EUROstat: Shqipëria, vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë
Pas 20 viteve tranzicion vazhdojmë të mbetemi populli më i varfër i kontinentit, me standarde jetese disa herë më të ulëta se sa mesatarja e Bashkimit Europian. Sipas Institutit Europian të Statistikave, një shqiptar konsumon në një vit 3.3 herë më pak se sa një qytetar i BE-së. Boshnjakët dhe maqedonasit konsumojnë 2.7 herë më pak se sa qytetarët e BE-së, serbët 2.3 herë më pak, ndërsa malazezët 1.8 herë më pak. Të dhënat tregojnë se ky hendek për Shqipërinë po ngushtohet shumë ngadalë. Edhe pse Shqipëria është konsideruar si një nga vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Europë, mirëqenia e shqiptarëve po rritet shumë ngadalë. Jo vetëm në raport me BE-në, por edhe me disa vende të ish-bllokut lindor, dikur njësoj të varfër sa Shqipëria. Sipas “Eurostat”, të ardhurat që fiton mesatarisht një shqiptar janë sa 26 për qind e mesatares së BE-së. Bosnja e ka këtë tregues 31 për qind, Maqedonia 33, ndërsa Polonia dhe Kroacia respektivisht 56 dhe 63 për qind. Me këto ritme të rritjes së mirëqenies, do të duhen shumë dekada që shqiptarët të mund të krahasohen ekonomikisht jo vetëm me Perëndimin, por madje edhe me disa prej fqinjëve tanë të rajonit, të cilët po pasurohen më shpejt se ne. Sipas “The Economist”, të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë sot sa 26 për qind e BE-së.
5 Maj 2010