Në kërkim prej 7 vitesh, kapet i dënuari me 15 vite
DURRËS - Kapet i dënuari me 15 vite burg për vrasje. Policia e Durrësit tha se nga efektivët e Sektorit Kundër Operacioneve Speciale dhe Kërkimit Durrës finalizuan gjatë mesditës së sotme një operacion për kapjen e një personi të kërkuar për veprën penale të vrasjes me dashje. Ky operacion u zhvillua në qytetin e Tiranës dhe kapja e shtetasit në fjalë u mundësua në banesën e tij. Në pranga është vënë Fran Margjini, 51 vjeç, lindur në Derjan Burrel dhe banues në Kombinat, Tiranë, i padënuar më parë, i martuar. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se, ky person, me vendim penal të datës 18 janar 2006 të Gjykatës së Rrethit Durrës (të lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Durrës më datë 3 qershor 2009), është dënuar me 15 vjet burg për veprën penale të “vrasjes me dashje” dhe Prokuroria e Rrethit Durrës, në datën 8 korrik 2009 kishte lëshuar një urdhër për ekzekutimin e vendimit penal në fjalë. Dënimi i tij është bërë për ngjarjen e ndodhur më datë 30 janar të vitit 2003 në fshatin Hamllaj, Durrës. Gjatë paradites, si pasojë e një konflikti të nisur për motive të dobëta (parakalimi në krah të kundërt me automjet dhe marrja e pasagjerëve), ka mbetur i vrarë shtetasi Zef Përkeqi. Lidhur me këtë ngjarje, përveç Fran Margjinit, janë dënuar edhe shtetasit Kastriot Baçuku (10 vjet burg) dhe Dritan Baçuku (10 vjet burg). Fran Margjini është shpallur në kërkim më datë 05 mars 2003 lidhur me ngjarjen e mësipërme.
Sherr në lokal, plagoset me thikë i riu
FIER - Një sherr i ndodhur në një lokal në Levan ka përfunduar me një të plagosur dhe një të shpallur në kërkim. Burime zyrtare nga Policia e Fierit thanë dje se rreth orës 11:30, nga një telefonatë e shërbimit spitalor në qytetin e Fierit, është njoftuar salla operative se në ambientet e këtij spitali ka shkuar një person i plagosur me thikë. Pasi kanë marrë telefonatën, efektivët e policisë kanë shkuar menjëherë pranë këtij spitali dhe nga veprimet e para hetimore rezultoi se Sokol M., 31 vjeç, banues në Fier, pas një grindjeje për motive të dobëta në ambientet e një lokali në fshatin Levan të rrethit Fier është goditur me thikë nga Dritan Mersini, 34 vjeç, banues në fshatin Levan. Policia tha se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është shpallur në kërkim policor dhe gjendja shëndetësore e të dëmtuarit aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Hetimet janë duke u zhvilluar nga Prokuroria e Fierit.
Aksidentohet cisterna, masa kundër shpërthimit
VLORË - Një mjet cisternë i mbushur me 24 tonë gaz të lëngshëm është përplasur me një shtyllë elektrike dhe më pas është përmbysur duke rënë në një kanal në anë të rrugës në zonën e Nartës në Vlorë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme. Mbas aksidentit, drejtuesi i mjetit, i cili ka shpëtuar pa u dëmtuar, ka njoftuar shumë shpejt zjarrfikësit dhe pronarët e vet për ngjarjen. Pak minuta më pas kanë mbërritur zjarrfikësit duke qëndruar në gatishmëri për disa orë nga rreziku i shpërthimit, pasi kishte rrjedhje të pakta gazi, por fatmirësisht asgjë nuk ndodhi. Për orë të tëra ka vijuar edhe ngritja e cisternës dhe largimi nga zona.
5 Maj 2010