WikiLeaks: E vërtetë për Gërdecin dhe Trebickën
Faqja “WikiLeaks” ka nxjerrë dokumentet e para për Shqipërinë, të cilat kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit të saj në NATO. Informacionin e parë, që rezulton të mos jetë “sekret” dhe që publikohet në mënyrë jointegrale nga gazeta, ka të bëjë me raportin “RL34701” të Shërbimit Kërkimor të Kongresit dhe titullohet: “Zgjerimi i NATO-s: Shqipëria, Kroacia dhe kandidatët e mundshëm në të ardhmen”. Dokumenti mban datën 6 tetor 2008, disa muaj pas tragjedisë së Gërdecit dhe vdekjes së Kosta Trebickës, dëshmitari kyç i shitjes së municioneve kineze nga Shqipëria drejt Afganistanit. Dokumenti është përgatitur nga Vincent Morelli, koordinator për Çështjet e Jashtme, Mbrojtjen dhe Divizionin e Tregtisë. Ky dokument është përgatitur për anëtarët dhe komitetet e Kongresit Amerikan. Raporti ka 38 faqe dhe përveç Shqipërisë, shqyrton edhe zhvillimet në Kroaci, Maqedoni, Gjeorgji, Ukrainë etj. Po ashtu, jepen konstatime edhe përsa i përket sjelljes së Rusisë. Sipas hartuesve të raportit, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të sjellë stabilizimin e rajonit.
Dosjet për Shqipërinë
Sipas faqes elektronike “WikiLeaks”, numri i dokumenteve ku përmendet Shqipëria është 822. Por, aktualisht flitet për 452 informacione për Shqipërinë, të cilat kanë rënë në duart e Julian Assange, pronarit të faqes. Vetëm njëra prej tyre është tepër sekret dhe është përgatitur për përdorim vetëm për qeverinë amerikane. Tetë informacione të tjera janë sekrete, ndërsa të tjerat janë sipas ndarjeve klasifikuese, mediat kanë raportuar se në disa prej dokumenteve flitet për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë fqinje, si mosmarrëveshjet për çështjen e ndarjes së kufirit, raportet me minoritetet, pretendimet për Vorio-Epirin në Shqipërinë e Jugut etj. Por, ende nuk dihet se çfarë kanë realisht ato dokumente.
Reagimi i Ambasadës
Elisabeth Lewis, asistente për shtypin në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, në një prononcim për një media dy ditë më parë, është shprehur se e konsideron të rrezikshëm për mijëra njerëz publikimin e tyre. Diplomatja amerikane thotë se nuk ka asnjë koment lidhur me informacionet, të cilat kanë dalë së fundi në sajtin e WikiLeaks. “Ne jemi një institucion zyrtar, ndërkohë që informacionet në fjalë kanë dalë nga një burim jozyrtar”, - citohet të ketë thënë zonja Lewis.
Pjesa e raportit për Shqipërinë, marrë nga WikiLeaks
Shqipëria
Shqipëria është një nga vendet e para në Europën Qendrore dhe Lindore që kërkoi anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit në rajon, në vitet 1989–1991. Kandidimi për anëtarësim në NATO ka evoluar duke marrë në shqyrtim nga aleatët një numër kushtesh të tilla, si: reformat politike dhe ekonomike, mbështetja publike për anëtarësimin në NATO, reformat për mbrojtjen, aftësia për të kontribuuar në misionet aleate dhe roli i Shqipërisë në rajonin ku ndodhet. Megjithatë, vendimi i NATO-s për kandidaturën e Shqipërisë ishte në fund të fundit një gjykim politik i shteteve anëtare të NATO-s rreth asaj që anëtarësimi i Shqipërisë mund të kontribuojë te siguria e tyre.
REFORMAT E BRENDSHME
Pjesa më e madhe e vëzhguesve besojnë se sfidat kryesore te kandidimi i Shqipërisë janë çështjet që kanë të bëjnë me paqen dhe reformat politike. Qeveria aktuale drejtohet nga Partia Demokratike e qendrës së djathtë, e cila formoi një koalicion me disa parti të vogla, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Qeveria drejtohet nga udhëheqësi afatgjatë i PD-së, kryeministri Sali Berisha. Në të shkuarën Berisha është kritikuar shpesh për stilin e tij të ashpër dhe pa kompromis të udhëheqjes, ndonëse vëzhguesit kanë theksuar se ai është përpjekur ta modernizojë këtë imazh që prej zgjedhjeve të vitit 2005.
