E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasjet, dy të vdekur brenda 24 orëve

Një adoleshent ka ndërruar jetë pasi i ka shpërthyer granata në dorë

Artan CENA
TIRANË - Dy persona kanë humbur jetën gjatë ditës së djeshme duke u vetëflijuar. Një 46-vjeçar është vetëhedhur nga një shkëmb 100 metra i lartë dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Kanë qenë burimet policore lokale që kanë bërë të ditur lajmin, si dhe kanë zbardhur gjithë ngjarjen. Këta të fundit kanë deklaruar se viktima ishte person me probleme mendore, gjë që ka sjellë dhe ngjarjen e rëndë. Ai është gjetur mbrëmjen e dy ditëve më parë i pajetë, por ishte zhdukur prej tri ditësh. Edhe pse ishin bërë kërkime të shumta, ai u gjet i vdekur pasi kishte rënë nga një lartësi e madhe.
Ngjarja tjetër e rëndë ka ndodhur në kryeqytet, ku një burrë i ka dhënë fund jetës duke u varur në ambientet e banesës. Vladimir Çela, me profesion hidraulik, është gjetur i vdekur nga familjarët e tij. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesdites, kur të afërmit e tij kanë shkuar në banesë.
Vetëvarja
Një person ka kryer vetëvrasje ditën e djeshme në kryeqytet në rrethana që ende janë të paqarta për policinë. Sipas uniformave blu, Vladimir Çela, 45 vjeç, me profesion hidraulik, i ka dhënë fund jetës rreth orës 13:30. Ngjarja ka ndodhur në banesën e viktimës, në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet. Viktima është gjetur i vetëvarur në shtëpi nga familjarët e tij. Sipas të dhënave, ai ishte vetëvarur në një nga dhomat e banesës. 45-vjeçari është gjetur i vetëvarur nga djali i tij. Siç mësohet nga deklarimet e familjarëve, ai ka shfrytëzuar kohën kur në banesë nuk ka pasur njeri dhe i ka dhënë fund jetës. Policia tha se ka nisur hetimet mbi ngjarjen, por ende nuk ka një version të saktë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë që e çoi babanë e dy fëmijëve t’i japë fund jetës.
Hedhja nga shkëmbi
Hidhet nga shkëmbi, gjen vdekjen e menjëhershme një 46-vjeçar. Policia e Librazhdit ka bërë të ditur se një person është vetëvrarë duke u hedhur nga një lartësi prej 100 metrash në një fshat të rrethit. Burime zyrtare nga policia thanë se trupi i pajetë i Nistret Manas është gjetur në orën 18:30 të dy ditëve më parë në fshatin Togëz, komuna Qendër Librazhd, në vendin e quajtur Shkëmbi i Lushit. Mana, 46 vjeç, ishte i lindur dhe banues në këtë fshat. Policia ka dërguar në vendin e ngjarjes një grup hetimor për të parë nëse ishte një vetëvrasje apo vrasje. Nga hetimet e bëra është mësuar se ngjarja ka ndodhur kur ky person është hedhur nga shkëmbi me një lartësi 100 metra. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur 24 orë para se ai të gjendej i vdekur. Nga deklarimet e të afërmve të tij është mësuar se viktima vuante prej vitesh nga depresioni nervor. Dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Elbasanit, që është duke bërë hetime të tjera për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›