E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim të një “Gus Hidink” për KombëtarenBariçi iku pas humbjes me Rumaninë, Hani pas asaj me Danimarkën. Një gjë është e qartë, po të duan futbollistët në Shqipëri nuk mbetet trajner më këmbë, qoftë ky shqiptar apo kosovar. Këtu jo vetëm Gu

Tre ish-futbollistë të famshëm të Kombëtare shqiptare, Bledar Kola (aktualisht trajneri i AEK u-21, Greqi), Besnik Hasi (zëvendëstrajner i Anderlehtit, Belgjikë) dhe Foto Strakosha (trajner portierësh te Apoel, Qipro) përfliten si kandidaturat kryesore për të pasuar holandezin Ari Han në stolin kuqezi, pas dështimeve të këtij të fundit në tri ndeshjet e fundit (1 barazim, 2 humbje).

Përfundimisht, duket se Han (trajneri i katërt i huaj i epokës “Duka”) nuk do të jetë në fund të kësaj jave tekniku i Shqipërisë, kur atij i kanë mbetur edhe tri ndeshje ndërkombëtare nga përfundimi zyrtar i kontratës (Portugali, Danimarkë e në fund Suedia në Stokholm). Kontrata juridikisht përfundon më 31 dhjetor 2009, teksa Hani ka pa marrë nga marrëveshja e tij e tretë si trajner i një ekipi kombëtar edhe 80 mijë euro.

Gjashtë pikë në shtatë ndeshje (Han nuk ka në kontratën e tij një objektiv konkret përsa i përket pikëve) dhe diferenca e qartë në pikë me Hungarinë (aktualisht -7 pikë) me rivalin direkt të vendit të katërt (Hungaria ka shanse për të përfunduar në vendin e dytë, në zonën e play-offit) është dhe ngërçi i madh në aventurën 14 mujore të Hanit në Shqipëri.

Trajneri i fundit shqiptar që ka drejtuar Kombëtaren ka qenë Sulejman Demollari (aktualisht i papunë), i cili para shkarkimit pati rezultate të dobëta me “liliputë” të tillë si Andorra e Luksemburgu, e për t’u pasuar nga italiani Xhuzepe Dosena, pasi ky i fundit kishte bërë më parë në Shqipëri një vizitë turistike, faktikisht njohëse e gjendjes së futbollit shqiptar.

Shqipëria gjatë historisë së saj 63-vjeçare me Kombëtaren ka zhvilluar shumë pak ndeshje historike, nga fitorja e saj e parë me Bullgarinë (1946, Kampionati Ballkanik) dhe te barazimi i madh me Portugalinë (2008, El.Kampionati Botëror 2010), duke futur këtu dhe barazimin me Gjermaninë (0-0, 1967, El.Kampionati Europian 1968), fitorja me Belgjikën (2-0, 1984, El.Kampionati Botëror 1986) e fitorja e jashtëzakonshme me Greqinë (2-1,2004, El.Kampionati Botëror 2006).

Nuk duhet mohuar kurrsesi, se pjesë e rezultateve të mëdha të Shqipërisë në arenën ndërkombëtar kanë qenë pjesë edhe trajnerët e huaj të saj, duke nisur me jugosllavin Ljubisha Broshiç (fitoi me Shqipërinë kampionatin ballkanik 1946), gjermanin Hans Peter Brigel (fitoi kundër Rusisë, 3-1, dhe kundër Greqisë, 2-1, atëherë kampione në fuqi të Europës), kroatin Oto Bariç (dy barazime të forta me Bullgarinë, ku dallon ai 0-0 në Sofje) e përfunduar me holandezin Ari Han (barazimet spektatolare me Suedinë e Portugalinë).

Ish-mesfushori shkatërrues Besnik Hasi (38 vjeç, 50 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, 2 gola, së fundi zëvendëskapiten i Shqipërisë, i larguar gjatë kohës së Bariçit), ish-mesfushori krijues Bledar Kola (37 vjeç, 40 ndeshje, 6 gola, disa ndeshje kapiten i Shqipërisë) dhe Foto Strakosha (44 vjeç, 73 ndeshje me Kombëtaren, së fundi trajner portierësh me Brigelin e Baricin) nuk kanë drejtuar kurrë më parë si “violinë e parë” një ekip, pavarësisht se kanë një përvojë të madhe ndërkombëtare e janë stërvitur nga emra të mëdhenj.

