E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, I shpërthen granata në dorë, gjen vdekjen adoleshenti



Një adoleshent ka humbur jetën mëngjesin e djeshëm në spital, pasi i kishte shpërthyer një granatë në dorë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shtëpanjë, komuna Gostime. Kanë qenë burime zyrtare nga Policia e Elbasanit që kanë bërë të ditur se 16-vjeçari me inicialet O. I. ka gjetur vdekjen në spital pasi ishte sjellë në gjendje të rëndë. Të njëjtat burime thanë se dy ditë më parë, rreth orës 22:00, një telefonatë e ardhur nga Spitali kirurgjik Elbasan ka njoftuar uniformat blu se është sjellë nga të afërmit e tij, i dëmtuar me granatë dore në pjesë të ndryshme të trupit, adoleshenti me inicialet O. I., 16 vjeç. Ai ishte lindur e banues në fshatin Shtëpanjë, komuna Gostime, Elbasan, i cili, si pasojë e këtyre dëmtimeve të shumta, gjeti vdekjen. Me të marrë njoftimin, patrulla të policisë janë nisur në drejtim të fshatit ku ka ndodhur ngjarja, ndërkohë që hetues të tjerë kanë mbërritur në spital. Nga deklarimet e të afërmve të viktimës policia ka mësuar se 16-vjeçari kishte shkuar së bashku me vëllanë e tij, shtetasin B. I., për të peshkuar në ujërat e lumit Devoll. Këtu kanë gjetur një granatë dore luftarake, të cilën e kanë marrë me vete. Në mbrëmje të po kësaj dite viktima ka dalë nga shtëpia për të luajtur me shokët dhe me vete ka pasur dhe granatën e gjetur. Nga pakujdesia ajo ka plasur duke i shkaktuar plagë të rënda në trup. Policia tha se kanë nisur hetimet për veprën penale “shkaktimi i vetëvrasjes”.

Aksioni
Ndalohen 5 kambistë, sekuestrohen paratë
KORÇË - Pesë persona janë ndaluar në flagrancë nga Policia e Korçës pasi merreshin me kambizëm. Burimet kanë bërë të ditur se, në kuadër të operacionit “Kambisti 2” në qytetin e Korçës dhe Pogradecit, për veprën penale të “ushtrimit të palicencuar valutor”. Sipas policisë, është bërë shoqërimi i të dyshuarve në kushtet e flagrancës. Ajo ka konfiskuar sende dhe prova që vërtetojnë kryerjen e veprës penale. Kështu, në pranga janë vënë Emiliano Rrenjollari, 50 vjeç, banues në Lagjen 10, “Blloku i ri i Sportit” dhe në cilësinë e provës materiale i është sekuestruar shuma prej 990 lekësh. Gjithashtu është ndaluar dhe Mehmet Hysniu, 58 vjeç, banues në Lagjen Nr. 13, ku në cilësinë e provës materiale i është sekuestruar shuma prej 13 200 lekësh. Nga kontrollet është kapur dhe Edmond Shaholli, 54 vjeç, banues në Lagjen 16 dhe në cilësinë e provës materiale i janë sekuestruar shumat 530 mijë lekë, 3385 euro, 1435 dollarë amerikanë. Po ashtu është vënë në pranga dhe Agron Paci, 54 vjeç, banues në Lagjen 7 dhe si provë materiale i është sekuestruar shuma prej 4 300 lekësh. Në qytetin e Pogradecit është ndaluar Andrea Fejzo, 41 vjeç, banues në Lagjen Nr. 5. Fejzo ishte dhe më pas i dënuar pikërisht për këtë vepër penale. Gjatë shoqërimit atij i është bllokuar në cilësinë e provës materiale një makinë llogaritëse. Pas ndalimit materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Pogradec për hetime të mëtejshme.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›