Në kërkim të lirisë së fjalës
Anne Applebaum
Jam e sigurt se populli i Rusisë do të shokohet, kur të zbulojë se diplomatët amerikanë mendojnë se presidenti rus, Dimitri Medvedev, luan rolin e Robinit, kurse Putini Betmenin. Italianët, po ashtu, do të tmerrohen kur të mësojnë se kryeministri i tyre, Silvio Berluskoni, konsiderohet “lider evropian fals dhe i padobishëm”. Francezët, gjithashtu do të shtangen kur të dëgjojnë se presidenti i tyre, Nikolas Sarkozi, është quajtur “lëkurëhollë dhe autoritar”. Sa u përket afganëve, ata do të habiten kur të lexojnë se presidenti i tyre, Hamid Karzai, është përshkruar si “njeri tejet i dobët, i cili nuk ua vë veshin fakteve”. Cilido që do t’i lexonte mesazhet gjysmë-diplomatike, të publikuara nga WikiLeaks, pak a shumë do të ndjehej njëlloj. Robert Mugabeja i Zimbabvesë është një “plak i marrë”. Moamer Gadafi i Libisë udhëton me një biondinë, e cila përshkruhet si “kryeinfermiere ukrainase”. Në ditët e ardhshme do të thuhen shumë më tepër gjëra për dokumentet e sapo-publikuara. Por, para kësaj të mos e harrojmë thelbin e çështjes. Mbi të gjitha, dokumentet përmbajnë thesar të gjërave që njerëzit zakonisht i thonë jozyrtarisht. Ato nuk janë regjistrime të shkeljeve të të drejtave të njeriut, ato janë copëza të bisedave. Dokumentet “zbulojnë”, përveç tjerash, se Shtetet e Bashkuara (për çudi) bëjnë lobim te vendet tjera që të organizojnë sanksione kundër Iranit, se diplomatët e Koresë Jugore kanë diskutuar se çfarë mund të ndodhte nëse bie Koreja Veriore, se diplomatët amerikanë u kanë dhënë mito vendeve tjera që t’i pranojnë ish-të burgosurit nga Guantanamo. Rrëfimi i vërtetë nuk qëndron tek informacionet, shumica e të cilave janë raportuar më herët, por te gjuha. Diplomatët e zakonshëm citohen të kenë bërë komente jo aq të pëlqyera me bashkëbiseduesit e tyre. Jo të gjithë ata janë amerikanë.
Mbreti saudit mendon se presidenti i Pakistanit është “i kalbur”: Kryediplomati francez mendon se Irani është një “shtet fashist”. Shefi i Bankës Qendrore britanike mendon se kryeministri i tij është “i cekët”, dhe kështu me radhë. Kuptohet që e gjithë kjo është e turpshme për ata që i kanë bërë komentet e tilla. Por, jam më pak e sigurt nëse zbulimet do të na çojnë diku. Përkundrazi, duket sikur në emër të “lirisë së fjalës”, i është bërë edhe një goditje fjalës së ndershme. Tash, vetëm iu dha më shumë municion atyre që parapëlqejnë kontrollin, korrektësinë politike dhe hipokrizinë më të madhe. Mos prisni qeverisje më të mirë pas këtyre zbulimeve, prisni vetëm sekrete më të thella... Për pasojë, vetëm udhëheqësit autoritarë do të mund të jenë në gjendje të flasin sinqerisht me njëri-tjetrin. Një zyrtar rus mund ta mbajë deklaratën jokorrekte larg gazetave. Gjenerali kinez edhe ashtu kurrë nuk do të fliste me gazetarët. Zyrtarët e nivelit të ulët në Iran nuk do t’ia dërgonin më informatat WikiLIeaks-it, sepse regjimi mund t’i vrasë dhe t’ua torturojë familjet. Për dallim prej tyre, zyrtari i nivelit të ulët në administratën e Shteteve të Bashkuara, i cili, sipas të gjitha gjasave, i ka nxjerrë këto informacione diplomatike, do të jetojë gjatë...
Marrë nga Washington Post
TË DHËNA TË PUBLIKUARA DERI TANI NGA W
IKILEAKS
Raporti i Kongresit Amerikan për anëtarësimin në NATO
Kushtëzimi francez për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Çështja Al Masri, i vënë nën hetim për terrorizëm
SHQIPËRIA NË WIKILEAKS
822 herë përmenden Shqipëria
1 informacion është klasifikuar “Noforn” (tejet sekret edhe për aleatët)
8 informacione janë klasifikuar “Sekret”
2 informacione janë klasifikuar “Kofidencial/Noforn”
147 informacione janë klasifikuar “Konfidenciale”
169 informacione janë klasifikuar “Për përdorim të brendshëm”
125 informacione janë klasifikuar të “Paklasifikuar”
CABLEGATES
WikiLeaks nxjerr 251 287 dosje të tjera
Që prej datës 28 nëntor, WikiLeaks ka nisur publikimin e një sërë dokumentesh që pritet të shkojnë në 251 287 dhe janë pjesë e komunikimeve të ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dosjet kanë nisur të publikohen gjatë 48 orëve dhe vazhdon nxjerrja e informacioneve. Të dhënat i përkasin periudhës që nga viti 1966 deri në fundin e shkurtit të këtij viti dhe përmbajnë komunikime konfidenciale nga 274 ambasada dhe konsullata në të gjithë botën dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në Uashington. Janë 15 852 dokumente të klasifikuara sekret, që i përkasin qeverisë amerikane.
1 Dhjetor 2010