E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të nazistit të fundit

Në një vështrim të parë, fotot duket se i përkasin një galerie gjyshërish, por në të vërtetë bëhet fjalë për 10 më të kërkuarit e një prej regjimeve më të kobshme që kanë parë sytë e njerëzimit. Janë nazistët e fundit të mbetur gjallë dhe emri i koduar i operacionit të ndërmarrë për t‘i kapur është më se elokuent: operacioni "Shansi i fundit".

Më shumë se 60 vjet pasi gjyqet e Nurembergut dhanë dënimet prej disa prej njerëzve më të afërt të Hitlerit, qendra "Simon Wiesenthal" së fundmi ka publikuar listën e kriminelëve të fundit nazistë. Beteja për t‘i sjellë përpara drejtësisë është e ndërlikuar nga një përzierje apatie politike, problemesh legale, aftësia legjendare për t‘iu fshehur drejtësisë dhe ajo që gjuetarët e nazistëve e quajnë "simpati e pavend" për këta burra me fytyra tashmë babaxhane, të cilët i kanë lënë pas të tetëdhjetat.

"Janë shumë të moshuar dhe kjo i bën të gëzojnë një prirje të natyrshme për t‘u parë me simpati nga njerëzit, por kalimi i viteve nuk ua lehtëson aspak fajin për krimet që kanë kryer", tha Efraim Zurof, drejtori i qendrës "Wiesenthal", me vendndodhje në Jerusalem. "Nëse do vinim një kufi kohor për këto lloj krimesh, praktikisht do të thoshte se kushdo që ka kryer gjenocid një ditë mund t‘i shpëtojë ndëshkimit".

Shënjestra kryesore është Aribert Heim, tashmë një 93-vjeçar. Të burgosurit hebrenj në kampin e përqendrimit të Mathauzenit e njohin më mirë si "Doktor vdekja". Mjeku austriak injektonte naftë dhe një mori substancash helmuese drejt e në zemrat e fatkeqëve, për të vërejtur se cila prej tyre do t‘i dërgonte më shpejt në botën e përtejme. Në një rast përdori lëkurë të zbukuruar me tatuazhe të një të burgosuri për të zbukuruar dhomën e komandantit të vet.

Një hebre 18-vjeçar, futbollist dhe notar, i cili ishte dërguar te Heimi për shkak të një infeksioni në këmbë, fillimisht u trodh e më pasi iu pre koka. Koka iu zie për të larguar mishin dhe kafka u përdor për studime. "Heimit i nevojitej koka, për shkak të dhëmbëve të përsosur", dëshmoi një punonjës i spitalit të kampit për agjencinë e lajmeve "Associated Press".

Edhe pse rendja pas këtyre kriminelëve në arrati vazhdon, sfida e vërtetë është të gjykohen përpara vdekjes. I vetëdijshëm për tiktakun e kohës, Zurof do të ndërmarrë një sulm mediatik gjatë kësaj vere në Amerikën Latine, ku do t‘i premtojë 485 mijë dollarë secilit që bën të mundur arrestimin e Heimit.

Heimi gjendet në arrati që në vitin 1962, kur, i martuar dhe me një punë të mirë si mjek gjinekolog në Baden të Gjermanisë Perëndimore, u njoftua nga dikush se rrezikonte të arrestohej. Si provë që vërteton se është ende gjallë, mund të vlejë një depozitë bankare prej 1 milion eurosh, që gjendet në emër të tij në një bankë berlineze. Në rast të kundërt, familjarët do t‘i kishin tërhequr ato para. Mendohet se gjasat më të mëdha janë që doktori të gjendet në Kili, ku jeton bija e tij, ose në Argjentinë, një nga destinacionet e parapëlqyera të nazistëve në arrati, përfshi këtu edhe arkitektin e Holokaustit, Adolf Eiçman, dhe një tjetër mjek, të cilit i pëlqenin eksperimentet mbi të burgosurit, Jozef Mengele.