Që pas zgjedhjeve të para shumëpartiake, në vitin 1991, politika shqiptare është shënuar nga konflikte të egra politike mes partive dhe luftë fraksioniste brenda tyre. Në detyrën e parë që mbante Berisha, rendi publik u shemb tërësisht në vitin 1997, pas dështimit të skemave piramidale. Që prej vitit 1991, edhe PD-ja, edhe drejtuesi tjetër i PS-së, kanë humbur zgjedhjet dhe refuzuan që të pranojnë disfatën, duke akuzuar për manipulime. Në të vërtetë, OSBE-ja shpesh ka vlerësuar cilësinë e zgjedhjeve shqiptare, si jo plotësisht në standardet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe një raport të zgjedhjeve të OSBE-së, pas votimit të 2005-ës. Gjithashtu, zgjedhjet vendore të shkurtit të vitit 2007, sipas OSBE-së, shënuan përkeqësim të standardeve ndërkombëtare, ndonëse patën një përmirësim gradual. Udhëheqësit e BE-së dhe të SHBA-ve shpesh kanë bërë thirrje për udhëheqësit shqiptarë që të tregojnë qytetari më të lartë në luftën e tyre politike dhe të punojnë bashkërisht në përgatitjen e vendit për integrimin euroatlantik.
Përsa i përket çështjes së maturisë politike, Shqipëria ka mungesa domethënëse ligjore dhe institucionale. Dy çështjet kyçe të cituara nga SHBA-të, NATO-ja dhe nga vetë udhëheqësit shqiptarë, janë reforma zgjedhore dhe reforma gjyqësore. Kuvendi i Shqipërisë është duke draftuar legjislacionin e ri rreth këtyre çështjeve, por progresi ka qenë i ngadaltë. Megjithatë, vëzhguesit theksojnë se miratimi i ligjeve është një gjë dhe zbatimi i tyre në mënyrë efektive është një gjë tjetër.
Përpjekjet për reformat e tjera janë fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndoshta ndër sfidat më serioze me të cilat përballet vendi. Disa nga organizatat kriminale më të fuqishme të Europës janë të bazuara ose kanë lidhje të fuqishme me Shqipërinë. Në Indeksin e Korrupsionit të TI, Shqipëria renditet e 105-ta nga 175 vende, me treguesit më të këqij në Europën Qendrore.
Zyrtarët e SHBA-ve theksojnë se politikat e antikorrupsionit duhet të ndiqen me hetime dhe investigime efektive. Ata thonë se Shqipëria duhet të bëjë më shumë progres në forcimin e pavarësisë së prokurorëve dhe Gjyqësorit.
MBËSHTETJA PUBLIKE PËR ANËTARËSIMIN NË NATO
Mbështetja publike në Shqipëri për anëtarësimin e vendit në NATO është shumë e lartë. Këtë e tregojnë sondazhet e bëra në opinionin publik, ku 96% e të anketuarve janë në favor të anëtarësimit. Të gjitha partitë politike kryesore në të gjithë spektrin politik janë në favor të anëtarësimit në NATO.
Reformat e Mbrojtjes dhe aftësia për të kontribuuar në misionet aleate
Shqipëria ka bërë progres domethënës në reformat ushtarake. Megjithatë, varfëria dhe pesha e vogël e vendit e shmangin atë nga të qenit kontributor i madh në kapacitetet ushtarake të Aleancës. Me asistencën e SHBA-ve dhe vendeve të tjera të NATO-s, Shqipëria është duke u përpjekur që të zhvillojë një forcë të vogël, eficiente dhe të mirëtrajnuar që të operojë efektivisht me NATO-n. Formacioni aktual i Forcave të Armatosura të Shqipërisë është 11 020 trupa. Nga kjo periudhë, deri në vitin 2010 procesi ristrukturues i ushtrisë do të arrijë në rreth 10 000 trupa. Shqipëria i ka kushtuar një pjesë të burimeve të varfra financiare të saj shpenzimeve për mbrojtjen. Buxheti i vitit 2007 për mbrojtjen ishte 208 milionë dollarë, duke përfaqësuar 1.8% të GDP-së. Në vitin 2008 do të shpenzojë 2.01% të GDP-së në fushën e mbrojtjes, shifër e rekomanduar nga shtetet anëtare të NATO-s, ku vetëm 7 prej 26 aleatëve e realizojnë një kontribut të tillë.