Si futbollistë, si Kola, Hasi e Strakosha nuk e kanë kurrë luksin të jenë në “orbitën” Dosenës (kampion bote me Italinë në Spanjë, në fakt nuk luajti asnjë minutë), Brigel (kampion bote me Gjermaninë), Hanin (dy herë nënkampion bote me Holandën). Nga ana tjetër, përpara se Bariç të merrte drejtimin e Shqipërisë, kishte drejtuar një duzinë skuadrash në rreth 2000 ndeshjesh, teksa me Shqipërinë në humbjen e hidhur kundër Rumanisë (6-1) kompletoi numrin e 100 ndeshjeve si trajner i kombëtareve të Kroacisë, Austrisë e Shqipërisë.

Të gjithë janë në një mendje, se Ari Hani e meriton të largohet nga drejtimi i përfaqësueses shqiptare pas rezultateve të tri ndeshjeve të fundit (1 barazim, 2 humbje), por në katër të parat, qoftë për fatin e holandezit, Shqipëria me pesë pikë e grumbulluara, e sidomos me barazimet pa gola kundër Suedisë e Portugalisë tërhoqi vëmendjen futbollistike të mbarë Europës (FIFA i kushtoi edhe një speciale ecurisë së Shqipërisë).

Parë në tre detaje të thjeshta tri ndeshjet e fundit dallojmë qartë tri momente që kanë vendosur edhe fatin e takimeve. Barazimi dëshpërues me Maltën: Bogdani i vetëm përballë portës nuk shënon, përfundimi Maltë-Shqipëri 0-0. Humbja e hidhur në Tiranë me Hungarinë: Dallku në tentativë për të larguar topin ia dhuron atë hungarezit Torgele, përfundimi Shqipëri-Hungari 0-1. Humbja e madhe me Danimarkën: dy gafa të pastra të Hidit dhe një mosmarrëveshje midis Currit e Agollit; përfundimi Danimarkë-Shqipëri 3-0.

Han nuk ka guxuar kurrë të luajë agresiv edhe pse origjina e tij futbollistike vjen nga një vend që aplikon një futboll tërësisht sulmues. Vetë një mesfushor i pastër race (i famshëm botërisht me Ajaksin dhe dy gola të papërsëritshëm me Kombëtaren holandeze), 60-vjeçari Han, i cili ka pasur fatin të stërvitë Samuel Eto-në kur drejtoi për pak kohë Kamerunin, dalloi qartë se në Kombëtaren shqiptare nuk kishte në dispozicion një sulmues tipik goli. Gjatë 10 ndeshjeve në drejtimin e tij (3 miqësore, 7 zyrtare), Shqipëria ka shënuar vetëm 6 gola (3 në miqësore, 3 në zyrtare).

Erjon Bogdani (9 gola me Kombëtaren në total, 1 gol këtë edicion), Edmond Kapllani (6 gola, 1 gol në miqësore), Besart Berisha (2 gola, asnjë gol këtë edicion ), Hamdi Salihi (1 gol, asnjë gol këtë edicion), Migen Memelli (10 minuta i aktivizuar, 0 gola), Xhevair Sukaj (asnjë minutë, 0 gola) nuk kanë treguar kurrë vlerat e mirëfillta të një sulmuesi në formatin ndërkombëtar. Ky dhe mund të jetë faji i trajnerit Han (tashmë vetëm “de facto” nuk mund të quhet një ish), që nuk ka mundur t’u marrë maksimumin lojtarëve të tij.

Por a do ta bëjnë këtë pasardhësit e Hanit. A do të mundë Kola, Hasi apo dhe Strakosha edhe pikën e fundit të djersës Bogut& Co. e ta çojnë tifozerinë e kuqe në delir me golat e tyre, duke shënuar kundër Portugalisë, Danimarkës e Suedisë e jo vetëm ndaj modestëve të Maltës.

