E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Gjykatës, Tragjedia e Otrantos, nuk ka riekspertizë të incidentit



Leçe - Gjykata e Leçes ka zhvilluar dje një seancë gjyqësore për tragjedinë e Otrantos, e ndodhur më 28 mars 1997, ku humbën jetën 86 persona nga Vlora dhe zona të tjera shqiptare. Avokatët italianë të të pandehurve italianë kërkuan ditën e djeshme nga Gjykata e Leçes riekspertizë të çështjes në fjalë, por Gjykata e Leçes hodhi poshtë kërkesën e tyre. Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë edhe deputetë të Partisë Demokratike, përkatësisht Ardian Kollozi dhe Kreshnik Çipi, si dhe deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri. Ata përfaqësuan palën qeveritare shqiptare. Dy avokatët e shtetit, të cilët kanë në mbrojtje kapitenin dhe të tjerë nga ekuipazhi i anijes “Sibilla”, kërkuan rishqyrtim të të gjithë ngjarjes dhe rimarrjen në pyetje nga e para të të gjithë dëshmitarëve. Më 28 mars 1997, anija "Kateri i Radës", me flamur shqiptar, u nis drejt brigjeve italiane me 120 klandestinë në bord. Anija kishte hyrë në ujërat territoriale italiane teksa është pikasur nga anija luftarake italiane "Sibilla". Anija luftarake, pasi i ra disa herë përqark anijes shqiptare, e goditi më pas këtë të fundit duke i shkaktuar çarje të mëdha, çka ka bërë që uji të depërtonte në brendësi të saj. Ngjarja la pas të paktën 86 të vdekur, pasi anija u përmbys. Dëshmitarët që shpëtuan, pas 13 vitesh thanë se anijes luftarake iu tregua me të gjitha mënyrat e mundshme se në bord ndodheshin gra e fëmijë, porse kjo nuk dha asnjë rezultat. Vite më vonë, Gjykata e Brindizit tha vendimin për ngjarjen, duke dënuar me 3 vjet heqje lirie komandantin e anijes ushtarake "Sibilla", Fabrizio Laudadio, i cili akuzohet se goditi anijen shqiptare, ndërsa dënoi me 4 vjet burg Namik Xhaferrin, kapiten i motovedetës shqiptare.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›