Ashtu si dhe në rastin e mëparshëm të zgjerimit, NATO-ja ka inkurajuar shtetet kandidate që të zhvillojnë kapacitetet “kamare” për të ndihmuar misionet e NATO-s. Shqipëria është fokusuar në krijimin e një Brigade të Reagimit të Shpejtë, të Policisë Ushtarake, të forcave të operacioneve speciale ekipe në dispozicion për lëndët e pashpërthyera, inxhinierë dhe njësi mbështetëse mjekësore. Shqipëria thotë se planifikon të ketë 40% të forcave të saj tokësore, të gatshme për misione ndërkombëtare. 8% e totalit të forcave mund të zhvendosen në çdo kohë dhe sipas zyrtarëve, të jetë në gjendje të bëjë rotacione. Vlerësime të paanshme të progresit të reformave të Shqipërisë theksojnë se vendi është i angazhuar për kryerjen e këtyre reformave, pavarësisht me disa kufizime të rënda praktike dhe financiare.
Udhëheqësit shqiptarë deklarojnë se vendi i tyre tashmë vepron prej vitesh si një anëtar “de facto” i NATO-s. Forcat shqiptare kanë marrë pjesë në misionin paqeruajtës të drejtuar nga NATO-ja të SFOR-it dhe janë pjesë e forcës aktuale të BE-së atje. Shqipëria ka vendosur një kompani të madhësisë së mesme, me rreth 140 burra, si pjesë e ISAF-it, forca stabilizuese e udhëhequr nga NATO në Afganistan. Ajo ka vendosur edhe një ekip mjekësor ushtarak në ISAF, të cilit i janë bashkuar edhe Maqedonia dhe Kroacia. Aktualisht, 240 trupa shqiptare shërbejnë si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të në Irak.
Zyrtarë shqiptarë të mbrojtjes pranojë se Shqipëria do të vazhdojë të ketë nevojë për ndihmë bilaterale për disa kohë që të jetë në gjendje të marrë pjesë në misionet ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e pajisjeve vjen nga donacionet ndërkombëtare dhe nuk ka arsenal të mjaftueshëm logjistik, për të cilat kërkon mbështetjen e vendeve aleate për forcat shqiptare që po realizojnë misionet e tyre.
Më 15 mars 2008, një shpërthim masiv në një depo ushtarake shqiptare të municioneve në Gërdec shkaktoi vdekjen e 26 personave, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u shkatërruan më shumë se 400 shtëpi. Incidenti ndodhi gjatë punës për demontimin e rezervave të mëdha të municioneve që i përkasin periudhës së komunizmit, që bëheshin me ndihmën e një kontraktori amerikan. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pas incidentit dhe tre persona janë vënë në akuzë për shpërdorim. Investigimi për shpërthimin vazhdon akoma.
Në shtator 2008, Kosta Trebicka, një dëshmitar kyç i çështjes, është vrarë, siç raportohet në një aksident automobilistik (të dhëna të NYT).
Disa vëzhgues kanë argumentuar se incidenti tregoi dobësinë në profesionalizimin, kompetencën e strukturave të mbrojtjes dhe të qeverisë në Shqipëri, si dhe mungesën e një gjyqësori të pavarur. Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, John Withers, ka qenë kritik i përpjekjeve të dukshme të disa deputetëve të Shqipërisë në ndikimin e hetimit. Withers ka theksuar në mënyrë të përsëritur se Prokuroria duhet të lejohet që të procedojë me çështjen e lirë nga ndikimet politike.