Besnik Hasi është duke mbyllur vitin e tij të parë si ndihmëstrajner i Anderlehtit, një prej ekipeve simbol të Belgjikës. Dallohet për njohuritë e tij taktike në mesfushë dhe marrëdhëniet e shklqyera në dhomat e zhveshjes.

Në të kundërt, Xhuzepe Dosena,  kur u zgjodh nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kishte drejtuar Ganën në Afrikë dhe kishte qenë ndihmës i Cezare Maldinit në bankinën e Paraguajit në një kampionat botëror (2002).

Bledar Kola ka një eksperiencë të madhe futbollistike si lojtar në Shqipëri e Greqi (katër skuadra në këtë vend), por dhe përvojë në akademinë e moshave të AEK-ut, por vetëm kaq dhe të folurit shqip me lojtarë shqiptarë e kosovarë, duket se nuk mjafton.

Në të kundërt, Brigel përpara se të pasonte italianin e larguar “fshehurazi”, kishte pak eksperiencë si trajner. Pas disa esperiencave modeste në Gjermani e Turqi (Beshiktashin, Trabzonsporin), Shqipëria ishte trampolina e madhe e karrierës së tij. Brigel është dhe trajneri rekordmen me Kombëtaren shqiptare, 13 pikë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2006. Nuk pranoi të drejtonte për një edicion të tretë Shqipërinë (për shkak të klauzolave në kontratën e paraqitur nga FSHF) dhe dështoi më pas si trajner i Bahreinit, ashtu dhe si Ankaruguçy (është në gjyq me klubin turk).

Foto Strakosha është rekordmeni absolut përsa i përket ndeshjeve me Kombëtaren shqiptare (73 ndeshje), por i rrezikuar seriozisht nga kapiteni aktual i Kombëtares, Altin Lala (71 ndeshje). Lala ka në dispozicion edhe tri ndeshje këtë edicion, teksa në muajin nëntor pritet të luhet një miqësore me Skocinë (në konfirmim e sipër).

Në të kundërt, Oto Bariç konsiderohet si nga legjendat e trajninut europian e atij botëror. Kroati ishte i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë. Me temperament impulsiv gjatë lojës dhe me shpirt revolucionar për reformimin e ekipit, trajneri 75-vjeçar “anti-gay” ishte “mentori” i duhur për të futur në shinat e duhura “trenin” e kombëtares shqiptare.

Por, të gjithë e dinë sesi e bëri ai udhëtimin e fundit nga Bukureshti në Zagreb. Me pikëllimin e tij më të madh. Humbja 4-2 në Tiranë me Bjellorusinë dhe e pasuar edhe nga një tjetër më e thellë 6-1 me Rumaninë, e detyruan “plakushin” të kuptojë se nuk mund t’i drejtonte më këta “djem”. E njëjta gjë, po ndodh edhe me Hanin.

Shqipëria pas ndeshjeve të mëdha kaloi shumë shpejt në ekstremin tjetër, atë të ndeshjeve shumë të dobëta e që zhgënjeu tifozët në “Ta’ Qali” të La Valetës, “Qemal Stafa” të Tiranës e “Parken Stadium” të Kopenhagenit.

Postulati më i njohur në futboll është thjesht “black&ëhite”: kur fiton, trajneri merr lavdet; kur humbet, trajneri duhet të largohet. Kjo është dramë dhe pjesë e profesionit të tij. Para pak javësh në “San Siro”, Karlo Ançeloti u fishkëllye në mënyre fyese nga tifozët e Milanit. “Këta nuk duan t’ia dinë fare për atë që unë i kam dhënë kësaj skuadre” (Ançeloti ka fituar Ligën e Kampioneve). Lipi, një tjetër emër i madh i futbollit italian komentoi: “Karlo, nuk ka kurrë miqësi të përjetshme me tifozët”.

Ari Han e ka mbushur kupën, të paktën nga mënyra sesi e shikojmë ne futbolldashësit shqiptarë. Portugalia e Karlos Kuierozit, ish-ndihmësit të legjendës britanike, Sër Aleks Fergusonit, ka grumbulluar 6 pikë sa Shqipëria, por në 5 ndeshje. Dhe nuk shënon gol prej tri ndeshjesh, edhe pse ka në gjirin e saj futbollistin më të mirë në planet, Kristiano Ronaldo.

