura kontrolli në dogana”

TIRANE - Veç pexherave, apo biperave kundër objekteve me përmbajtje të lëndëve me radioaktive, kufiri dhe doganat janë pajisur edhe me ura kontrolli kundër klandestinëve dhe drogës. Sipas Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për kufirin dhe Migracionin, një projekt i Bashkimit Evropian, ka bërë që të gjitha pikat të pajisen edhe me ura kontrolli (skanera gjigantë). Këto të fundit janë të afta sipas tij, të kontrollojnë dhe të skanojnë automjetet në të gjitha pjesët e tij, në mënyrë të veçantë kabinën dhe karrocerinë e tij. Këto pajisje sipas Nakos janë të afta të zbulojnë fshehjen e mundshme të drogës nga persona të ndryshëm, por edhe të klandestinëve në kamionët e mëdhenj të mbuluar dhe që transportojnë mallra të ndryshëm drejt Shqipërisë, apo anasjelltas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›