ÇËSHTJET RAJONALE
Shqipëria nuk ka mosmarrëveshje territoriale me fqinjët e saj. Shqipëria është një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, pas deklarimit nga ana e saj të pavarësisë nga Serbia, më 17 shkurt 2008. Kjo ka rritur tensionet në marrëdhëniet e saj me Serbinë. Udhëheqësit shqiptarë kanë thënë në mënyrë të përsëritur se ata nuk mbështesin bashkimin e tyre me Kosovën dhe pjesën e shumicës shqiptare të Maqedonisë në “Shqipërinë e Madhe”. Në të vërtetë, zyrtarët e SHBA-ve dhe të BE-së shpesh e kanë vlerësuar Shqipërinë për qëndrimin e saj të moderuar rreth çështjes së Kosovës. Që prej vitit 2003 Shqipëria ka marrë pjesë bashkë me Kroacinë dhe Maqedoninë në Kartën e Adriatikut, të mbështetur nga SHBA, e cila promovon bashkëpunimin mes vendeve në reformat e mbrojtjes dhe në fusha të tjera, për t’i dhënë shtytje perspektivës së tyre të anëtarësimit në NATO. Shqipëria merr pjesë edhe në nisma të tjera rajonale, si SEDM dhe SEEBRIG.
Zyrtarët shqiptarë thonë se anëtarësimi i tyre në NATO do të stabilizojë rajonin nga ankorimi i Aleancës në mënyrën më të vendosur në Europën Juglindore. Gjithashtu, ata thonë se anëtarësimi do të ulë forcat ekstremiste në Serbi. Për më tepër, ata pretendojnë se kjo do të inkurajojë forcat properëndimore në Serbi, duke treguar se nëse ata ndjekin kursin e vendeve të Kartës së Adriatikut, edhe vendi i tyre do të bëhet pjesë e komunitetit euroatlantik.
CABLEGATES
WikiLeaks nxjerr 251 287 dosje të tjera
Që prej datës 28 nëntor, WikiLeaks ka nisur publikimin e një sërë dokumentesh që pritet të shkojnë në 251 287 dhe janë pjesë e komunikimeve të ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dosjet kanë nisur të publikohen gjatë 48 orëve dhe vazhdon nxjerrja e informacioneve. Të dhënat i përkasin periudhës që nga viti 1966 deri në fundin e shkurtit të këtij viti dhe përmbajnë komunikime konfidenciale nga 274 ambasada dhe konsullata në të gjithë botën dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në Uashington. Janë 15 852 dokumente të klasifikuara sekret, që i përkasin qeverisë amerikane.
TË DHËNA PËR DOSJET
15 652 informacione sekret
101 748 informacione konfidenciale
133 888 informacione të paklasifikuara
INFORMACIONET SIPAS VENDEVE
15 365 informacione për Irakun
7918 informacione për Turqinë
8017 informacione për zyrën e Sekretarit të Shtetit
1320 informacione për Kosovën
1758 informacione për Greqinë
783 informacione për Maqedoninë
452 informacione për Shqipërinë
SHQIPËRIA NË WIKILEAKS
822 herë përmenden Shqipëria
1 informacion është klasifikuar “Noforn” (tejet sekret edhe për aleatët)
8 informacione janë klasifikuar “Sekret”
2 informacione janë klasifikuar “Kofidencial/Noforn”
147 informacione janë klasifikuar “Konfidenciale”
169 informacione janë klasifikuar “Për përdorim të brendshëm”
125 informacione janë klasifikuar të “Paklasifikuar”
DOSJET SIPAS ÇËSHTJEVE
145 451 informacione për marrëdhëniet e politikës së jashtme
122 896 informacione për marrëdhëniet qeveritare të brendshme
55211 informacione për të drejtat e njeriut
49 044 informacione për kushtet ekonomike
28 801 informacione për terroristët dhe terrorizmin
6532 informacione për Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara
LLOJET E INFORMACIONEVE
Konfidencial
Konfidencial/Inforn
Sekret
Sekret/Inforn
I paklasifikuar
I paklasifikuar/Inforn
Vetëm për përdorim zyrtar
MEDIAT QË I PUBLIKOJNË
The New York Times
Guardian
El Pais
Der Spiegel
30 Nentor 2010