Suedia me Lars Lagerbak ka 6 pikë në 4 ndeshje edhe pse ka në gjirin e saj lojtarin më të paguar në botë, Zlatan Ibrahimoviçin, madje në katër takimet ka shënuar vetëm dy gola, një më pak se Shqipëria (7 ndeshje).

Si Portugalia ashtu dhe Suedia dështuan të shënonin kundër Shqipërisë, dhe po kështu edhe Ronaldo e Ibra kundër Arjan Beqajt. Por, askund si në Lisbonë ashtu dhe në Stokholm nuk flitet për shkarkimin as të Kueirozit dhe as të Lagerbakut.

Kritikët më të medhenj të Hanit (përveç medias) janë katër ish-trajnerët e fundit shqiptarë të Kombëtares: Neptun Bajko (aktualisht pa ekip në Shqipëri), Astrit Hafizi (pa ekip), Mehdin Zhega (pa ekip) dhe Sulejman Demollari (pa ekip). Të gjithë këta kanë punuar me kontrata të vogla financiare dhe përgjithësisht flasin për reforma të thella në futboll, duke nisur nga reformimi sipas tyre, i “trurit” të futbollit shqiptar, FSHF-së.

Të dielën e kaluar pak minuta pas humbjes 1-4 të Elbasanit me Vllazninë, trajneri i njohur Faruk Sejdini dha dorëheqjen, i dyti sezonal i verdhebluve pas Mirel Josës. Sejdini është trajneri i 17-të që jep dorëheqjen këtë edicion në Kategorinë Superiore, një kompeticion me vetëm 12 ekipe.

Në fakt, po të shohësh edhe tre kryesuesit e kampionatit shqiptar, Tiranën, Vllazninë e Dinamon, ato drejtohen nga trajnerët e dytë sezonalë, edhe pse Tirana ka pasur në drejtim Bllazh Slishkoviçin (ish-trajneri i Bosnjë-Hercegovinës) e Dinamo Zllatko Daliçin (trajneri i Kroacisë U-21).

Pse dështuan Bllazhi e Zlatko, apo më parë edhe Temeshvari, Axhiabdiçi, Bonaçiçi, Cikleanu, Kataliniçi, Dumitresku? Një gjë është thënë hapur. Kurrë nuk arritën të kuptonin mentalitetin e realitetin e futbollit shqiptar.

Thuajse të gjithë trajnerët shqiptarë janë shprehur qartë në rubrikën post-Kombëtare në versionin “po të isha unë”. Por, thuajse të gjithë këta dështojnë në ballafaqimet ndërkombëtare të klubeve.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njeriu që ka dhe të drejtën ekskluzive për të emëruar trajnerin e Kombëtarës, prej 7 vitesh, nga ai 2002, është i dashuruar me trajnerët e huaj.

Në fakt, ka shumë të drejtë. Tek e fundit, bërthama “vertikale” e kombëtares shqiptare është ajo legjionare. Pra, me lojtarë që luajnë në kampionatet e huaja, që jetojnë çdo ditë me futbollin profesionist dhe me metoda e ambiente futbollistike të standardeve të përparuara.  

Lorik Cana, kapiteni shqiptar i Marsejës, synon titullin e kampionit në Francë dhe fitimin e Kupës UEFA, por me Kombëtaren shqiptare futbollisti më i mediatizuar shqiptar në arenën ndërkombëtare, i ka të pakta përformancat e tij mbresëlënëse.

Debatik Curri e Armend Dallku e dinin se do të ndiqeshin nga zbulues të ekipe të mëdha gjermane apo holandeze në takimet kundër Hungarisë e Danimarkës, apo me ekipin e tyre Vorskla Poltava. Por, pikërisht në këto ndeshje si Curri e Dallku bërë ndeshjet e tyre me të dobëta. Pse të ndodhë kjo? Nuk janë të motivuar sa duhet këta lojtarë për të “braktisur’ Vorsklën ukrainase në drejtim të gjigantëve gjermanë si Bajern i Munihut apo Hamburgu.

