Fundjava e Vangjelit, në një ditë bën gjithçka“Po kaloj një formë shumë të mirë dhe jam i lumtur për këtë,”- tregon Vangjeli në një bisedë për “Panorama Sport”. – Kundër OFI-it luajta titullar në pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Në golin e p

E nis me karton të verdhë, vazhdon me dy asiste të kthyera në gol, më pas merr shiritin e kapitenit dhe në fund ka vetëm urime. Kristi Vangjeli është kthyer në formën e tij më të mirë te Arisi i Selanikut. E diela në ndeshjen kundër OFI-t të Kretës, ka qenë e gjitha e tij, teksa si një fantazist i vërtetë ka dhënë dy pasime të arta për gol dhe ka shijuar për 20 minuta shiritin e kapitenit të ekipit. Drejtuesit e klubit, por më shumë tifozët, e kanë durtrokitur gjatë pas ndeshjes prezantimin e mbrojtësit të kombëtares, që edhe në sfidën kundër Danimarkës, shfaqi një formë të mirë. Në fitoren 4-1 ndaj OFI-t, ai luajti 90 minuta, duke bindur edhe ata të cilën nuk i besonin shumë në klubin selanikas. Tashmë koha e lënies në stol ka marrë fund dhe mbrojtësi ia shpërblen trajnerit të Arisit, brazilianit Iomar Mazinjo, me një lojë të shkëlqyer. “Po kaloj një formë shumë të mirë dhe jam i lumtur për këtë,”- tregon Vangjeli në një bisedë për “Panorama Sport”. – Kundër OFI-it luajta titullar në pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Në golin e parë, në minutën e 10-të, krosova për sulmuesin Havito, që realizoi me kokë. Ndërsa në golin e tretë, gjeta të lirë në zonë, Kaboran, pas një dalje të gjatë nga krahu i djathtë.”
Kapiten i Arisit
Përtej këtij rikthimi në ditët e tij më të mira, ajo që e ka emocionuar më shumë 23-vjeçarin korçar, është mbajtja e shiritit të kapitenit për 20 minuta në pjesën e dytë. “Pas daljes nga fusha të shokut të ekipit, Serxhio Koke, shiriti më takoi mua, si lojtari më me shumë ndeshje te Arisi. Natyrisht që kjo ishte një emocion më vete dhe më motivoi më tepër. U ndjeva shumë i lumtur, kur tifozët dhe stafi teknik bashkë me drejtuesit e klubit më përgëzuan për këtë paraqitje. Kishte edhe nga ata të cilët me shaka më thonin: lojtarin më të mirë e kanë lënë në stol. Eshtë një moment që kisha kohë që e kërkoja. Nuk ka gjë më të bukur, sepse Arisit kam vite që i përkushtohem dhe kur pas përfundimit të ndeshjes merr me qindra telefonata nga tifozët e zjarrtë që ka ekipi, është diçka fantastike,”- thotë mbrojtësi kuqezi, që prej tetë sezonesh është pjesë e Arisit. Ndërkohë, në emisionin sportiv që zhvillohet në kanalin shtetëror grek “Net”, Vangjeli deri më tani renditet si lojtari i dytë më i mirë i javës (MVP). Ky votim zgjat deri të enjten, teksa shqiptari ka marrë 34% të votave, midis 4 lojtarëve të tjerë të kampionatit grek.
E ardhmja
Kristi Vangjeli nuk do që të nxitohet për të ardhmen, edhe pse ndaj tij në sezonin e fundit hapësirat kanë qenë të pakta. Kontrata me Arisin i përfundon në verën e këtij viti. “Për momentin nuk di çfarë të them, sepse nuk ka ndonjë gjë konkrete. Po flitet shumë, por të shikojmë pas mbylljes së kampionatit. Tani jam i lumtur për formën që po kaloj dhe shpresoj të vazhdoj kështu,”- ka sqaruar Vangjeli, që me siguri do të jetë pjesë e një ekipi tjetër në sezonin e ardhshëm.
Jorgis Memo
Në Ukrainë, Bulku, te 11 më të mirët e javës
Mesfushori i kombëtares dhe Krivbasit, Ervin Bulku, është shpallur si një ndër lojtarët më të mirë të javës në kampionatin ukrainas. Bulku shënoi në fitoren e Krivbasit ndaj Zorias, ndërkohë që në ndeshjen e kaluar me Harkovën, i kishte dhënë tre pikë të tjera ekipit. ”Legjionari shqiptar po vazhdon të paraqitet në një nivel të lartë. Ai shënoi përsëri, por edhe ka marrë pjesë në shumicën e aksioneve të Krivbasit,”- vlerësonte uebsajti ukrainas “football.ua”. Kujtojmë që te Krivbasi aktivizohet edhe portieri Isli Hidi, bashkë me fantazistin Dorian Bylykbashi, që është kapiten i ekipit.
J.M.
E Marte, 07 Prill 2009