Problemi është që për Heimin nuk ekziston asnjë e dhënë që të tregojë se ku mund të gjendet. Për nëntë të tjerët Zurof ka në dorë thuajse të gjitha adresat e banimit, nga Klagenfurti i Austrisë në Perth të Australisë. Por, në këto raste është mungesa e vullnetit politik ajo që pengon gjuetarët të sjellin kriminelët përpara drejtësisë. Xhon Demjanjuk, një emigrant ukrainas, u ekstradua në vitin 1986 nga Amerika në Izrael, ku u kërkua të dënohej me vdekje si njeriu që në kampin e Treblinkës njihej si "Ivani i tmerrshëm". Por, Gjykata e Lartë izraelite e hodhi poshtë akuzën dhe e liroi. Tani po lufton për të mos u përzënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Disa shtete nuk e kanë forcën për të akuzuar dhe ndëshkuar", vëren Zurof. "Kriminelët nazistë të luftës nuk janë vrasës serialë. Nuk kanë ndër mend të vrasin përsëri dhe qeveritë janë të vetëdijshme që për pak vite do të jenë të gjithë të vdekur".

Le të marrim shembullin e 93-vjeçarit Sandor Kepiros, i treti në listë. Ishte një prej disa oficerëve hungarezë, të cilët drejtuan masakrën e më shumë se 1 mijë njerëzve (më së shumti hebrenj) në brigjet e lumit Danub në Serbi. U dënua në vitin 1944, por u fal dhe u vendos në Austri. Në vitin 1946 u dënua përsëri - në mungesë - dhe vendosi që të zhdukej një herë e mirë nga skena duke fluturuar drejt Argjentinës.

Gjysmë shekulli më pas udhëtoi në fshehtësi të plotë drejt atdheut të tij, pasi mori premtimin se nuk do të gjykohej. Por kur u zbulua në vitin 2006 se jetonte në Budapest, çështja e tij u bë publike. Nuk është marrë ende asnjë vendim, nëse do të përballet apo jo me gjyqin.

Hungaria është një prej nëntë vendeve, të cilat cilësohen si "të dështuara" në rezultatet vjetore të qendrës "Wiesenthal". Suedia është një tjetër vend; nuk pranon të hetojë asnjë prej krimeve të epokës naziste falë një ligji që nuk merr në konsideratë asnjë krim të kryer para 25 vjetësh, përfshi këtu edhe gjenocidin.

Një tjetër vend është Australia, nën akuzë për ngadalësimin e tepruar të proceduarve të ekstradimit të numrit 7 në listën e nazistëve më të kërkuar, Çarls Zentai.

"Për tre vjet qeveria australiane e lejoi këtë zotëri të luante me gjykatat", tregon Zurof. "Kur thua tre vjet për një njeri që i kaluar të tetëdhjetat, bëhet fjalë për një periudhë mjaft të gjatë, gjë që mund t‘i japë shanset t‘i shpëtojë fare drejtësisë".

Zentai, tashmë një 86-vjeçar me banim në periferi të qytetit Path, akuzohet për rrahjen me pasojë vdekjen e të riut hebre të quajtur Peter Balazs, pasi djaloshi u kap ndërsa udhëtonte në një tram të Budapestit pa vendosur yllin e Davidit në veshje për t‘u identifikuar si hebre. Zenai nuk e pranon akuzën dhe lufton kundër ekstradimit që në vitin 2005. Para pak ditësh humbi çështjen kundër ekstradimit. Familjarët e tij thonë se dëshmitë që e bëjnë fajtor janë marrë me forcë nga ushtarët. Thonë gjithashtu që në rast se ekstradimi do të ndodhte, do kishte shumë pak shanse t‘i nënshtrohej gjykimit të paanshëm në Gjermani. I biri tha pak ditë më parë: "E di që im atë nuk ka qenë kurrë nazist, kështu që përse një gjuetar nazistësh i është qepur pas? Nuk ka qenë i përfshirë në Holokaust apo në keqtrajtimin e hebrenjve. Të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›