Luis Felipe Skolari, trajneri brazilian që i dha vendit të tij titullin e pestë të Kampionit të Botës e drejtoi me sukses për 6 vjet Portugalinë (nënkampione në Euro 2004), me gjithë emrin e madh dështoi në eksperiencën e tij të parë në Angli me një klub ambicioz si Çelsi. Armiqtë më të mëdhenj të tij te londinezët konsiderohet kapiteni i Gjermanisë, mesfushori Mikael Balak e grupi pro tij. Ia bënë “gropën” Filit të Madh pa e mbyllur dot sezonin.

Miliarderi rus Roman Abramoviç thirri në detyrë Gus Hidinkun, magjistarin holandez, një nga emrat më të mëdhenj të trajningut botëror, me një të kaluar brilante si me kombëtaret që ka drejtuar (Holandën, Korenë e Jugut, Australinë e aktualisht Rusinë) ashtu dhe me klubet (PSV Eindhoven, Real Madrid, Çelsi).

Anglia dominon futbollin botëror, boll të mendosh se katër ekipet e tyre janë në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, por te Mançester Junaitid, trajner është një skocez (Aleks Ferguson), te Liverpuli, një spanjoll (Rafa Benitez), te Çelsi, një holandez (Gus Hidink) dhe te Arsenali, një francez (Arsen Venger). Për ta bërë akoma dhe më dominuese “armatën e huaj” të trajnerëve, edhe Kombëtarja e “tre luanëve” drejtohet nga italiani Fabio Kapelo.

Pra, debati i madh shqiptar: më mirë një trajner shqiptar (me pak shpenzime) apo një huaj (me më shumë shpenzime), duket se ka mbërthyer keqas specialistët në distancë të futbollit shqiptar. Në fund të fundit, ç’mund të ketë më shumë Hani nga Hasi, Bariç nga Kola, Brigel nga Strakosha, kur futbolli luhet në fushë nga lojtarët.

Kur Arjan Beqaj luajti për herë të parë nën urdhrat e Brigelit, kosovari emblematik i portës sonë bëri dy gafa në ndeshjen e humbur kundër Zvicrës, e gjermani nuk e thirri më. Bariçi u bazua tërësisht te Beqaj pas gafës së Ilion Likës kundër Bjellorusisë. Hidi i bëri gafat e tij pikërisht në ndeshjen e Danimarkës, dhe Hani nuk do të jetë më trajner i Shqipërisë.

Klodian Duro është një nga futbollistët më të kompletuar të shkollës shqiptare të futbollit, e përzjer edhe me pak Turqi, Gjermani e Qipro. Por, kur e pyetën mesfushorin e djathtë, se përse pranonte të luante si i majtë. Përgjigja e tij ishte shumë kuptimplote. “Po ç’të bëj? Të mos pranoj të luaj”.

Pas largimit të Rudi Vatës e Geri Çipit, të paktën prej pesë vjetësh Shqipëria nuk ka një qendërmbrojtës puro. Brigel, Bariç e Hani kanë gjetur “xholin” Debatik Curri. Por, polivalenti duket së fundi se ka humbur çdo orientim në katërkëndëshin e gjelbër.
Gus Hidink mund t’i gjente Currit të njëjtin vend, që ai luan edhe te Vorskla, por jo t’i fryjë për të bërë Debatiku lojtarin e madh në çdo ndeshje.

Futbolli është i pamëshirshëm. Duka e di mirë këtë. Një “Has”, i përjashtuar nga Oto Bariçi, pikërisht për një “ves” shqiptar nuk mund ta çojë Shqipërinë në “NATO”-n e as në “BE-“në e futbollit, pasi ne duhet ta na çojnë e pranojnë të tjerët atje.

Bariçi iku pas humbjes me Rumaninë, Hani pas asaj me Danimarkën. Një gjë është e qartë, po të duan futbollistët në Shqipëri nuk mbetet trajner më këmbë, qoftë ky shqiptar apo kosovar. Këtu jo vetëm Gus Hidink të vijë, por edhe një trajner i “krijuar në kushte perfekte laboratorike” të vijë, ka për ta “nxjerrë hardiskun e trurit” jashtë punë.

Kur shikon gafat e futbollistëve e kupton këtë.

E Marte, 07 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›